Archive for 04/01/2012

FATOSAVE TË HARRUEM

Daniel Gàzulli:


 1.png

 

Ky ishte titulli i një editoriali të revistës “Hylli i Dritës”, nr. 3-4, 1942, fq. 101-106.

Shkruhej ndër të tjera në atë editorial: “Tjetërkund, njerëzit e idealit, në u mbytëshin për së gjallë, nderohen për së dekuni. Ndër ne mbyten dy herë: edhe harrohen.”

Për Bajram Currin, Luigj Gurakuqin, Dom Gjon Gàzullin nuk pat nevojë deka me kenë kapak florini. Jeta e tyne kje e dejë për deken që banë si dishmorë të lirisë së kombit.

Nji komb që lindet ka nevojë për fatosa që desin. Por fatosat që desin nuk kanë ç’ të bajnë në nji vend që i harron e i përbuzë”.

 

Shënimi im:

Bajram Curri, vra me 29.03.1925

Luigj Gurakuqi, vra me 03.03.1925

Dom Gjon Gàzulli, varë me 05.03.1927.

 

Kanë kalue 70 vjet që nga botimi i atij editoriali e historia përsëritet me grotesk tragjik: Fatosat po harrohen përsëri, vrasësi i tyne, njeriu që e solli në pushtet Beogradi, Ahmet Zogolli, “hosanohet” përditë.

Atëherë, vërtetë, çka të bajnë Fatosat në një vend që i përçmon?

Pa hy në analiza të matejshme, po ua kujtoj lexuesëve nëpërmjet tri elegjive.

(E pra do të ishte koha të këndonim për ta, jo të vajtonim).

 

Fan S. Noli

 

SHPELL’ E DRAGOBISË
(Elegji për Bajram Currin)

Kur tufani e çthuri fenë,
Kur tirani e krrusi atdhenë,
Mi një brek të Dragobisë
Priret Flamur’ i lirisë.

 

Atje nisi, atje mbaroj,
Atje krisi, atje pushoj,
Rrufe-shkab’ e Malësisë,
Në një shkëmb të Dragobisë.

 

Vendi dridhej, ay mbeti
Se s’tronditej nga tërrmeti.
Dif drangoj i Dragobisë,
Trim tribun i Vegjëlisë.

 

0 Bajram, bajrak i gjallë,
More nam me gjak në ballë,
Te një shpell’ e Dragobisë,
Yll i rrall’ i burrërisë.

 

Thon’ u-shtri e thon’ u-vra,
Po ti s’vdiqe, or Baba,
As te shkëmb’ i Dragobisë,
As te zëmr’ e Djalërisë.

 

As je vrar’ e as po vritesh
Legjendar Ante po rritesh.
Dithiramb i Dragobisë,
Tmerr, panik i mizorisë.

 

Me Zjarr Shenjt u-ndrit kjo shpellë.
Gjer në qjell u-ngrit Kështjellë
Për çlirimn’ e Shqipërisë
Katakomb’ e Dragobisë.

 

Fan S. Noli

 

SYRGJYN VDEKUR

(Elegji për Luigj Gurakuqin)

Nëno moj, mbaj zi për vllanë,
Me tre plumba na i ranë,
Na e vran’ e na e shanë,
Na i thanë trathëtor.

 

Se të deshte dhe s’të deshnin,
Se të qante kur të qeshnin,
Se të veshte kur të çveshnin,
Nëno moj, të ra dëshmor.

 

Nëno moj, vajto, merr malin,
Larot t’a përmbysnë djalin
Që me Ismail Qemalin
Ngriti flamur trimëror.

 

Nëno moj, m’a qaj në Vlorë
Ku të dha liri, kurorë,
Shpirt i bardhë si dëborë;
Ti s’i dhe as varr për hor.

 

Nëno moj, ç’është përpjekur
Gojë-mjalt’ e zëmër-hekur,
Syrgjyn-gjall’ e syrgjyn-vdekur,
Ky Vigan Liberator.

 

Nikollë Mazrreku:

 

DOM GJON GÀZULLI

 

Np’r at ag drite permbi rrugë t’heshtueme,

Kur njerëzve n’gjumë ma t’ambla u kndellën andrrat

E lehta të mëngjezit, kur n’balkone

Shej jete s’ka përveç ndonjaj dallndyshe

Që pret shoqin m’ia nisun punës me kangë,

Kur mbyllun heshtin dyert, heshtin dritare,

Me zemer t’fortë e hap t’sigurtë, nalt ballin,

Prifti me dekë po shkonte; e mbanë tij frati

Lutej e kjante. “Lutu! Lutu! Lutu”

Thonte i gjykuemi, e qetë vazhdonte rrugën

S’cilës i dihej e s’i dihej caku.

 

Atje n’zemer t’qytetit, si shmang rruge

Së madhe, e pritte kolovar litari

Nën nji çinar që moti e kish motnue,

E prap se prap i fortë mbahej në jetë.

