Archive for 06/01/2012

“Jashtë Eklipsit” i poetit shqiptar Agim Mato

Art-organika e poezisë së Agim Matos

Nga Dr.Fatmir Terziu

1.Abstrakt

Qëllimi i analizës sime është që të karakterizoj strukturën, semantikën, dhe retorikën e simbolit poetik me të cilin vargu i Agim Matos qëmton filozofinë e tij. Në mënyrë që të realizoj këtë, unë së pari do të propozoj një model analitik jo-poetik dhe pastaj do të përshkruaj vargun dhe semantikën e tij si një grup kompleks i devijimeve nga modeli i mëparshëm poetik i vetë autorit. Modeli i tij i cili në mjaft poezi përbëhet nga norma të ndryshme, ose shfaqet mes dispozitave që e rregullojnë ritmin dhe pritjen e mesazhit dhe fabulës, duke aplikuar në nivele të ndryshme të tekstit: rregullat formale (p.sh., mendimi duhet t’i paraprijë perceptimit), rregullat strukturore (p.sh., linjat, lidhjet ndërvargore etj., duhet të jenë të qarta), po aq dhe rregullat semantike, qartëson më së miri në të tre derivatet strukturore, semantike dhe retorike tërësinë e fabulës. Mes kësaj së pari le të shihet lidhja art-organike e kësaj derive që lidhet me të hershmen ‘poeti flet art’

2. Në vend të hyrjes 

Një material i hershëm studimor i studiuesit Harry Rusche në lidhjen e poezisë me format e tjera të artit na ndriçon lidhjen e enigmës ‘poeti flet art’, të cilën njerëzimi i artit e ka patur në gjirin e tij që nga koha kur poeti romak Horaci dha idetë e tij të përcaktuara në Ars Poetica-n e tij (shek. 13 p.e.s.), kur thënia e tij ‘UT PICTURA poesis’ – (siç është piktura, ashtu është poezia) mori dimensionin e saktë. Dhe që nga ajo kohë të dy këto arte kanë qenë disi të ‘martuara’ në mendjet kritike. Poetët dhe piktorët nganjëherë ktheheshin tek njëri-tjetri për frymëzim, dhe dialogu ka qenë reciprokisht i dobishëm. Piktorë dhe ilustrues shpesh kanë qenë të frymëzuar nga letërsia, sidomos në shekujt XVIII dhe XIX. Kritiku Richard Altick thotë, për shembull, se vetëm në mes të peridhës së viteve 1760 dhe 1900 kanë ekzistuar rreth 2300 piktura të bazuara në veprat e Shekspirit Altick, 1985: 119). Këto piktura janë vetëm një e pesta e 11.500 pikturave që përdori literatura e Shekspirit. Por ne duhet theksuar se jemi duke folur vetëm për pikturat e bëra në Angli, gjatë këtyre viteve. Një aritmetikë absolute tregon ndikimin e ndjeshëm të mëvonshëm mes autorëve e artistëve. Por kjo është një temë e gjerë dhe e gjatë për të diskutuar mbi marrëdhëniet midis artit dhe letërsisë. Për të evituar stërzgjatjen le të analizojmë ndërlidhjen teorike dhe shkencore në vite.

3. Paraqitja 

Në veprën e vet, “Laokonti: Një ese mbi limitet e pikturës dhe poezisë” (Laocoon: An essay upon the limits of painting and poetry) Lesingu (Gotthold Ephraim Lessing) (1887) vinte në dukje nëpërmjet ilustrimeve të papërsëritshme të historisë së artit antik, se ‘në qoftë se piktura do të jetë motër e poezisë, le të mos jetë të paktën një motër xheloze; dhe më e vogla mos ta ndalojë motrën më të madhe të stoliset me petkat që ajo vetë nuk mund t’i veshë’ (Lesingu, 1887: 23). Në një mënyrë tejet më sublime për të konceptuar këtë marrëdhënie reciproke të shtruar në një rrugë analitike nga Jakup Mato që në vitin 1975, na vjen në ndihmë teoria e studiuesit dhe poetit shqiptar, Zyhdi Dervishi mes simbolikave të artit të cilat i shikon në studimin e tij si ‘lente të ndërveprimit simbolik’ (Mato, 1975 & Dervishi, 2008). Jakup Mato duke konsideruar poezinë e Dritëro Agollit në studimin e tij thekson se ‘në artin e fjalës këto analogji, këto përshkrime janë të pranueshme, se fjala nxit mendime, emocione, ndjenja dhe s’ka qëllim të krijojë një konkretësi shqisore të plotë, adekuate si në veprën e arteve figurative’ (Mato, 1975: 110). Një ndalesë duhet parë edhe tek libri “Estetika, jeta, arti’ të Alfred Uçit. Uçi na rikujton përvetësimin artistik të mjedisit njerëzor nëpërmjet kofigurimit, të cilin Dervishi e zhvillon në mënyrë shkencore dhe në një nivel më të përparuar. Ajo që studiuesi Dervishi konsideron në studimin e tij është një fuqi që vjen nga vetë dimensioni filozofik i artit të fjalës.

Ajo që është objekt i këtij studimi është poezia e poetit Agim Mato me lidhjen e saj metafizike. Duke i bërë kësaj poezie të ardhur në kohën e duhur, (dhe e përkujdesur në një itinerar vitesh) si një përshkrim verbal e objektiv i punës së artit, vetë arti i fjalës që poeti Agim Mato na riciton mes vargjeve të tij është forcimi i filozofisë me anë të tablove poetike të sintetizuara, gërshetuar këto me ndërhyrjet e vazhdueshme të nocionit lirik, që bën përgjithësime të rëndësishme. A nuk janë tablo ato pjesë të jetës të cilat poezia e Agim Matos i penelon me artin e fjalës? Ndërsa te poema “Qafa e Botës” është traktati shpirtëror i poetit në vargje, poema që ka jetuar gjatë brenda tij, me shumë rrafshe, shtresa e nënshtresa, si një përfaqësim me atë çfarë është vetë poeti në fakt në të gjitha dimensionet, në poezi të tilla si “Nga kush kishe frikë, o Zot?” veç dimensioneve filozofike kohë, hapësirë dhe vend janë edhe potenciale të tilla të fuqishme perceptuese që ridimensionojnë formën e artit të bukur të fjalës. Poeti na vjen në ndihmë që në hyrjë të poezisë së tij:

“O Zot, si nuk u gjende pranë nesh, në ato dimra të mërive të

 mëdha?

Si nuk u verbove, o Zot, kur pe hetuesit e policët të bastisnin

                   shtëpinë tonë

duke shkelur me këmbë librat e lashta të fisit,

“Lulet e Verës”, “Mrrizin e Zanave”

syzet vështrimmprehta të tim eti,

e të shqepnin laboratorin me oxhakun diellor të fotografive,

                   herbariumin e gjelbër të time motre?”

Lidhja është komplekse por e qartë. Poeti e sheh forcën dhe fuqinë e tij shpirtërore në një lidhje filozofike të tejskajshme. Zoti është filozofia e tij, harresa, mosndërhyrja, pretenca, eksperimenti e mjaft detaje të tjera tejçohen mes elementin të fiksuar në celuloidin e memorjes, ‘fotografive’ ato pjesë morfologjike të artit që krijojnë pashtershmëri gjuhe në këtë rast. 

4. Lidhja ‘art-organike’

Ndërsa poetët e hershëm, ashtu siç Horaci na ka diktuar kanë qenë në një ‘lidhje’ art-organike mes formave piktoreske, poezia e poetit Agim Mato është lidhja art-organike që na vjen sot me një strukturë tejet të plotë e tejet të stilizuar. Një poezi e tillë e ndërtuar me forcën shpirtërore të artit të fjalës për disa dekada, sot ka përparësinë e vet në tregun më cilësor të poezisë, jo thjesht si një material ‘tregu’, por si një ikonë arti që pret vlerën e duhur. Tek poeti nuk është thjesht mënyra e pasqyrimit të realitetit, në marrëdhëniet e tij me këtë realitet, por zdrugimi i imët i vizives, të pashmes që pikturohet në retinën e memorjen e tij. Dhe kjo art-pikturë e sintaksës më të latuar poetike na sjell art-përfytyrimin e zhvilluar mes vetë ndjesisë së poetit, heshtjes dhe ndërgjegjes së tij në sipare të largëta e të afërta vitesh. Vetë vargu i tij është një lidhje art-organike me perceptimin dhe një hapësirë e thekët mendimi filozofik. “Qafa e Botës” e zbulon fuqishëm këtë:

”Nënëmadhja qeveriste shtëpinë si perëndia mbrojtëse e fisit

dhe fytyra e saj i  ngjante një vazoje antike prej balte.

Nga çibuku i saj ngrihej tymi i miteve të lashta.

Si ishte ngjitur ashtu rreptësia

gjer tek gardhi i vetullave që mbulonte puset e syve të saj të

                                                                         frikshëm?”