Aty do t’soste ditt e veta n’lule

T’vjetve Dom Gjoni veç se e desht pak tepër

Atdheun e shuem t’vetin, t’zezen Shqipni.

Për kte ai do t’diste si trathtorët m’litar,

Në t’gjatën kmishë pa mangë, e me sentencë

Vjerrun për qafë ku kndon se n’emen t’ligjës

Po i merret jeta për interesa t’larta

T’kombit,  për t’mirën e përbashkët.

E po, ti diqe ashtu si desin burrat,

Dom Gjon, dhe tuj e dijtë se disshe për interesen

E ‘j pakice njerzve bishë që, çue vampira,

Me krena e me gjak vllaznish themeluene,

(O kob prej Qiellit!) n’vend t’njij fron lumnije

E përparimi s’Shqipatrisë s’përvlueme

Për t’Drejtë e për Liri, po, mkambne t’zi

Katafalkun ku shtri do t’ndehej mbejti

I Kombit t’fortë që ndër njimi furtuna

Barbare i patronditun për ‘izet shekuj

Mbet gjallë mbi t’rrebtat male t’Ilirisë.

E pse kshtu, o Zot? Pse i prujti ai shpirti i tyne

Msa shpirti i bishës nuk mujte me ndigjue

Zanin e Liris s’vertetë: zhytë ndër llomshti

E msue me blue për shoq e vlla veç kobe,

Ata veç zanin ma t’tërbuem, ma t’egrin,

T’epshit t’Egos mund ndjejshin tuj lurue;

E u lshuene, porsa kapne n’dorë timonin

E anìjes ende s’pamësueme me ça valën

N’ket det njerëzish t’pamasë që rreh tallazet

Ndër krapa e guma të ksaj botës s’trishtueshme;

u lshuen, po, me rroposë e me përmbysë

Çka i duel përpara asaj gopsisë së tyne

Krenare s’ndërkryeme zemer-ngurrte.

E, porsi llava n’Sh’Ndre, kërleshun shtatit,

Përgjakun sytë, gati çapojt me shkye,

Iu turrne Atdheut, shpirtmdhajt n’gjak tu’ i la.

Ndër futa u vesh Shqipnija at’herë: e heshti

Entuzjazmi i Lirisë, shoi zani Ideja,

E prani puna. Zgaqun mbi kolltukë

Ata fa mirë, e prap t’pangimë, mbi krye

Me topuz gjaku e ndejne gati popullit,

E për ‘i fjalë goje i shkonte njerit jeta.

 

Ti diqe por, Dom Gjon, si desin burrat

Për nj’ Ide Shejte, për ‘i Shqipni ma t’mirë,

Sundue me Drejtësi, me besë Shqiptare,

Me besë jetike të Teftës e t’Agronit

Që, trashigim i shuguruem sa herë

Me gjak, Shqiptarë do t’bante nja nen Flamur

Të vetëm për uzdajë e dit ma t’bardha.

Diqe, e përpara se me t’u shtërngue

Vega e litarit, thirre: “Rrnoftë Shqipnija!”

 

Rraplluene lodertìjat: nën kambë shkambin

Me t’djathten tande t’hekurt e flakrove

Si ‘j gogel dushku. Pezullue n’ajrì

Për orë e orë ai trupi i yt i shtangun

Tu’ u rrotulluem n’at t’preften erë prandvere

Kah len e kah merr dielli, e syt e hapun,

kryet m’njant anë, bertitte: “Rrnoftë Shqipnija!”

 

E ndjeu djelmnija shqipëtare at vigem

E shpirti iu trondit, e me shpresë vrojti

Kreshnikun Shpirtin tand, kulluet si rrezja

E diellit, n’kupë t’Empirit tu’ u bashkue

Me tjerë të Mdhaj që pushka e vllaut trathtar

I muer, pse e deshtne teper Shqiptarinë,

Pse kjenë shpirtën të drejtë e shpirtën t’lirë

Si ai Shpirti guximtar i Avni Rrustemit,

Si ai Shpirti vullndet-hekri i Gurakuqit,

Si ai Shpirti titanik i Bajram Currit.

Po, o Shpirten t’Mdhaj t’ksaj Epos s’re shqiptare,

Djelmnija që latë mbrapa u ndjek me sy

E u gjen për shembull t’vetin n’atë Qiell t’kulluet,

Ku der sa rrokullija t’pshtjellet n’kaos

Do t’kndoni para Zotit: “Rrnoftë Shqipnija!”

 

VALLET E BURRAVE-PJESË E RITEVE TË DASMËS SHQIPTARE NË PRESHEVË ME RRETHINË


Shkruan : Xhemaledin Salihu                                              

 

Ritet e Dasmës preshevare jane një traditë e kahershme, e kultivuar me shekuj dhe nder mote të shumta. Ato, poashtu u bartën brez pas brezi duke futur elemente të reja apo edhe duke hequr elemente të riteve në dasmën popullore, por gjithmonë duke e ruajtur origjinalitetin dhe traditën shqiptare dhe kjo traditë mbeti në mendjen e çdo shqiptari në Preshevë me rrethinë. Bile, këto mbeten trashëgimi shpirtërore e popullit shqiptar në këto treva.

Dasmat preshevare ndodhnin nga e hëna deri të enjten apo nga e enjta deri të dielën. Pra dasma ndodhte dhe shtrihej disa ditë në familjen e djalit, por edhe në familjen e vajzës.

Nata e parë e dasmës së djalit ishte nata e kallamoçave, kur në familjen e djalit ziheshin kallamoça/misër/ në kazane të mëdha  dhe në këtë natë shkonin kryesisht familjarët, të afërmit e familjes, mëhalla dhe shokët e djalit.

Nata e dytë ishte nata e pulave, natë e të rinjve të mëhallës së djalit dhe shokëve, kur të rinjët shkonin shtëpi më shtëpi dhe merrnin pula për në dasmën e djalit. Në këtë natë të pulave askush nga familjarët e djalit, por edhe fqinjët nuk merrnin  idhnime, pse të rinjët vjedhnin pula nga shtëpitë e tyre.

Në natën e fundit të dasmës ftoheshin mysafirë të familjes për darkë, por në këtë natë shkonin edhe mëhalla, shokët e djalit dhe persona të tjerë që kishin qejfin për të bërë gazmend. Këtë natë angazhoheshin orkestrat  muzikore dhe daullet, me të cilat këndohej dhe luhej në dasëm. Po e përdorim luhej, sepse në Preshevë dhe rrethinë përdoret luhet, ndërsa e ka kuptimin e vallëzimit dhe kërcimit të vallëtarëve.

Në Preshevë, kaherë në traditën popullore, dasmat dhe gazmendet familjare, por edhe kombëtare organizohen me daulle e zurle, ndërsa tek gratë ato bëheshin me dajre. Madje, familjet e pasura, në ditën e marrjes së nuses organizonin tubime dhe gazmende popullore, në pritje të ardhjes së nuses dhe krushqëve. Gazmendet organizoheshin në vende të caktuara, kështu në Preshevë, ato organizoheshin te vendi i quajtur Allajtë. Në pritje të vrapuesve dhe kuajve vrapues, luhet edhe vallja shqiptare e burrave. Më e njohura, Vallja e Marhamës, me një ritëm, së pari të ngadalshëm, deri sa priteshin vrapuesit, me afrimin e tyre për në cak përshpejtohet edhe ritmi i valles.Gjatë kësaj kohe nuk këndohet, por vetëm luhet vallja e burrave, pastaj ndodhë vrapimi i vrapuesve dhe kuajve për vendin e parë dhe peshqeshet që i ka përgatitur nusja dhe i zoti i dasmës, baba i djalit.

 

 1.jpg

 

KRUSHQIT E KANË MARRË NUSEN  ME QERRE. DASMA NDODH  NË FSHATIN TUPALLË TË MEDVEGJËS, RRETH VITIT 1971/72

 

 2.jpg

 

Në Karadakun e Preshevës nusja dorëzohet herë herë diku në gjysmë rruge, ku krushqit takoheshin dhe me atë rast kryhej akti i teslimit/dorëzimit/  të nuses.

Në Raincë rrëfehet nga shumë pleqë të fshatit për ekzistimin e një legjende/gojëdhëne/, te vendi i quajtur “GURI i GATË. Këtu kemi të bëjmë me një gojëdhënë tragjike shqiptare, për të cilën kallëzohet nga pleqët si e vërtetë. Ngjarja do të duhet të ketë ndodhur shumë herët. Emrin “Guri i Gatë” e ka marrë, për shkak të formës së të shumë gurëve, të cilët për nga lartësia arrinin gjatësinë deri në dy metra. Në fshat pleqët tregojne se duhet të jenë afër 70 gurë, mirëpo gjatë vizitës time në vendin “Guri i Gatë” me 2  bashkëudhëtarë numruam vetëm 53 gurë të gjatë, në formë të rrasave. 

Thuhet se “Gurët e Gatë” kanë ekzistuar para se të themelohet fshati Raincë, këtë e vërtetojnë edhe pleqët e fshatit.

 

 3.jpg

 

NJË PREJ GURËVE NË VENDIN “GURI I GATË” NË RAINCË TË PRESHEVËS

 

Vendi i quajtur “Guri i Gatë” gjendet në perëndim të fshatit  dhe aty tregohet se u ndeshën dy palë dasmorësh, kryshqi, dy qerre dasme, të cilat nuk lëshuan rrugë asnjëra dhe aty ndodhi një konflikt i përgjakshëm. Këtë ngjarje e nemi qyqja, për të keq, kështu që krushqit u shdërruan në gurë, të cilët ekzistojnë edhe sot. Bile edhe sot , ekzistojnë gjurmët , të cilat vërtetojnë ekzistimin e kësaj udhe pikërisht aty, përskaj vendit të quajtur “Guri i Gatë” Prejardhja e krushqive nuk dihet, flitet që ishin të Malësisë së Preshevës apo të Bujanocit. Në këtë përleshje u përfshin të dy palët e krushqëve, bile edhe nuset u përleshën.