 “Nënëmadhja, rrëfimtari dhe ‘vazoja antike’ janë lidhjet më të fuqishme art-organike në këtë ridimensionim të formave të arteve mes fuqisë së artit të fjalës. Më tutje poezia e tij e ardhur nga severgjeni katër dekador na sjell këtë art-organikë tek “Afërdita” duke ritheksuar fuqishëm mes perceptimit lidhjen organike të kohës me moshën e rinisë së poetit, ku çdo gjë funksionon si një normë tejet kuptimplote. Retorika në këtë rast është vetë fuqia e shpërthimit e ardhur me ngjyrimin më të fuqishëm poetik, emocional:

“Nga erdhe papritur në atë verë të largët të rinisë sonë

si një hyjni deti?

Ç’ishte kjo drithërimë

që shkaktonte

kalimi yt

dhe vinte në lëvizje elikat e zemrave tona të njoma?

Dy shokë nga ne u zunë se kujt i takonte karfica jote

                                                            e humbur.

Ne ruheshim të mos shkelnim

formën

që linte trupi yt mbi rërë.

Kujt do t’i përkisje?

Zemra e kujt do të shkonte gjer aty

ku ëndrrat

strehojnë pulëbardhat?

Sa të tjerë do të shkelnin të trishtuar mbrëmjeve duke

   dëgjuar

të qeshurën tënde të lumtur?

Deti i së dielës

me trëndafilat e bardhë

të dallgëve.

Ti u hodhe të mblidhje trëndafila dhe harrove të  dilje.

Kaq ditë dhe kaq netë pa ty,

Sikur na vodhën papritur

statujën e Afërditës.

Ç’u bënë gjurmët e hapave të tua

që na tregonin të fshehtat e rrugëve të largëta?

Mërmërima e detit

mos ishte zëri yt që vinte i lodhur nga thellësitë

dhe thoshte: “jam këtu,

                jam këtu,

                jam këtu”…?”

Në tre vargjet e fundit të kësaj shkëputjeje nga origjinale kemi përsëritjen e togfjalëshit “jam këtu”…” me një mbyllje sërrish retorike, duke dhënë kështu tredimensionalitetin e lidhjes art-organike. Vargu me theks fundor “jam këtu” fuqizohet me përsëritjen tre herë të togfjalëshit dhe lexuesi freskon perceptimin e tij mes kësaj përsëritjeje tredimensionale, jo si një formë materiale e tre-dimensionit, por si një retushim qëndrimtar ndaj fateve të ardhura në karakter-botën e poetit. Dhe sërish ne festojmë zellshëm emocionin ngacmues si një mënyrë e faktorit të jashtëm ndikues për të parë interpretimin e botëshpirtit të artistit për këtë subjekt të veçantë të ardhur nga kohështriga dhe për të shijuar atë hapësirë, kohë dhe vend me poezinë e tij si një pamje të brendshme të ndjenjave që nxitën këtë forcë qëndrimtare nga vetë kjo pjesë e lidhjes art-organike të artistit-poet. 

5. Shumëdimensioni poetik 

Ndryshime të fuqishme shihen në stilin e tij të poezisë që plotëson ndjeshëm aspektet dy dhe tre dimensionale intriguese. Agim Mato prezantimin e poezisë së tij ka marrë përsipër që ta ridimensionojë në një rrugë të hapur, përtej kornizës tradicionale, duke filluar të ngrejë vargun në lidhje organike të ndryshme, të tilla lidhje që perceptohen si stërkala të ndritshme arti, të angazhuara parësisht me lëndën abstrakte dhe tradicionale. “Mbush një grusht me guaska deti” ndoshta është njëra prej dhjetra e dhjetra poezive që e përcaktojnë qartë këtë rrugë të hapur poetike, duke vënë theksin tonik në një alteracion artistik me theksin fundor për të forcuar mesazhin filozofik të fabulës dhe syzhet, me një arsye të qartë art-organike. Duke lexuar vargjet e “Mbush një grusht me guaska deti” filozofia ndërlidhjes organike na percepton fate të ndryshme qëniesh, mes të cilave hyjnë edhe fatet e njeriut. Këto fate që theksohen nga fuqia artistike e dy llojeve të theksave që përdor poeti na japin një vizion të qartë për pamjen reale dhe mesazhin:

“Mbush një grusht me guaska deti.

Ç’u bënë jetëzat brenda tyre?

Ndiej vetëm tringëllimën boshe tek i trazoj në duar.

Korale të ftohta,

pa vlerë,

që vala i flak orë e çast në breg.

Si Hamleti rri e kundroj

këto kafkëza të vogla,

llogore të braktisura të luftës për ekzistencë.

Dhe sado të lëmuara,

sado fine,

pa atë shkëmbim lëndësh që i lidhte me botën përreth

më ngjajnë tani me skulpturat absurde

që vala e kohës i flak në harresë.”

Poeti Agim Mato me poezinë e tij “Ati ynë që zbret në tokë” ndërton anë të dyfishta strukturore dhe semantike që fuqizohen mes dy teorive të filozofisë dhe laicizmit. E para është vetë tehu me të cilin poeti Mato spatializon (hapësiron: këtu krijon hapësirë semantike) funksionin emergjent të fjalës në funksion të një perceptimi me të cilin njeriu dhe qenia e tij sedërton tërë jetësinë dhe përjetësinë në shërbim të vetë praktikës jetike. E dyta është një sprovë disi guximtare që lidhet me atë citim të vetë Lukianit, që mbeti disi si një argument në shekuj. Mes të parës dhe të dytës është ndërlidhja semantike e konceptit. Koncepti si një funksion perceptues mes filozofisë së vargut priret në heshtje të krijojë logjikën e tërë lidhjes ‘joklerikale’, ‘jashtë kontrollit institucional dhe politiko-social të argumentit në shoqërinë njerëzore’ por me një pjesëmarrje të ndjeshme në funksionin jetik me të cilin arti i fjalës qëmton deri në labirinth.

Jo më kot Agim Mato përzgjedh Lukianin që stigmon se “mëkatar nuk është ai që hedh poshtë perënditë e turmës, por ai që bashkohet  me mendimin e turmës   për perënditë” (Lukiani, cituar nga Mato). Nga ana tjetër poeti shqiptar pikëtakon filozofinë e Senekës. Seneka shprehet: “Feja është konsideruar nga njerëzit e thjeshtë si e vërtetë, edhe pse e dinë atë si të rreme, por nga sundimtarët të gjetur si të dobishme (Seneka, cituar tek Anthony James Boyle, 1997:56). Dhe më tej në vargun e filozofinë e poetit Mato gjejmë atë që Volteri e shpreh ‘Ateizmi është një ves i disa njerëzve të zgjuar’ (Volteri, cituar tek Alister McGrath, 2008: 38).

6.  Përditësia dhe aspekti metafizik

Është vetë përditësia që në vargun e Matos shtron qetazi aspektin e saj metafizik, ku ‘cdo mbrëmje’ e ndërlidhur është jo thjesht ana e errët e saj, por metafora me të cilën ‘errësira’ e vetë tematikës me të cilën dikton arti i fjalës së Matos. Dhe poeti na shtron metafizikën e tij:

“Çdo mbrëmje shkryqëzohem nga Golgotaja

dhe endem pranë bazave ushtarake,

pranë bareve të ndriçuara,

pranë çifteve moderne

dhe të dehurve.

Endem në mijëra Jeruzaleme

duke trokitur në portat e farisenjve,

në portat e monopoleve

dhe të bankave.

Mirëmbrëmani, u them.Dymijë vjet u mundova të

 zbusja për ju

shpirtin e trazuar të popujve.

Dymijë vjet që i shtegëtova kopetë e tyre nëpër rërën

        përvëluese       shekujve  

                                                              drejt tokës së premtuar,

duke i mbajtur orë e çast

me erën e thimjamit të shpresës.”

Në këtë gjendje të ‘errët’ përthithja e ‘thimjanit të shpresës’ është vetë dukuria ateike me të cilën autori gjen forcë të shtjellojë më tej funksionin emergjent të fjalës në funksion të një perceptimi më të detajuar:

“Isha bariu i tyre.

I kullosja

nëpër lëndinat biblike të harrimit

dhe në hajate kishash e manastiresh i mërzeja.

Në muzgjet romane e bizantine të kishave

u fola kaq herë për amëshimin në qiej

ku do të ngjiteshin shpirtrat e tyre

të transportuar nga engjujt.” 