 

 

                 RRUGA KU U NDESHËN DASMORËT NË VENDIN

                       “GURI I GATË” NË RAINCË TË PRESHEVËS

 

 4.jpg

 

Pleqët e fshatit Raincë rrëfejnë se osteni,shtaga/shkopi/ me të cilin graheshin qetë u ngul në tokë, bini, u rrit dhe sot ekziston lisi qindvjeçar, në mesin e gurëve të gjatë dhe pishave Lisi qëndron i vetëm, i lartë, në mesin e pishave, për të cilin thonë se as nuk rritet më, por as nuk plaket. Ndërsa disa pleqë të tjerë të fshatit rrëfejnë se flamuri i krushqëve, i ngulitur në tokë, bini dhe sot ate e simbolizon lisi i përmendur.   

Dhe çdokush, që u përpoq ta shkulë  apo ta pres këtë lis, dështoi. Përveç kësaj thuhet se  familjarët varrosën të gjithë pasurinë që posedonin krushqitë me vete, siç e kërkonte tradita e asaj kohe. 

 

 

 5.png

          LISI NË KODRËN E RAINCËS TË PRESHEVËS “GURI I GATË”

 

Poashtu, pleqët e fshatit tregojnë se daullja u shdërrua në gur të rrumbullakët, këtë e thotë edhe Haxhi Jakupi i Mëhallës së Ukajve të Raincës dhe Mulla Xhemajl Musliu i Raincës.

Disa pleqë të tjerë të fshatit  rrëfejnë se guri i rrumbullakët që gjendet edhe sot në vendin e ngjarjes simbolizon qerren e nuses.

“Pas luftës së fundit në Preshevë, disa arkeologë serbë apo hobista prej Serbisë qendrore, i nxjerrin gurët nga vendet e tyre, për të gjetur thesarin e varrosur. A kanë gjetur nga pasuria legjendare apo jo, nuk dihet, por një dihet qartazi, që këta bën katrahurë, i shkulën gurët dhe i lanë jashtë dheut. Gjer më sot nuk e ka ngritur askush zërin për këtë”, thotë Muhamet Iljazi i Raincës.

Vallen në Preshevë me rrethinë e quajnë “horë’ dhe shpesh përdoret, e çon mirë horën, e kanë me lot horën / kuptim se vallëtari luan bukur sikur kur del loti i pastër në të qarë/, luan mirë horën, thuhet për ata vallëtarë që luajnë bukur dhe me virtuozitet. Po kështu, shpesh rastis që  vallen ta  quajnë edhe bullgarët, maqedonasit.

 

VALLET E PRESHEVËS JANË :

 

1. Vallja e Preshevës “Preshevka”

2. Vallja e Miratocit “Miratock

3. Vallja preshevare: “Ani jom e ligë, ani jom tue dekë”

4. Vallja e Marhamës

5. Vallja e Deli Agushit

 6. Vallja me këndim : “Pembe, Pembe”

7. Vallja me këndim: Dimke, Dimke Popova

8. Vallja e Moravës

9. Vallja: “Tarazejbek”

 

 

Emërtimet e valleve preshevare janë më të ndryshmetë. Kështu ka emërtime sipas origjinës dhe vendit ku luhet vallja: Vallja e Preshevës “Preshevka”, Vallja e Miratocit:”Miratocka”.

Vallja prej Moravës, sipas lumit Moravë. 

Shpesh vallet emërtohen me vargun e parë të këngës: Vallja preshevare :”Ani jom e ligë, ani jom tue dekë…”, Vallja preshevare:”Dimke, Dimke Popova…”, Vallja preshevare:”Pembe, Pembe…”

Në Preshevë nuk mungojnë emërtimet e valleve edhe sipas veshjes, gjegjësisht sipas mjetit që përdoret për ta udhëhequr vallen: vallja preshevare: “Vallja e Mahramës”/shamisë/.

Poashtu në Preshevë dhe në rrethinë të saj kemi valle popullore  që mbajnë vulën e kohës, trimave, kaçakëve në kohën e Turqisë apo ndonjë kohe tjetër: Vallja e Deli Agushit.

Në komunën e Preshevës dhe të rrethinës , kënga është shumë pak e zhvilluar , kurse vallet popullore janë më shumë të zhvilluara .Në këtë anë nuk përdoren instrumentet popullore që janë punuar nga dora e shqiptarëve autokton , por janë përdorur  kryesisht orkestrinat e romëve.

Vallja popullore është pjesë e pandarë e dasmës shqiptare, e traditës dhe riteve të saja, e cila u lind dhe u zhvillua sëbashku me këngën popullore shqiptare si dhe dasmën e traditën e saj shqiptare.

Vallet popullore shqiptare, sidomos vallet e burrave në Preshevë me rrethinë janë të vjetra, të larmishme dhe shumë të pasura , përkah figurat dhe stilizimet koreografike.

Edhepse vallet në përgjithësi ndahen në ato me motive fshatare dhe qytetare, vallet e burrave të Preshevës nuk kanë aq karakteristika ndasie  në ato qytetare apo fshatare, pos ndonjë valle e burrave që dallon përkah motivet që i përket valles. Vallet e burrave nuk kanë ndonjë prerje të thellë përkah motivet që të ndahen në ato fshatare dhe qytetare.

Por, prapseprap dallojmë vallet e burrave me motive qytetare: vallja e Presheves, vallja “Ani jom e ligë, ani jom tue dekë”, vallja “Pembe, Pembe”, vallja “Dimke, Dimke Popova”, vallja “Tarazajbek”, valle që ka për motiv dashurinë, jetën idilike dhe hallin e banorëve të qytetit, ndërsa ato me motive fshatare janë : vallja e Miratockës, vallja e Deli Agushit, me motive të së kaluarës, historisë tonë, ku i këndohet trimërisë, burrnisë që në Preshevë dhe rrethinë nuk janë vetëm motive ekskluzive të fshatrave, sepse gjate historisë fshati dhe qyteti e patën një histori të përbashkët kombëtare.

Vallet e burrave u përcollën edhe në qytet edhe në fshat prej grupeve muzikore, ku bënin pjesë klarineti, defi, tarabuku, harmonika, violina/qemanja/. Këto grupe populli i quante edhe çallgija.Grupi i daulleve dhe zurlave merrnin pjesë sidomos në dasmat e familjeve të mëdha. Andaj sipas instrumenteve nuk kishte ndonjë ndasi e dasmave në fshat apo qytet, por vetëm pasuria e familjes/statusi familjar/ ishte ajo që bënte ndasi në dasma.

Veçanti paraqitnin dasmat në Malësi, ku  dasmat bëheshin me instrumenta popullorë: kavallë, çifteli, fyejë, e tjerë, ndërsa ato në qytet përcilleshin me qemane, violinë dhe def.

Vallet popullore shqiptare në Preshevë me rrethinë ndahen në tri lloje kryesore: :1.Valle të burrave 2.Valle të grave dhe 3. Valle të përziera ose të përbashkëta.

Vallet e burrave në Preshevë dhe rrethinë luhen në grup 4-5 vallëtarë dhe ndonjë valle e burrave që luhet edhe në dysh, sikur vallja Tarazejbek. Vallet e burrave luhen vetëm me përcjelljen e instumenteve dhe Presheva me rrethinë nuk ka valle të burrave që luhen pa instrumente.

Vallet e burrave janë valle që luhen në rreth, pos valles lirike:Tarazejbek, e cila luhet më dysh dhe karshi -karshi.

Vallëzimi i valleve të burrave në rreth simbolizon një rreth familjar, të përbashkët, për të gjithë vallëtarët, por edhe simbolizon përbashkësinë shqiptare. Kështu, ata duke luajtur vallet, pas çdo mbarimi të valles, shpesh ndodhë që prijatari i valles i lëshon të dytit udhëheqjen e valles e kështu me radhë radhitën vallëtarët deri në mbarim të valleve. Nderimi edhe i vallëtarëve të tjerë bëhët me kusht që vallëtari në vazhdim të jetë i aftë, të luajë mirë dhe mund të jetë edhe prijatar i vallës së burrave. Ndryshe nuk pranohet nga vallëtari i radhës apo nuk i jipet shamia e prijatarit të valles Në traditën e valleve tona popullore, gjithmonë praktikohet që prijatari, ta mbajë në dorën e djathtë një marhamë, shami, me të cilën i prinë valles duke e dredhur e valëvitur pa ndalur atë.

Burrat vallëtarë në vallet  kapen krah për krah dhe kështu luhen  thuajse të gjitha vallet e burrave, pos valles “Tarazejbek”. Kjo simbolizon dhe ka kuptimin e afërsisë dhe dashurisë vëllazërore , të unitetit, besës dhe besnikërisë së fortë.Vallet krah për krah i luajnë më tepër burrat.

Pastaj në dasma vallëtarët burra kapen dorë për dorë dhe luajnë vallet e burrave, që simbolizon dhe dëshmon dashurinë, besnikërinë, bashkimin dhe unitetin ndër vëllazëror.

Në vallet e burrave që janë me motive luftarake dhe epike, siç janë : Vallja e Deli Agushit, Vallja e Miratocës, vallëtarët kapen  brez për brezi, për ta mbajtur fortë lojtarin afët tij dhe për të simbolizuar si në rreth, krah për krahu, dëshminë për forcën, përbashkësinë dhe unitetin e vallëtarëve dhe të bashkësisë shqiptare.