7.  Struktura dhe semantika 

Struktura dhe semantika e poezisë së Matos është përshkruar në këtë mënyrë si një grup i qartë art-organik i vargut metafizik. Ky grup art-organik është një mëvetësi sublime e botës së brendshme të poetit që vjen si një strukturë semantike me një risi të re, pra me një figurë retorike në mjaft raste, në të cilën lexojmë drejtimin e papajtueshëm apo kontradiktor si një argument i kombinuar, që na jepet si në një sfond me heshtje shurdhuese por me një optimizëm pikëllues. Kjo është një nga figurat letrare me në zë me të cilën poezia postmoderne funksionon, kjo është oksimaroni poetik. “Oksimaroni poetik” gjendet qartë në vargjet e poezisë Ati ynë që zbret në tokë”:

 

Mirëmbrëma, farisenj. E di se tani ju vjen ndot nga

                             firoma ime prej avujsh mbytës

të shpirtërave që vuajnë,

nga eshtrat e mia të mbuluara nga miliarda puthje,

si një masë xhelatinoze,

si një rrobe e neveritëshme e mjerimit

që s’kam si ta xhvesh.

Herë, herë, atje lart, i kryqëzuar,

më duket vetja

si ata shirita të lyer me ngjitës e të varur nëpër lokalet

                                                                                   tuaja

ku venë e ngecin mizat gjatë verës.

Ende ngecin tek unë turma të gënjyerish.

A  ju kujtohet koha kur turmat e urritura të skllevlërve

                                                                             endeshin

                                  në teatrin e pafund të Mesdheut

duke shirë si në një lëm të stërmadh

natë e ditë mitet,

duke plaçkitur tempujt

dhe rendnin duke ngritur pluhurin e hapave të tyre

drejt sheshmejdaneve të luftrave të para klasore?”

Ose më qartë oksimaronin poetik e japin vargjet e së njëjtës poezi më poshtë: “Po ku ta dinin ata se edhe frika,/edhe padija,/ishin prona juaj, farisenj,/dhe unë, perëndia e re/që nisa t’u shërbej?” Duhet theksuar se shembuj të oksimaronit në poezi mund të gjenden tek poetët më të famshëm, duke përfshirë Milton, Donne dhe Tennyson. Përshkrimi i John Milton tek  Perëndia në Parajsën e Humbur është një një fakt i kuptueshëm mes pasqyrimit të errët dhe asaj me të ndritshme të tepruar. Po aq edhe ‘besimi i pabesë’ tek Idilet e Mbretit  të Tennyson na jep një shembull të qartë të tematikës me të cilën vjen fabula dhe syzhet i Agim Matos. Më tej është John Donne që thekson: “bollëk o të mjerë, e pasuri e poshtër” tek ‘Devocionet në raste emergjente” e mjaft të tjerë.  

8. Në vend të mbylljes 

Në përfundim ne padyshim duhet të prekim thelbin e preambulës kur poeti “flet art”. Me një influencë të madhe në historinë poetike, po aq edhe në kritikën e artit, diametralisht e dukshme në literaturën dramatike, ‘Poetika’ e Aristotelit, një libër i përkushtuar kryesisht për diskutimin e tragjedisë dhe epikës poetike, ka një lidhje edhe në strukturën dhe simbiozën e vargut të Matos. Vetë poeti Mato shprehet “Më ngazëlleu ajo që thua me të drejtë për simbiozën midis pikturës e poezisë. Unë kam dashur të bëhem piktor, kam konkuruar, kam fituar, por dyert e shkollës së artit m’i mbyllën. Që të vazhdoja të isha piktor më duheshin mjete shtesë, që s’i kisha, dhe poezisë iu futa që të plotësoja atë zbrazti. Gjithmonë e kam menduar veten si një piktor që vizatoj me vargje.” Po të shihet në fakt poezia “Piktori”, natyrisht kuptohet jo vetëm epika poetike, por edhe ‘tragjedia’ me të cilën vetë art-fjala poetike e Matos, laton dhe skalit art-pikturën dhe plastikën e saj skulpturore. Ja dhe poezia “Piktori” dhe dëshmia e saj që në hyrje:

“Eja, më tha shoku im piktor,

ç‘pret,

nuk i dëgjon zërat e fëmijëve të mbledhur rrotull

                        pranverës së sapoardhur?

Nuk e ndjen në zemrën tënde

oshëtimën e saj të heshtur,

bubullimat e saj të kaltërta,

ç’pret?…” (Mato, poezia “Piktori”).

Ndalesa tek poezia “Në Butrint” nuk është thjesht një arsye në renditje, por një parantesë logjike e spatulës poetike që art-skalitja e Matos e bën të thekun për të kuptuar, ‘damarët’ që lidhin fatet e mbijetesës historike, ato fate ‘mbi gërmadha qytetërimesh’ që pena dhe spatula e poetit ‘piktor’ të art-skalitjes i gjen ‘të mbuluara me pyjet e dafinave/si me lavdinë e vet’.

Dhe këtë na e shuguron rikthimi tek poezia “Piktori”:

 

Ngriti kavaletin,

hapi akuarelet dhe nga peneli rrëshqiti drita e diellit;

ranë mbi letër drurët,

shkëmbinjtë e detit, anijet

dhe më tej qyteti i bardhë me të gjitha dritaret e tij.

Një lëvizje, dy

dhe ja,

pulëbardha rrahu krahët.

Fshap, fshap. Dhe pranvera çapitej…”

Por ndërsa Pranvera çapitej, stinëarti premtues i Matos lulëzonte strukur mes katër stinëve të vitit, aty në një kënd ku vendi dihaste tinguj të vrullshëm, por të sigurtë për këtë ditë. Për këtë ditë kur kiaroskurot janë në ikje dhe vendin ia zënë shenjat e bukura të artit të vërtetë të fjalës. Dhe këtë përlotja e Agim Matos është dëshmia më e mirë mes vargut që flet e flet me vite të tëra përdore.                                                               

Referenca:

Altick, R. D. (1985) Pikturat nga librat: Arti dhe literatura në Britani, 1760-1900 (Paintings from Books: Art and Literature in Britain, 1760-1900). Columbus: Ohio State University Press.

Boyle, A. J. (1997) Tragic Seneca: an essay in the theatrical tradition. Londër: Routledge.

Dervishi, Z. (2008) Lente të ndërveprimit simbolik. Tiranë: Emal

Gotthold Ephraim Lessing, G. E. (1887) “Laokonti: Një ese mbi limitet e pikturës dhe poezisë” (Laocoon: An essay upon the limits of painting and poetry). Londër: Roberts Brothers.

Mato, J. (1975) Marrëdhëniet reciproke midis llojeve të artit. Tiranë: Nëntori.

McGrath, A. (2008) The Tëilight Of Atheism: The Rise and Fall of Disbelief in the Modern Ëorld. Londër: Random House.

Uçi, A. (1972) Estetika, jeta, arti. Tiranë: 8 Nëntori.

 

Seriozitet me buzëqeshje


-Copëza nga ylberi i jetës-

Fiqri Shahinllari

Zoti Refat Hyseni nga Kamenica tok me bashkeshorten e tij Hanijen nga Vinçani, emigrante te hershem ne Australi me moren ne telefon para disa ditesh dhe me pyesnin se ku mund ta gjenin te afermit e tij ne Shqiperi qe do te shkonin si turiste ne Australi, librin tim te ri : ” “Seriozitet me buzeqeshje”. Ata, nepermjet zotit Petrit Kello nga Bilishti, edhe ky emigrant ne Australi qe perdor vazhdimisht internetin, ishin vene ne dijeni per librin tim te ri. Donin ta kishin ne biblioteken e tyre krahas dy librave te mij te meparshem. Duke u njohur nepermjet kompjuterit ata kishin lexuar javet e fundi dy-tre shkrime te mijat qe percillnin humor, me pyeten: ” Mos valle keto shkrime jane shkeputur nga libri jot i ri? ” Une e pohova nje te vertete te tille. Keshtu qe krahas zoterinjve Ziko Kapurani, Perparim Hysi, Haxhi Dikolli, Gazmor Elezi, Adriatik Shahinllari, Agim Fortuzi, Illo Foto, Hekuran Iljazi qe me kane percjelle pershtypjet e tyre per keto shkrime ne internet, ja ku vjen edhe interesimi nga lexues shqiptare te Austarlise. Koinçidoi kerkesa kur une nuk kisha shume dite nga koha kur sapo kisha lexuar nje studim per humorin dhe autoret e shkrimtaret e humorit shqiptar. Ky studim eshte kryer nga zoti Fatmir Terziu, babai i ” Fjales se Lire” ne Londer dhe jo vetem kaq. Fatmiri eshte studiues e kritik i letersise,publicistikes, krijimeve televizive dhe fotografise, ne mos gaboj. Ai permend autoret shqiptare te humorit duke filluar nga Qamil Buxheli, Dritero Agolli, Gaqo Veshi, Tasim Alia, Pellumb Kulla, Haxhi Rama e shume krijues shkodrane. e te tjere. Une, me thene te drejten, ne parathenien e librit ne fjale nuk i kam permendur keta krijues te mrekullueshem shqiptare, jam mjaftuar me ato qe me ngacmonin miqte e mij. Po me mire, ne paçi kohe e predispozicion lexojeni vete parathenien e librit: “Seriozitet me buzeqeshje” Ja tek e kini:

Parathënie

Kur u shpreha dëshirën disa miqve të mij për të botuar një libër me rrëfenja me subjekt copëza jete jo vetëm bardh e zi por me të gjitha ngjyrat e ylberit dhe se, disa prej tyre, do të ishin me kontraste e befasi të këndëshme që nisin me seriozitet e përfundojnë me buzëqeshje , njëri prej tyre, më hokatari, i cili fjalët i kripos me humor, duke iu kthyer të tjerëve tha:

-Mos ndoshta do të lexojmë shkrime si ato të O’Henrit me përfundime të befta , të papritura?