 Shpesh në dasëm, prijatari i vallës së burave që ka aftësi vallëzuese të jashtëzakonshme i lejohet të krijojë figura dhe stilizime koreografike që janë  traditë e tij dhe aftësi krijuese e artistike. Kështu prijatari në disa valle të burrave shfrytëzon talentin e tij vallëzues dhe mundësinë e vallës së burave, e cila i lejon komoditetit për të krijuar figura më të ndryshme koreografike vetanake, siç është vallëzimi “zhagas” Edhe vallet e ashtuquajtura “zhagas”, apo “zvarrë”, kanë karakter luftarak dhe vallëzohen kryesisht nga burrat.

 Vallja e Deli Agushit i lejon vallëtarit të talentuar krijimin dhe formimin e figurave më të ndryshme, siç është: vallëzimi “zhagaz” , vallëzimi në tavolinë, vallëzimi në mure apo ecja e vallëtarit nëpër mure, por në këto raste gjithmonë prijatari duhet ta kishte mbështetjen e fortë dhe të sigurtë të vallëtarit të dytë në vallen e burrave.

Edhe Vallja e Miratocit e lejon vallëtarin të krijojë figura dhe stilizime vallëzuese individuale.
Në Vallet e burrave, element më tipik i kësaj veshjeje janë tirçit, të cilat kanë formën e pantollonave të ngushta prej shajaku me të shumtën e rasteve ngjyrë të zezë ose të murme, më rrallë me ngjyrë të bardha. Atëherë ngjyra e gajtaneve, shiritave të tirçive do t’ishte e kundërta e ngjyrës së tirçive.
Përgjithësisht ato lidhen poshtë belit , shtrënguar dhe shoqëruar edhe me një brez të leshtë, me vija disangjyrëshe, e cila në Preshevë quhet shokë. Gjatësia e saj mund të jetë e ndryshme.

Në pjesën e sipërme vishej një këmishë me mëngë të gjata, me ngjyrë të bardhë, jelek pa mëngë, me ngjyrë të zezë apo të murme prej shajaku.
Tirçit zakonisht janë bajtur në vallet e burrave, më rrallë si veshje e përditshme, pos në Karadakun e Preshevës.

Poashtu, në vallet e burrave përdoret plisi i bardhë, i cili përdoret më rrallë në jetën e përditshme të popullatës shqiptare në Preshevë me rrethinë. Në vend të plisit të bardhë, preshevarët shpesh e bajnë një kapuç të zi apo edhe me ndonjë ngjyrë tjetër, të qepur prej pëlhurës së pambukut.

Opingat janë pjese përbërëse e veshjes popullore me traditë të vjetër dhe shtrirje mbarë shqiptare.
Në Preshevë me rrethinë, në vallet e burrave përdoren opingat, por popullata më rrallë i përdorë në jetën e përditshmë.

 

 6.png

               GRUPI I VALLËTARËVE I SHKA “ABDULLA KRASHNICA”

                                       PRESHEVË, MË 1956/57

 

 

Vallja e Miratocit karakterizohet se vallëtarët i mbulojnë veshët dhe lidhin kryetë me çevre/shami/.Çevra mbahet në të gjitha vendbanimet e Preshevës, por është veçanti dhe më shumë dukuri e shpeshtë e popullatës së Miratocit

Çevra mbahet në kokë dhe me te lidhet-pështjellohet pjesa e pasme e kokës, mbështillen anët e kokës dhe mbulohen veshët, ndërsa lidhet në ballë të kokës.

 

 

            SHKA “ABDULLA KRASHNICA”, BELGJIKË,  MË 1980

 

 

 

Autori bullgar Gj. Petrov, në librin e tij e vërteton mbajtjen e Çevresë në Miratoc dhe në faqën 543 shkruan këngën e përhapur në popull:

Dum, dum tupani,

Hora Llojani,

Qel Miratoci,

Zhugava Tërrnava,

Norça qorça,

Zorraxhi Presheva,

Rahovica kalanica,

……………………………

Dum, dum Tupani

Budalla Llojani

Qel Miratoca

Zhugava Tërrnava

Sallata Presheva

Nasgjargji Rahovica

Harrnë Corrotica

E tregoi : Hamit Ilinca/ version i shkurtër/

 

           

Dasmat e sotme aspak nuk i pëngjajnë dasmave të dikurshme, ato janë të shtrenjta dhe pak e ruajnë traditën dhe ritet e dasmë së dikurshme tradicionale.

 

 

 

REFERENCAT

 

1.Agron Xhagolli, Ramazan Bogdani, Letërsi folklorike, Prishtinë, 1996

2.Çështja e valles popullore shqiptare në Preshevë dhe rrethinë, Tribunë shkencore e mbajtur në Preshevë, më 24 dhjetor 2010

3.Hysen Ahmeti, Rite dhe këngë dasmash në fshatrat e Bujanocit,Gjilan, 2007

4.Zeqirja Dauti, Lojëra popullore nga Kosova Lindore, Gjilan, 2009

5.Dilaver Kryeziu, A po zhduken vallet tradicionale shqiptare, Kosova sot, 04.10.2008

6.Zymer Neziri, A po zhduken vallet tradicionale shqiptare, Kosova sot, 04.10.2008

7.Demir Krasniq, Një dasmë sa një shtëpi, Gjilan, 2010

8.Xhemaledin Salihu, Valle dhe këngë popullore të vjetra, Preshevë, 2010

9.Drita Halimi-Statovci, Veshjet shqiptare të kosovës, Prishtinë, 2009

10. E njëjta, Rizgjohet ndjenja e traditës, Ardhmëria.info, 08.08.2011

11.Ilir Sopiani, Martesat dikur dhe sot, Dituria Islame, nr.250, maj 2011

12.Pëllumb Gorica, Tradita e dasmës së vjetër në Sulovë të Elbasanit, 2011

13.Demir Krasniqi, Gjobat nëpër dasmat dhe gazmendet popullore, Zemra shqiptare, 02.01.2010

14.Plisi i Bardhë, simbol me rëndësi kombëtare që duhet ruajtur dhe trashëguar ndër breza, Gazeta “Bytyçi”, 26 gusht 2011

15.Kadri Halimi, Studime etnologjike, Prishtinë, 1994

16.I njëjti, Trajtime dhe studime etnologjike, Prishtinë, 2000

17. Muhamet Ilazi, Raincë,  më 18.10.07  

18. Vebi Fazliu nga Rainca, bisedë më 12.09.2011

19. Bisedë me Mulla Xhemail Musliun nga Rainca, më 30.09.2011

20.Bisedë me Zeqirja Memishin nga Rainca, më 28.09.2011

 

 

 

 

 

Preshevë, më 03 janar 2012

 

 

Vërejtje: Kumtesa e lexuar në Tribunën Shkencore :”Dasma shqiptare në Preshevë dhe rrethinë, dikur dhe sot”, mbajtur më 24-25.12.2011

Hajde,dili Velës para!

tregim

Nga   Përparim    Hysi

E kam thënë dhe diku tjetër:pas Fierit,Elbasani është qyteti që dua më
shumë. Kam jetuar në Elbasan 4-vjet dhe kam shumë nostalgji për
të.Tani kur jam plakur,pothuajëse,më vijnë mbresa të asaj kohe të
largët dhe nuk kam se si e mohoj:psherëtij dhe ngashërehem se më vinë
si të gjalla,sado që ka  kaluar mbi gjysëm shekulli.Merrni me mend,
unë,adoloshent,mes viteve ‘50-të tek bridhja atyre rrugicave të
qytetit (që të gjitha të shtruara me kalldrëm),s’kisha si mos vija re
atë gjallëri që në Elbasan e shihja për së pari.Qeshë një djalth
fshati që kisha parë,veç kalimthi,ndonjë qytet,veç Fierit ku dhe kisha
bërë uniken( 7-vjeçaren).
Jam veç 13-vjeç dhe tek kam dalë nga pazari,ndesha në një britëm të
një sarhoshi.Ky doli nga klubi dhe ia dha një britme:-Hajde,dili Velës
para!
Kjo britëm qe pak si paralajmërim dhe unë që e shihja për herë të parë
këtë,Velën,natyrisht që nuk i dola përpara,por iu shmanga syve të tij
dhe qëndrova prapa.Mendova:-Pa të shohim se ç’kijamet do bëj me këtë
tërsëllëmë.Por  Vela nuk paska qenë hiç i rrezikshëm.Përkundrazi.Tek
ajo britmë që qe eufori sarhoshi,nuk kish kushedi ndonjë rrezik apo
tregohej ndonjë trimëri,siç vura re,kur e ndoqa pas.

*    *   *

Si eci jo më shumë se njëzet hapa,ai aty për aty,sajoi një bejte:

“Velë,mos prit gjo nga dovleti
Por prit nga vllaznët Peti  *
Mu aty te furra “Shëndeti”.