- Jo moreee, pse s’thua se rrëfenjat do t’u ngjajnë tregimeve të Mark Tuenit apo Aziz Nesinit?-u përgjigj tjetri po me shaka.

-As nuk më shkon mëndja që t’u afrohem sado pak atyre shkrimtarëve të talentuar, personaliteteve të kulturës e artit të kalibrit botëror, madje është budallallëk ta mendosh një gjë të

tillë pasi veprat e tyre janë në fondin e artë të bibliotekave të botës-u përgjigja me seriozitet miqve të mij.

-Atëhere do të kënaqemi me humorin alla Fernandel, apo jo-u hodh i treti. U kujtohen sekuencat e filmit me Fernandelin që bënte njerzit të qeshnin pa asnjë shkak? Kishte vdekur një njeri shumë i rëndësishëm i qytetit. Në ceremoninë mortore të varrimit vargu i proçesionit ishte i gjatë. Midis njerëzve ndodhej edhe personi me fytyrë tepër speciale rolin e të cilit e luante Fernandeli . Kushdo që i hidhte sytë te ai vinte buzën në gaz, fare pa shkak. Mundoheshin të mos binin në sy por bosh. Në momentin kur mbi varrin e fatkeqit, që iku nga kjo botë, po hidheshin lopatat e fundit të dheut, vejushës së tij, me fytyrë tepër të pikëlluar nga gjëma që e kishte gjetur, se si i shkuan sytë te personi me fytyrë speciale dhe…hapu dhe’ të futet, rrufeshëm iu ravijëzua shkarja e buzëqeshjes, pastaj buza i vajti vesh më vesh. Gati ishte të shpërthente në gaz të papërmbajtëshëm. E mblodhi veten por ishte e kotë. Buzëqeshja i ishte shndrruar në qeshje histerike. Bëri sikur i ra të fikët dhe miqtë e të afërmit e saj e muar dhe e çuan në makinë. Të tjerët mbanin brinjët me dorë.

-Nuk ke pse shkon deri në Francë-mori përsëri fjalën i pari që përmëndi O’Henrin-shëmbuj ke këtu në Tiranë. Të kujtohet shoku ynë i klasës në shkollën e mesme të Korçës? Ë mo ai, si e kishte emrin, nga fshatrat e Gorës ishte, që e kishte buzën e shkurtër dhe dukej sikur qeshte gjith kohën? Kur e takoi atë, pas kaq e kaq vjetësh, në bulevardin e Tiranës, një shoku im drenovar që shëtiste me të shoqen, nuk mund t’i fliste asnjë fjalë. Sa e pa tjetrin përballë iu afrua, i zgjati dorën po në çast nga bullçijtë i shpërtheu një e qeshur që, lere mos e ngaj. U mbeti dora shtërnguar me njëri -tjetrin dhe asnjë fjalë nuk mundi të thoshte, bile, as shprehjen: “Si je o miku im?” nuk e artikuloi dot. E mbyti e qeshura. Tjetri, buzëshkurti, mbeti i habitur. Ai po shikonte gruan e drenovarit sikur deshte ta pyeste: “Ç’pati yt shoq?” U mjaftuan vetëm me shtërngim dore dhe kaq. U larguan secili në punë të vet. Gruaja e drenovarit ishte skuqur, i vinte rëndë nga sjellja e pavullnetëshme e të shoqit. I tha: “Ç’pate ti?”. I shoqi nuk i ktheu përgjigje, ai vazhdonte të qeshte.