Tha kështu dhe vërtet,siç pashë,mbi furrë qe shkruar:”Furra
Shëndeti!Vllazën Peti!”. Vela priti dhe qerasjen që nuk vonoi.Doli
dikush prej furri dhe ia dha veç bogaçes dhe ndonjë lek.Se sa nuk e
di.Por pashë që Vela-që nuk duhet t’i dilje para- bogaçen e ndau
gjysëm me një fëmijë lypës atypari dhe lekët i futi në
xhep.Unë,kurreshtar më shumë për ato bejtet,se sa ç’do bënte me atë që
t’i dilte para, e ndiqja ca çapa larg dhe bëhesha sy e veshë vetëm e
vetëm për vargjet.Kurrë nuk e mora vesh në i kishte dhunti apo e bënte
nga efekti i pijes.Po sa rëndësi kishte.Ai mirrte ato që i jepnin
dhe,kur largohej,”kripte” ndonjë bejte dhe lëshonte
“kushtrimin”:-Hajde,dili Velës para!
Sa la atë furrin e dy vëllezërve Peti,mori djathtas rrugicës dhe çau
drejt bulevardit.Bulevardi që ndante kalanë me pjesën e dyqaneve qe e
vetmja pjesë rruge e asfaltuar asi kohe.Pa dalë në bulevard,Vela
qëndroi.Aty,në atë krahë nga shkonte kishin zyrat dy avokatë:avokat
Bishka dhe Dr.Avni Skrapari. Vela as donte të dinte.Si çakërrqejf që
qe,ia nisi:
“Avokat Filip Bishka
Avokat Avni Skrapari
HIdhni Velës ca “mexhidka”  (para)
Se asht i shtrenjtë pazari.

Avokatët qenë mësuar,siç duket me këtë “taksidar” dhe diçka i
jepnin,por Vela  e shfaqte aty për aty,në ish i kënaqur ajo.I
pa”mexhidkat” që i falën avokatët (kurrë nuk bënte sherr,se më vonë
ndiqja për qejf nga pas) dhe ia tha:

“O mor Velë,Velë Spahia   *
S’bëjnë “hair” nga avokati
Shko aty tek libraria
Tek xhymert Sulë Kurani.

Dhe vërtet,pothuaj,ngjitur me  avokat Skraparin qe libraria e Sul
Kuranit.Ky,siç duket, e “ngrohte” mirë Velën se ia këndoi  një këngë
urimi që,për fat të keq,veç më kujtohet,që”xhepi i xhymertit nuk
mbyllet kurrë…” e,pastaj,Vela-që mos guxoje t’i dilje para-sosi tek
“teqja”.Tek kubeja ku pihej raki dhe luhej muzikë.Ai hyri para dhe unë
bëra sikur do blija diçka.Klubi qe karakteristik me tavan në formë
kubeje(sikur varej),pihej me qejf të madh dhe në tingujt e një
violine.Vela!Po ai njihej si parja e kuqe dhe ndërsa violina
pushoi,dikush nga ata në klub, iu afrua Velës me një dopjo raki dhe i
tha:
-E duam një bejte prej teje.
Vela e ktheu eks dhe,sa shtiri sytë andej nga violinisti,e njohu.Dhe ia tha:

-Kur i bie Ustai violinës *(Usta Isufi Myzyri i famshëm)
Asht mbledh goxha mexhlis
Ikën mëndja prej kaptinës
Po ku je, o moj Jalldys?!!

Siç duket,Vela,ia dinte ndonjë merak të Ustait dhe,kur tha emrin e
Jalldysit,brohoritën

Dikush i zgjati një dhjetshe të kuqe e i tha:-Qe,prej meje e të bahet
gjak e shëndet.Ustai rroku violinën dhe i dha zjarr atmosferës,por
Vela nuk rrinte me një vënd.I la ata dhe u nis,andej nga Rrapi i
Bezistanit. Unë,përsëri,pas.Them:kush do jetë ai që do i dali para dhe
çfarë do bëj ky,Vela? Mbrriti me atë thirrjen karakteristike dhe
njerëzit që pinin aty para dyqaneve as që e prishën terezinë.Por Vela
e dinte mirë “shënjestrën”.Duket e vuri re atë që donte dhe ia tha:
“O Bexhet që shet jargana
Sot asht e rëndë”dogana!
Hajde,dil Velës,para!!!!

Ou,- mendova unë,- me këtë Bexhetin e paska sherrin dhe ka për të bërë
namin.Bexheti që”shiste jargana” nxori një pesëdhjetshe nga ato
jeshilet.Duket e donte veçanërisht Velën,por,tek po ia zgjaste,i tha:
-Unë të randë po jap doganën
Po të randë nga ty dua”hakën”.

Dhe Vela i gëzuar për “vërgjinë” që voli,ia tha me zë të lartë:
“Hoxhën e quajnë Ibrahim
Të shoqen e quajnë Fatime
Një shalë e ul,një shalë e ngre…

Gjithë “pjaca” u shkreh së qeshuri dhe pashë që dy -tre burra që u
pëlqeu bejtja ia mbushën duarët  Velës me lekë.
Dhe unë që nuk e mbaja dot të qeshurit,u largova me shpejtësi,sikur të
më ndiqte njeri nga prapa,se nuk më durohej që të vija e t’ua tregoja
shokëve. Janë këto mbresa dhe,sidomos kjo e fundit,që t’ma çojë buzën
vesh më vesh,sa herë e tregoj siç po më ndodh dhe tani.Vetëm më vjen
keq që shumë nga këto kanë”rrjedhur” nëpër vite dhe nuk ua gjej dot
gjurmën.Dhe Vela ai sarhoshi altruist që”mjerë kush i dilte para?!!!”

3 janar    2012

|