- Nuk janë të këtij karakteri, kaq pikante rrëfenjat e mija-sigurova bashkëbiseduesit. Nuk kanë të bëjnë as me histori budallenjsh si ai që tregojnë për një leshko, idiot të lumtur të fshatit të cilit kur i thanë që të tregonte kujdes kur të shkelte në vëndin ku ishin vendosur vezët, ai zbatoi “këshillën” duke shkelur me kujdes mbi to! Por unë kur i dëgjova për herë të parë, disa prej rrëfenjave të këtij libri, nga miq e shokë të mij, u shkriva gazit. M’u dukën se kishin sharm, se ishin mjaft tërheqëse e tingëlluese dhe ia vlente barra qeranë t’i hidhja në letër. E dini pse? Sepse ato nuk janë të sajuara, janë të vërteta. Miqtë e mi të dikurshëm Bedri Jaupi e vëllai i tij Muharremi, ish gazetari i talentuar Milto Ferro, që të tre janë bërë për rahmet se nuk jetojnë më, janë majaja që më ka ndihmuar mua për të gatuar “bukën” e këtyre rrëfenjave në furrën e krijimtarisë letrare. Por ata nuk janë të vetmit. Miku im Engjëll Dervishi e shokët e mi të vjetër Guri Pici, Robert Guci, Guri Daçolli e ndonjë mik tjetër, me tregimet e tyre, i kanë shtuar kripën e lezetit disave prej këtyre rrëfenjave. Edhe këta nuk janë të vetmit. Mjaft njerëzve që kam takuar në udhëtime, nëpër zyra, hotele e lokale u jam borxhli për ngjarjet që më kanë treguar, por atyre u kërkoj ndjesë që nuk u përmënd emrat pasi nuk i mbaj mënd dhe, si të tillë, ata le të mbesin anonimë.Dëshira për të shkruar kishte kohë që ishte bymyer brënda meje dhe përhapej në tërë qënien time, sikur të ishte sëmundje ngjitëse. Ajo ze fill që kur u nisa për herë të parë në Amerikë, tek djali e vajza ime. Mbështetur kokën mbi qelqin e dritares së vogël të avionit gjigand, mendoja se këtej e tutje do të jetoja atë pjesë të jetës që më ka mbetur në këtë anë të botës, matanë Atllantikut. Edhe pse pranë fëmijëve në Uashington DC u krijua ambienti i ngrohtë familjar,përsëri vetja më dukej se më kishte futur në grackë. Pesha ime e gravitetit po barazohej me xero. Askush nuk më njihte, kërkënd nuk njihja, vetja më dukej grimcë rëre në këtë botë mbi të cilën shkel kushdo! Nuk vleja asnjë lopkë. Sot habitem se si jeta në Amerikën e largët më qaste pashmangërisht me Atdheun. E ndjeja se më mungonte Shqipëria, Tirana, rrugët e shtëpia ime në Tiranën e Re, të afërmit e mi në kryeqytet, në Korçë, Pogradec, Selanik e Athinë ku kanë shkuar si emigrantë tri motrat e mija, miqtë e shokët, shkurt më mungonte një pjesë e mirë e zemrës sime. Isha mbushur plot me emocion që desha ta zbrazja. Ku ta kenë vallë selinë ndjesitë dhe emocionet? Në zemër? Në stomak? Ka patur plotësisht të drejtë Faik Konica që përafërsisht ka shkruar se duhet te jesh jashtë Atdheut, larg tij që të kuptosh se ç’ bukuri të ëmbël ka për veshët emri e fjala Shqipëri! Ismail Kadare ka një vjershë ku shkruan se ai që ka zbuluar shpejtësinë reaktive me siguri ka qënë për një kohë të gjatë larg, shumë larg Atdheut të tij. Mallin për Atdheun e ndjeja si intrigë e befasi rrënqethëse. Ai më vinte si era dhe largohej si furtuna. Desha të kthehesha, pa derman, të paktën për disa muaj në vëndlindje, në Shqipëri sa më parë. Por mërzitjes ia gjeta ilaçin shërues. Një ditë vjeshte, duke qëndruar në stolat e lulishtes, si gjithnjë, pranë lumit Potomak në Uashington DC, ku ketrat miqësorë janë gati të ta rrëmbejnë nga dora copën e djathit me gjith bukë, nëse ke, vendosa të shkruaja tregime e kujtimet nga jeta ime. Eksperienca nuk më mungonte. Qysh në vitet 70’-të të shekullit të kaluar kam shkruar disa tregime. Ato i kam shkruar me makinën “Oliveti”dhe i ruaj akoma. Kam frikë t’i shoh sot pasi e ndjej se ato janë shkruar “me zë të ulët, me ndrojtje”. Po të kenë sy ato fletë të zverdhura nga koha me siguri do te venë re se si skuqet fytyra e autorit të tyre kur ai i lexon pas 40 e ca vjetësh!.Krejt ndryshe qëndron puna sot kur i kam kapërxyer të 65 vitet e jetës. Pasi shkruajta librin e vogël, me tirazh shumë të kufizuar-vetëm për të afërmit e fisin tim- me titull “Jeta ime, disa kujtime”, radha i erdhi librit “Lis në shkëmb” botuar në vitin 2008. Po pastaj? -pyeta veten. Pastaj? Ka tema e subjekte të tjera sa të duash-iu përgjigja po vetes sime. Pjesën më të madhe të subjekteve e tematikave, përmbledhur në këtë vëllim me rrëfenja që kini në dorë të nderuar lexues, i kam shkruar në Amerikë gjatë vitit 2009, e tremujorin e parë të vitit 2010, kusurin në Tiranë, më 2011. Subjektet e rrëfenjave vërdalliseshin e ngatërroheshin në skutat e trurit tim. Secili “luftonte” të dilte i pari për t’u hedhur në letër. Dhe ti, si autor, nuk ke asnjë lloj pushteti për të bërë zap “krekosjen” e subjektit që nuk do të mbajë radhë.. Parë në këtë aspekt nuk mbaj mend se cilën rrëfenjë e kam shkruar të parën dhe cilën të dhjetën, të njëzetën, fjala vjen. Kur them e kam shkruar kam parasysh hedhjen e tyre në letër sepse në fakt ato janë “shkruar” në mëndjen time kush e di sa kohë më parë. Më mbeti merak që nuk arrita të hidhja në letër një ngjarje që ma tregoi një miku im i vjetër. Ai ka qënë drejtor në një nga dikasteret kryesore të Shqipërisë në kohën e diktaturës. Në tranzicionin e zgjatur të kohës së demokracisë, puna ia deshte të shkonte për tregëti nëpër vendet e ndryshme të Europës. Një natë e pa veten të rrethuar nga disa huliganë në Sofje të Bullgarisë ku ai kishte kryer studimet e larta. E pa veten ngushtë. Sakaq u kujtua se në Bullgari huliganët rusë bënin kërdinë. I thirri nevojës. Bërtiti me te madhe: “Vollodjaaaa!” Sa dëgjuan këtë emër huliganët u larguan sa hap e mbyll sytë. Miku im as e kishte haberin se kush ishte ky, Vollodja, dhe nëse huliganët ishin rusë apo bullagrë, po mirë thonë : nevoja është nëna e shpikjes. Pas dy tri javësh ai ishte ndodhur në një situatë tjetër. Ishte mezi i natës. Biznesmeni intelektual shqiptar po kthehej në hotel. Kishte qënë për darkë te miku i tij bullgar. Paratë i ruante midis kofshëve, poshtë barkut. Pikasi që larg disa rrugaçë të dehur që u drejtuan nga biznesmeni e jepnin shënja se ishin grabitës. Menjëherë u shmang nga rruga dhe filloi të kërkojë në një kazan plehrash në anë të rrugës. Bënte sikur kërkonte copa kartonash,medemek, për t’i shtruar në tokë e mbi to të flinte gjatë natës! Historia është e gjatë por unë nuk munda ta shkruaja dhe ta renditja në këtë vëllim. Kësmet më vonë, me të parë, me të bërë.Padurimi për ta botuar këtë vëllim me më shumë rrëfenja e me pak shkrime publiçistike të letrarizuara më kishte kapur si ethet e gushtit. Mirëpo pishtari i dëshirës sime për ta botuar këtë vëllim në vitin 2010 nuk funksionoi pasi, me kërkesën e një mikut tim, shkruajta librin “Kushtrim i i gjakut”Nuk e di se si do ta vlerësoni këtë libër, të nderuar lexues. Unë i mbështolla këto rrëfenja me pelenat e synimit për t’iu pëlqyer, për t’iu kënaqur sepse disa prej tyre-jo të gjitha - nisin me seriozitet dhe përfundojnë me buzëqeshje. Në këtë vëllim modest do të gjeni edhe seriozitet, edhe shaka, edhe pak sarkazëm por më tepër humor. Por unë e di, siç e dini edhe ju se, rrëfenjat ose historitë nuk janë jeta vetë, ato janë hiri i jetës, i ngjarjes që ka ndodhur më parë. Emocionet që të shkaton ngjarja e vërtetë në momentin kur ndodh janë të pakrahasueshme me emocionet që ndjen kur lexon historinë e tyre të shkruar më vonë. Ato mund të ngjasin siç ngjet piriti i hekurit me arin e vërtetë.Jeta, i ka të gjitha ngjyrat e ylbertit, nuk është vetëm bardh e zi. Për këtë arsye mendova në fillim ta quaja librin “Seriozitet komik”. Hoqa dorë. “Seriozitet duke qeshur” mos është më i goditur? Jo-thashë. “Shaka me gjëra serioze”si tingëllon? Edhe ky titull nuk më pëlqeu. Dhe mbeti ai që është në kopertinë. Qëllimi im është që, në këtë botë jallane e të trazuar, lexuesi të gjejë atë ç’ka i intereson neriut i cili ka nevojë edhe të qeshë, edhe të këndojë, edhe të mësojë nga eksperienca e të tjerëve. Romakët e lashtë kishin konstatuar se e qeshura ka vlerë terapeutike, se melankolia kurohet vetëm me të qeshura. A thua se, me këtë libër, t’ia kem arrtiur synimit lexues i nderuar?

 

 

APOLOGJI E LETERSISË SË BURGUT


Mendime dhe ide rreth librit “Muzat e- qëndresës” me autorë Bujar Leskaj

 

 

GËZIM LLOJDIA*

1.”Muzat e qëndresës” si plotësim i boshllëkut për letërsinë e burgut

 

“Muzat e qëndresës” është pjesë historie  e letërsisë  shqiptare në shekullin e XX. Ndryshe autori Bujar Leskaj e quan apologji eletërsisë së burgut në botimin  e tij të fundit ku janë përfshirë rreth 25 autorë shqiptarë. Muzat në vetvete është burimi i kthjelluar, që vërshon  nga subkoshienca e një  krijuesi(poeti është frymëzimi i tij shpirtëror në orët e pritjes ëndërrore). Nëse poezia është gjini letrare, ku porosia e poetit zakonisht shprehet me vargje, muza është pjesa  e brendshme  që gatuhet në shpirt që, dimensionohet duke u derdhur me një kosto jo të vogël qindra vargje, mijëra fjalë, që janë produkt i këtij deti shpirti të pafund njëkohësisht të paanë. Muza në vetvete plluskon në shpirtin e një poeti është si valë deti. Ngritjet dhe uljet e saj. Janë dallgë të atij deti,që godisnin brigjet dëshmitare. Pasqyrimi i saj na lejon të qartësojmë, thellësinë nën syprinën e ujit. Brenda këtyre kontureve, d.m.th brenda vargut lëviz fjala e ëmbël. Në të vërtetë gjithë ky zgjatim fjalësh për muzën ka një kuptim. Vërtetë ajo ka një prejardhje të largët, që do të na bëjnë të kujtojmë shekujt, që janë thinjur nga kujtesa jonë, por arsyetimi është se autori i këtij botimi duke  qenë tepër i vëmendshëm ka gjetur si titull për këtë libër analizë për veprat e botuara për një lloj letërsie, që është lënë përtej vëmendjes së mediumeve të sotme.

 E gjithë ajo krijimtarie, e shkruar në një hark kohor rreth 20 vjet ende nuk po e mbush atë boshllëk, të krijuar. Është një hark kohor prej gjysmë shekulli ,periudhë sterrë e zezë e dyshimtë, me mijëra ngjarje të trishta me varfëri, vrasje ,përndjekje ,viktima e të viktimizuar. Por dy  arsye mund të gjenden  për të justifikuar këtë gjendje: E para:kjo letërsi është shkruar dhe po shkruhet me aq pasion por dhe  vullnet e dashuri nga ata që kanë përjetuar në kurriz dhimbjen e madhe njerëzore  gjysmë shekulli nëpër burgje, internimet, kampe pune dhe plumba dhe zjarr e hekur e kërbaç. Mirëpo edhe kjo letërsi  e shkruar( simbas mendimit tim)  nga këta  autorë, një pjesë kanë pasur  ngritje  në epet e sipërme të shpirtit, madje mundet të jetë afruar edhe pikës së rëndesës pjesa tjetër nuk e ka sjell në atë  stad që quhet pikërisht letërsi.

 E dyta: Heshtja karshi kësaj letërsie ,problem që  ngre edhe autori i kësaj vepre analizë  në shumë prej vrejtje të tij mediumet shqiptare  ose sëra  që përcjell në etër  lajmin prej vitesh ka të sigluar një strategji fare  të hollë, pamjet ,personazhet,autorët ajo i përzgjedh  vetëm  nga hangari i atyre autorëve që bënë realizmin socialist. Qëllimi i kësaj të fundit lexohej mbajtja nën errësirë, dhe rrojtja me historitë e atyre që ideuan ,krijuan dhe realizuan soc-realizmin shqiptar. Kështu e ky botim  vjen në kohën duhur pë të ploëtësuar këtë boashëllk është edhe një gur në themelin e asaj letërsie tjetër,e cilësuar si letërsi burgu dhe  që meriton vëmendje nga lexuesi dhe kritika shqiptare.

2. Disa të dhëna nga ”Muzat e qëndresës

Ky është vëllimi i parë i veprës së Bujar Leskajt, që ka dalë në dritën e botimit për “Muzat e Qëndresës”. Disa të dhëna:

-Janë përfshirë rreth 25 autorë.

-Në të përfshihen analiza e veprave të Vilson Blloshmit, Astrit Delvinës, Pjetër Arbnorit, Bedri Çokut, Visar Zhitit, Koço Kostës, Petraq Kolevicës, Amik Kasoruho, Henrik S.G (Gjoka), Makensen Bungo, Halil Laze, Gëzim Hajdari, Musine Kokalari, Havzi Nela, Ejëll Çoba, Uran Kalakula, Fatos Lubonja, Drita Çomo, Leka Toto, Beqir Ajazi, Lekë Tasi, Luan Myftiu, Bardha Mulleti, Ahmet Bushati, Gëzim Çela.

-Veprat e analizuara janë në të gjitha gjinitë e e letërsisë si poezia,tregim apo romani dhe publicistika.

-Autori e ka ndarë librin në disa pjesë ,pjesa  e parë .Shënime mbi veprat letrare .Përfshihen autoret Vilson Blloshmit, Astrit Delvinës, Pjetër Arbnorit, Bedri Çokut, Visar Zhitit, Koço Kostës, Petraq Kolevicës, Amik Kasoruho, Henrik S.G (Gjoka), Makensen Bungo, Halil Laze, Gëzim Hajdari,

-Pjesa e dytë :ditarë dhe kujtime historike:Përfshihen autorët Musine Kokalari, Havzi Nela, Ejëll Çoba, Uran Kalakula, Fatos Lubonja, Drita Çomo, Leka Toto, Beqir Ajazi, Lekë Tasi, Luan Myftiu, Bardha Mulleti, Ahmet Bushati, Gëzim Çela.

 - Vështrimi analitik sipas vet autorit , në këtë studim është shtrirë në tri rrafshe:

1)të fabulës (përfaqësuar nga përzgjedhja e tematikave dhe autorëve);

2)të subjektit (përfaqësuar nga përzgjedhja e fragmenteve) dhe

3)në rrafshe krahasuese (ku vihet re se të njëjtat ngjarje historike nuk kanë devijime të së vërtetës nga njëri autor te tjetri).

3. Fitimtarët për ta gëzuar popullin e tyre  i ndërtuan një burg

Burgu. Një fabul. Fitimtarët për ta gëzuar popullin e tyre  i ndërtuan një burg. Shkuan në inaugurimin e tij .Këngë, hare ehe gëzim. Mirëpo kur hynë ata  gjeten burgun bosh të çuditur thanë:Ku është parë burg pa të burgosur brenda?Kronike reale?Ja disa shifra nga vitet  e pas çlirimit që sjell gazeta Flamuri e cila botohej në Romë:Kampet e përqendrimit:20 mijë vetë gjendeshin në burgje dhe fusha përqendrimi. Fushat më të mëdha të përqendrimit. Krujë,Burrel,Kavajë,Maliqi.1-Kampi i Burrelit me 3600 vetë,;

2-kampi Bedenti tek shkëmbi i Kavajës me 17800 të internuar.

3-Kampi i Vlocishtit të Korçës  me sinonimin “Kampi i vdekjes “me 1200 të burgosur.

4-Kampi i Maliqit me  2300 të internuar

5-Kampi i Tepelenës me 1050 të internuar.

6-Kampi i Pojanit me 800 vetë.

Vrasjet e kundërshtarëve:U  zunë ose me pabesi ose gjatë luftimeve u vunë përpara torturave të tmerrshme. Disa nga torturat që përmend kjo gazeta janë:u rropën,u nxorën sytë,u thyen eshtrat,u hoqi organet seksuale. Fakti përmendet se në spitalin e Vlorës u grumbulluan shumë njerëz të këtyre atrociteve ,njerëz me veshë të prere,me gjuhë të prerë,me hundë të prere,me sy të hequr. Çfarë kohe edhe e kujt inkuizicioni i përket?

Parulla që ka përfshirë këto ekzekutime ka qenë:”Vdekje fashistëve,litar ballistëve,plumb reaksionarëve,tradhtarëve dhe armiqve të popullit”.Cila fushëpamja e vendit në vitet  e para të çlirimit?.Vendi ishte i mbushur me kampe dhe fusha përqendrimi. Burgjet që ndërtoi fashizmi nuk u mjaftuan. Shumë shtëpi private u kthyen në burgje. Burgjet e kësaj kohe paraqisnin një pamje lemeritëse. Torturat si në kohën e invazioneve. Djegje,ngulje gozhdësh,copëtim mishi..Pasçlirimi lexoi rrëzime njerëzish nëpër rrugë ku nga ftohtësia  e plumbave godiste nën mishin njerëzor të kundërshtarëve politik që kishin dalur nga lufta. Janë të lodhur netët nga vrasjet. Janë të mërzitshme sot kronikat nga përsëritja  e tyre. Në vend të vazhdimit të jetës boerja e saj ishte çmenduria që pikasi nëpër qytete dhe rrugët e Shqipërisë. Jetët e ardhur me mundime nëpër familjet e varfra shqiptare nëpër shekuj të thinjur ,iknin çuditërisht çdo ditë në tokën që kishin luftuar brez pas brezi,por shpirti i një populli kurrë nuk vdesë. U dëgjua një pushkë. U hap qielli ikën retë, nuk vdes liria “:Rroftë Krishti mbretë”,pra rroftë “Shqipëria”

4. Letërsia e burgut me nivel të lartë artistik e shkruar nga autorët që e përjetuan

Autori shkruan  te” Vështrim në ndërtekstin  poetik të veprës së Vilson Blloshmit”. Vilson Blloshmi e Genc Leka, vepra e plotë e autorëve të pushkatuar nga diktatura” Kultura është pasaporta më e mirë për t′iu paraqitur Evropës si prezantim i vërtetë i ndërgjegjes shqiptare që u tregon kombeve të qytetëruar se aspiratat dhe dëshirat tona i përkasin Evropës dhe familjes së kombeve të përparuar. Vepra e Vilson Blloshmit dhe e Genc Lekës i bashkohet humanizmit evropian të prodhuar në inteligjencë, në kulturë e të ardhur përmes shekujve nga Barleti, Budi, Bogdani, Buzuku, Ismail Qemali, Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Mitrush Kuteli, Eqerem Çabej, Ibrahim Rrugova, Shaban Demiraj, Sabri Hamiti, etj, etj, që ka qenë në të gjitha kohërat ecje përkrah të njëjtave aspiratave humane, përkrah të njëjtit qytetërim evropian. Diktatura i shfarosi të gjitha mendjet e iluminuara nga kultura evropiane, së cilës ne i përkisnim, le ta themi pa droje edhe gjenetikisht. Më shumë se për jetën e tyre, për këtë pikëtakimi me humanistët më të mëdhenj europianë, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, u bënë martirë. Tashmë që vepra e plotë e tyre ka parë dritën e botimit, duke i lexuar ato, jemi të bindur se metafora dhe alegoria politike në poezitë e tyre dëshmojnë për një ushqim martirizimi, për formimin dhe botes;perceptimin iluminist të tyre. Duke analizuar veprën  e dy poetëve ,plumbi i diktaturës u morri jetët ,autori shqyrton qendresën e poetëve dhe nëse poetët ikën ska si bëhet më tragjikisht,muza e tyre rron. Kujtime të gjymtuara, rreshta të humbur. Ikën poetët duhet të thotë autori,po kush mbeti. Çfarë mundi ti  sjell shtetit ikja e poetëve përveçse  dëshpërim ndër shtetarë. Për dy poetët Blloshmi dhe Leka dëshmitë që po sillen janë fakte të rënda. C’frikë ka po të rajvizosh gjërat e vërteta ?Autori i këtij vëllimi në analizën e tij për gjendjen e regjimit sjell kushtet dhe kohën që vranë poetët. Çdo lloj regjimi që vret poetët nuk mund të quhet regjim i mirë. U mori shpirtin poetëve. Atë ditë që ata ikën nga kjo jetë ishte dita më e mbrapshtë për shtetin. Në pikëzim të vesës, mbrinte si një pëllumb i shkruar. Pra ishte qiellor. I bardhë dhe zbriste prej andej. Sepse sundimtarët e këtij lloji,vërtet jetojnë në tokë,por shpirtin e kanë të ngërthyer në qiell. Lamtumirë poetë!Ka pasur edhe më parë analiza për dy poetët  e pushkatuar por analiza që sjell ky autor është    e plotë duke  e ngërthyer me kontekstin historik  të asaj kohe,prej gjysmë shekulli regjim e diktaturë.Duke lexuar “Shtëpia  e mbetur përgjysmë”,shkruan Bujar Leskaj për Pjetër Arbënorin shfaqet si një shkrimtar i jashtëzakonshëm që na dhuron edhe një mesazh të vërtetë të historisë kombëtare .Askush si ai nuk ka mundur të na jap  më të plotë Shkodrën edhe historinë e saj pas 1940 në kohën e luftës së dytë botërore deri në marrjen e pushtetit arbitrarisht nga komunistët ku shkrimtari premton se fundi i romanit epilogu është:ose fillimi i kapitullit të dytë”.Një analizë më vetë autori ka përfshirë librin: “Shtëpia  e mbetur përgjysmë”,për të cilin autori thotë është një vepër me vlera antologjike në letërsinë shqipe,nuk  e kam parë të jetë në programet  e letërsisë shqipe s arsimit 9 vjeçar dhe atij të mesëm si një vepër  e veçantë. Ky qëndron thelbi. Letërsia e burgut është anashkaluar gjoja rastësisht për të harruar ndoshta pse jo për të fshehur mekëtat e regjimtarëve dhe këtu autori e trajton kritikë mos përfshirjen e këtij autori dhe të librit të tij si pjesë e asaj që duhet të nxënë shkollarët në edukimin e tyre. Me largimin e autorit nga jeta duket se harresa bëhet më e madhe dhe më e plotë. Një ndër poetët e tjerë që u burgos për vjershat e tij është poeti me emrin Visar Zhiti. Nëse demokracinë Visari dhe të tjerë do ta shihnin kur të fironin ditët e diktaturës,dy poetët e Librazhdit ikën pa e parë dritën e saj .Duhet të qartësojmë edhe dicka tjetër. Qëndresa e dy poetëve,e Visarit dhe e qindra shqiptarëve që u mbyllën nënë kulvit e burgjeve është e admirueshme. Është ndriçimi i  saj që përshkoi errësirat enveriane e ramizjane për 50 vjet. Autori ka shqyrtuar nga Visar Zhiti “Në kohën e britmës”,gjinia roman,duke e quajtur një zë i  kthjelltë në kohën e britmës si dhe “Rrugët e ferrit” roman. Visar Zhiti mbetet ndër autorët që lëvron  mjaftë bukur një lloj letërsi burgu e cila është pak e njohur  përndryshe do të mbetej edhe e harruar. Brezat që do të vinë do të sigurohen për të vërtetën historike duke hedhur sytë jo vetëm nga burimet e historisë analitike por edhe nga romanet  e kësaj natyre. Nën këtë kontekst jo pa qëllim ,shkruan autori i kësaj vepre B.Leskaj, unë zgjodha ti referohem këtij romani jo si i vetmi për idetë që ai sjell në realitetin e sotëm por edhe për shpirtin e ndjeshëm të heronjve që zbulohet nëpërmjet emocionalitetit të autorit dhe ndjesive estetike të çdo lexuesi që merr në dorë këtë roman. Visar Zhiti njihet si poet i formuar. Poezia e tij cilësohet bukurisht e bukur. Por në lëmin e romanit ai mbrun me kujdes  e realizëm jetët që hoqën një pjesë e popullsisë shqiptare nëpër burgje dhe kampe të regjimit. “Harta e  burgjeve “ të këtij vendi jo shumë të madh shënoi  në kuadratet e saj dhjetëra kampe për internime dhe burgje vdekje. Mirëpo kapërcimi i viteve ka humbur edhe një pjesë të kësaj kujtese. Sa më shumë largohemi nga vitet e asaj kohe ,harresa bëhet më  madhe ,sipërfaqja  e saj zgjerohet vetiu. U ka rënë barra  .Kështu peshën e rrefimtarit i bie ta mbajë poeti Visar , që duhet të rrëfej dhe të tregoj posaçërisht të gjithë vuajtjet, vdekjet, dhimbjet. Ne nuk kemi ende një muze për të rrëfyer dhimbjen njerëzore. Kemi mijëra lapidarë për të dëftuar luftën e dytë botëror, kemi pasur muze për çdo fshatë për të treguar gjuhen e fashizm-nazimit  kemi mijëra veteranë dhe shoqata që përkujtojnë luftën, por nuk kemi ndërtuar në projekte po se po, një muze të madh të dhembjes njerëzore nuk kemi datat për të treguar revoltat si ajo e  Spaçit, nuk kemi kështu qartësisht një “memorie historike” dhe nuk kemi grupime për të treguar historitë e këtij gjenocidi. Ka mundësi,  që kjo pjesë e historisë pavarësisht këtyre librave dhe ndoca pak film një ditë të jetë hedhur tutje, ekzistojnë  çuditërisht shpjegime por nuk gjendet çelësi për ta thënë ata që ngjau vërtetësish dhe bukurisht shqip. Ende filmat shqiptarë  të prodhuar para viteve ‘90 mbjellin urrejtje për një kategori . Ende nuk dimë të falim vuajtjet që u kemi shkaktuar të tjerëve. Kështu që edhe ky vëllim mundohet të risjell në vëmendje  të një opinioni të sinqert duke marrë në analizë librat e autorëve të  një periudhe kohore të gjatë. Përvijojnë kërkimet e tyre në rrafshin gjatësor. Por ç’ngjau në të vërtetë ,çfarë ngjau në këtë vend? Zhiti apo të tjerë si Arbnori, Bedri Coku ,Petraq Kolevica, Amik Kasoruho, Henrik S.G, Masken Bungo, Halil Laze,Gëzim Hajdari etj, sjellin në rrëfimet e tyre një jetë që ka ndryshuar kryekëput ndryshe  nga ajo, që bënte pjesa tjetër e shqiptarëve . Autori ka bërë një rajvizim tepër serioz, me situatat dhe gjendjen e krijuar duke  folur mirë për këtë letërsi e cila e meriton të zërë edhe vendin e parë edhe të vendoset nëpër antologjitë e shkollarëve e studentëve tanë sepse ajo është  më reale se sa krijimet artistike dhe të pavlera të shkrimtareve, që krijuan soc-realimin në Shqipëri e vendet ish-komuniste. Kështu mënyra se si e ka rrëfyer autorët krijimet e tyre është analizuar qartësisht dhe   është një gurë, më pranë të vërtetës.

5. Publicistika letrare mbetet lëvrimi më specifik dhe më interesant nga letërsia e burgut

E vendosur midis letërsisë dhe gazetarisë së mirëfilltë, publicistika letrare mbetet lëvrimi më specifik dhe më interesant,thotë një studiuese, njëkohësisht edhe më problemori, për sa i përket ruajtjes së kufijve me letërsinë, nga njëra anë, dhe me llojet e tjera gazetareske, nga ana tjetër. Dihet se letërsia, si arti i fjalës, ka poetikën e vet, që ka në themel parimet estetike të ndërtimit të një vepre letrare, që e dallojnë atë nga gjithë format e tjera të krijimtarisë fjalorë. Në literaturën teorike është pranuar lidhja midis poetikës së letërsisë dhe poetikës së publicistikës letrare. Kjo vlen për të njohur si ngjashmëritë, ashtu edhe tiparet dalluese midis tyre. Publicistika e autorëve që janë analizuar te :”Muzat e qëndresës” është përfshirë në pjesën e dytë :ditarë dhe kujtime historike:Përfshihen autorët Musine Kokalari, Havzi Nela, Ejëll Çoba, Uran Kalakula, Fatos Lubonja, Drita Çomo, Leka Toto, Beqir Ajazi, Lekë Tasi, Luan Myftiu, Bardha Mulleti, Ahmet Bushati, Gëzim Çela. Vetëm nga leximi i këtyre autoreve befasohesh për mënyrën e tyre të rrëfimit duke patur përfytyrime të sakta mbi strukturën përmbajtjesore dhe estetike të llojeve të publicistikës letrare .Në këtë kategori autori i Muzës ka përfshirë personazhe të spikaturës të qëndresës antikomuniste. Musine Kokalari një vajzë e bukur me ëndrra në kujtimet e saj  në rrëfimin fantasik”Si lindi partia Social-demokrate. Jeta dhe vdekja e Musines ajo shqipton njeriun, qenien e vet në kohë dhe hapësirë duke synuar të shpalosë botën e vet, ta sqarojë dhe ta lexoj veten dhe shpirtin dhe zemrën e vet. Kur ka mbërritur në çastin fatal thelbore ishte pastërtia, e ideve thellësia përmes arsyes, që mund të zotohet nga ëndrra që kthehet në zhgjëndërr. Duke sjellë Musinen autori sjell një protagoniste  të vërtetë njeri me ideale politike  e cila kishte vizione krejt të ndryshme nga regjimtarët e Tiranës, që i përcaktuan edhe kufirin e jetës Edhe heshtje për krijimtarinë e saj. Ata e mbyllën Musinen  në ftohtësirën e tokës por nuk i mbyllën dot krijimtarinë e saj dhe idealet e saj.” Kur më shihni se jam tretur/mos kujtoni se kam vdekur, thoshte poeti ynë N.H.Frashëri. Për Musinen ka libra të tjerë e botime do të ketë. Një mendim i mirë është përfshirja në këtë vëllim edhe libri  i Fatos Lubonjës. Lubonja njihet si një publicistët mjaft aktiv në çështjet politike e shoqërore në vitet fundit. Kuptohet që publicistika e Lubonjës është jo vetëm e arrirë artistikisht por edhe e gjetur filozofikisht pra është një autor, që ka një kulturë të gjerë të thellë , erudit dhe me penë të këtillë është e zorshme të analizosh këtë autorë, por autori ka ditur të bëjë një analizë të hollësishme të krijimit të Lubonjës,”Në vitet shtatëdhjetë”.Por përqendrimi më i  madh mbetet tek Drita Como. E panjohur në letrat shqipe. As si emër. Dikush përmendte mbiemrin e njohur .Kujtesa ishte fshirë si një shirit filmi, ose më ndryshe kështu është: …O lulëz’ e Perëndisë? Që të mbolli vetë Zoti……Vallë ku do të shpien?/Në qiej përpara Zotit?.NH.Frashëri. Pak kush njeh historinë e saj. Nën ftohtësinë e katakombeve të ftohtë, ku ndriçonte ora e territ, mund të dremisnin ata, që s`kishin ndonjë punë të madhe për të bërë. Ata, që në këtë botë kishin qenë shtegtarë të humbur. Ata vdekatarët, vrasësit,ata të ligjtë,tradhtarët ata të poshtër. Por s’flë Drita Como në pagjumësinë e madhe të pa emër. Drita që vjen pikërisht nga humnera është dritësimi, që na ka munguar. Autori e thotë shkoqur ky libër e meriton një vend në antologjinë  e plagëve pse jo të mos harresës .Por ç`punë do të bënte e vetme  në ftohtësirën e baltës një vashë e bukur si nure dhe një poete si Drita? Autori shprehet se:”Me përballje  e dy figurave nënë  e bijë që kanë pasur rrugëtime të ndryshme në atë sistem,njëra bija krejt e pafajshme sit ë gjithë fëmijët dhe të rinjtë e këtij vendi dhe tjera nëna që kishte qenë vite me radhë njëra nga gratë më të njohura  e të fuqishme të vendit ,anëtare e byrosë politike deri në 1960 por më pas e përndjekur politikisht do të kemi kuptuar vetë thelbin mizor të komunizmit” . Është e njohur shprehja se komunizmi ishte një lloj pushtimi, ku viktimat dhe të vrarët  shkojnë diku pranë atyre, që la lufta  e dytë e përbotshme. Shprehja latine:”Lusciate,ogni speranza voi chentrate“, d.m.th.:“ju që hyni këtu, lani duart nga çdo shpresë“.Është një sentencë për të kujtuar  humbjet për të memorizuar dhimbjen se dyert e atyre portave ishin tmerrësisht të përgjakshme. Publicistika e lëvruar nga autorët që citon autori B.Leskaj për  Kokalarin, Nela, apo  E.Çoba, U. Kalakula, F. Lubonja, D. Çomo, L.Toto, B.Ajazi, L.Tasi, L.Myftiu, B.Mulleti, A. Bushati, G. Çela   vlen për të afirmuar atë letërsi brenda dimensioneve por gjithashtu ato mbeten dëshmitë autentike,gjurmët më të sakta të një tragjedie e gjenocidi që u ushtrua nën qeverisjen e komunistëve pas luftës së dytë botërore  në Shqipëri.

6. Harresa dhe mënjanimi i kësaj letërsie një lloj krim tjetër për këtë shtresë

Harresa dhe mënjanimi i kësaj letërsie  përbën lloj  një krimi tjetër për këtë shtresë dashur apo padashur . Autori i “Muzat e qëndresës” në vend të hyrjes  shtron parimisht një problem të drejtë . Kam mundur të përforcojë tezën se këta autorë dhe veprat e tyre thotë ai, kanë një vlerë dhe rëndësi unike për çështjet e mprehta të historisë sonë në përgjithësi dhe të letërsisë shqipe drejt  së vërtetës dhe vlerave të larta .Autori duke analizuar këtë fenomen thotë :se ka përpjekje regresive të mbulimit dhe mohimit që vazhdojnë të bëhen nga qarqe të caktuara të majta përgjithësisht për deformimin e të vërtetës. Në thelb do të shprehesha se ky është problemi pra le të bëhemi sado pak koshient dhe ta shtrojmë këtë tezë .A e mbajnë mend 20 vjecarët e sotëm atë kohë? Ajo është fshirë nga kujtesa .Kur pyetet për këtë kohë shumë kush ngre supet dhe bënë çuditshëm pyetjen :a ka ekzistuar  vërtete apo jo ajo kohë?Gjurmët e asaj kohe janë rrafshuar kudo .Kampet e punës dhe burgjet janë shembur që nga themelet. A do të bëhet Spaçi një muze për të pasqyruar atë kohë të zymtë? Shumë prej ishte dënuarve po shuhen dalë ngadalë sepse jetën dhe rininë   e shkuan nëpër këto kulvi. Pllakosur errësirë përmbi burgje. Xëc. Gradacion nate. Tmerr pa fund. Kaq vite qefinë tharë,vdekur tek shtëpia e vet. Po fati  i tyre ,gjegjësisht ku rrinte i kyçur ? Ngryseshin ditët .Kush i xarriste. Fatlidhurit,fatëzesët. ….D.m.th i zhytën,i strukën i rrëzuan  moj e zeza  kohë 50 vjeçare , ku ata ëndërronin ëndrrën e ëndërruar? Kur nesër të dëshmitë e tyre vallë ku do ti gjejmë? Një pjesë  e kujtesës është fshirë sepse ndërtesat,burgjet dhe kampet janë zhdukur nga faqja e dheut. Një pjesë e kësaj kategorie i mbyllën jetët e tyre në këtë botë. Ende e paprekur  si dëshmi mbeten librat dhe botimet ,ndonëse ka edhe ngurosje faktesh ende nuk është thënë as 50 për qind për atë çfarë ngjau dhe këtë e kanë thënë dhe po e thonë vetëm këta krijues me dëshmitë e tyre si romane, poezi, tregime, ditarë, kujtime etj. Muza e këtyre burrave shqiptarë, që dolën një ditë nga ajo kohë të persekutuar mbetet e pavlerësuar. Prandaj ky libër thotë shumë dhe është ndoshta përmbledhja e par,ë që pritet të rishtojë vëllimet në disa kohë me personazhe të tjerë, që kanë shkruar apo kanë sjell letërsinë e burgut sipas rrëfimit apo mënyrës së vet. Për autorin është një punë voluminoze dhe një angazhim serioz në këtë fushë dhe ç’është më kryesorja, ai sjell një gjykim  ndryshe sigurisht duke ju përmbajtur normave dhe kritereve letrare të vlerësimit por e veçanta mbetet letërsia, që ai gjykon letërsia e burgut.

7. Vëllimin e dytë, do të përfshijë të njëjtën kategori veprash dhe shkrimtarësh, por me origjinë nga vendlindja dhe Kosova

Angazhimi i këtij autori përvijohet me  vëllimin e dytë, që është në proces, dhe do të përfshijë të njëjtën kategori veprash dhe shkrimtarësh, por me origjinë nga vendlindja e tij Vlora. Në listën e këtyre shkrimtarëve bëjnë pjesë Isuf Luzaj, Eqerem Bej Vlora, Kudret Kokoshi, Petro Marko, Fatos Mero Rrapaj, Ago Agaj, Petrit Velaj, Agim Hamiti, Astrit Xhaferri, Reshat Kripa, Kujtim Murati, Vangjel Pici, Enver Lepenica, Ibrahim Vasjari, Memisha dhe Teki Gjonzeneli, Abdurrahman Meçaj, Vilhelme Vranari Haxhiraj, Fajri Shaska, Besnik Baxho, si dhe shkrimtari çam Bilal Xhaferri, një vëllim të tretë për letërsinë e burgut në Kosovë, në të cilën do të shkruhet për veprën e shkrimtarëve Adem Demaçi, Teki Dervishi, Jusuf Gërvalla, Ekrem Kryeziu, Bajram Kosumi.

*Anëtar i Akademisë Evropiane të Arteve

|