You are currently browsing the A.C.P.E. weblog archives for the day 10/01/2012.
| M | T | W | T | F | S | S |
|---|---|---|---|---|---|---|
| « Dec | Feb » | |||||
| 1 | ||||||
| 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 |
| 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 |
| 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22 |
| 23 | 24 | 25 | 26 | 27 | 28 | 29 |
| 30 | 31 | |||||
- Blogroll (661)
- Poezi (2)
- SPORT (1)
- Tregime (4)
- Uncategorized (6)
- 21/02/2012: Parimet per Ndertimin e nje Shoqerie te Lire
- 21/02/2012: 5 poezi te shkurtit.
- 21/02/2012: Michael D.Higgins- Presidenti poet dashamires i Shqiperise
- 20/02/2012: Himara nr 1 – studim
- 18/02/2012: Doli numri i ri i gazetës “Albanian News”
- 18/02/2012: ABEDIN MADANI
- 18/02/2012: Fjala e Dr Muhamet Hamiti
- 17/02/2012: Rrëfehet Arjana Pupa, Nën/ kryetare Lidhjes Demokratike të Korcës:
- 17/02/2012: POETI
- 17/02/2012: Poezi rome
Blogroll
Archive for 10/01/2012
Poezi që ndjek ritmin e jetës
10/01/2012 by admin.
Nga Perikli Jorgoni
1.
”Një tjetër diell” është vëllimi i dytë me poezi i poetit Vaso Papaj. Në shqyrtimin e vëmendshëm të bije në sy prirja e autorit për të kapur e trajtuar me realizëm e ngjyrime poetike temën aktuale. Janë pamjet e skenat e përditshme që na shfaqen para syve, dhe që vëzhgimi i mprehtë e i vetëdijshëm i artistit duhet t’u kushtojë vëmendjen e duhur, për t’u dhënë jetë në veprat e veta.
Poeti na jep tablo tronditëse të mjerimit, na skicon personazhet e dramës së dhimshme, që i përngjet realitetit të kohës së Migjenit. Ai nuk qëndron në cektësirën e ngjarjeve, nuk mbetet në një skicim të fluturimtë e të pathelluar në psikologjinë e të cilit, duhej të mbetej personazheve, nuk qëndron në pozicionin e një poeti që vetëm vëren e konstaton, por e ve gishtin mbi plagët e qelbëzuara:
Lirinë gabele me ngjyra - ngjyra.
A ka vallë liri me xhepa bosh?!…
Lirinë që paska aq shumë fytyra,
Lirinë që qenka veç për kodosh.
Zemra e poetit nuk mund të jetë e qetë, kur njerëzve të qytetit e të Atdheut iu mungon e qeshura. Kur mjerimi iu rëndon mbi shpirtin e mbi jetën, kur djemtë si Olsi shohin, tek shërbejnë për një copë bukë nëpër motele, sesi vajzat e njoma nga varfëria e gjendja e vështirë ekonomike e familjes së tyre e shesin trupin për para, kur sanitarja Bedrie, që iu shërben me aq kujdes të sëmurëve në spital, ka mbetur fare pa përkrahje, me djalin të vetvarur e nusen pa punë, kur fëmijë të varfër shesin çikërima nëpër semaforë apo kur ndonjë i pa punë rëmon nëpër kazanat e plehrave.
Dhe kur marrin udhën e mërgimit, tej detit, kur punojnë në vend të huaj, në më të shumtën e rasteve si punëtorë apo shërbëtorë, kërcënohen nga papunësia, nga mjerimi, nga pasiguria, nga ngarkesa e punëve prej skllavi.
Fati dhe jeta e këtyre mërgimtarëve të një kohe moderne është po kaq tragjik e pa shpresë, si dhe i mijëra shqiptarëve të mjerë e të këputur që mërguan nëpër Europë e nëpër botë gjatë gjithë shekujve.
Poezitë e ndjera të Vaso Papajt e ngenë zërin dhe na bëjnë të mendohemi, të jetojmë me kohën e me shqetesimet e saj e ta ndjejmë si të vetes sonë dramën e mërgimtarëve tanë në dhè të huaj:
Si urithi në metro, në tren, që në mëngjes,
Mes turmës që më shtyn me sy edhe me duar
Tërë ditën restoranteve laj pjata i pashpresë,
Aromë e trupit tim, erë gjelle të thartuar.
Imazhin tënd në mendje kam mes erës në Milot,
Po edhe këtu, ta dish’, nuk është se nuk bën ftohtë.
(Letër nga larg)
Poeti nuk e idealizon realitetin në vendet perëndimore, nuk e humb qartësinë e vështrimit, i mahnitur e i shushatur nga pallatet, nga parqet, nga sheshet plot shtatore e pllaka mermeri. Kjo është ana më e bukur e mahnitëse e qyteteve europiane, plot muzeume e biblioteka, me libra nga të gjitha gjuhët, e vendeve ku ritmi dhe ecja e qytetërimit është më e vrullshme, por ku nuk mungojnë plagët, humnerat e problemet e shumta, të mbetura endè pa zgjidhje.
Me këtë vështrim realist e të kthjellët është trajtuar tema e mërgimit, fati i djemëve e vajzave të reja, e familjeve të rënuara që morën udhën e mërgimit, për t’i shpëtuar papunësisë e varfërisë:
Ikën djem, u kthyen pleq,
I kish lodhur udhë e gjatë
Sapo mbërritën te përroi,
U bën gurë e mbenë në paqë.
(Gurët)
2.
Vaso Papaj i kushton vëmendje dhe motivit të dashurisë. Dashuria për poetin nuk është një rendje hamshori i hasdisur pas gjahut të epshit, po një ndjenjë fisnike e tepër njerëzore që e mban të gjallë flakën e jetës dhe i jep kuptim asaj.
Prandaj, kur ndodhet larg së dashurës, dita i duket pa shkëlqim dhe shurdhake, e gjithçka i duket e akullt e pa jetë. Dashuria do të humbëte çdo kuptim dhe vlerë po të vështrohej e trajtohej nga një prizëm tjetër shikimi. Ajo nuk mund të jetë kurrsesi mall tregu dhe as ndjellëse e pa ngopur e dëshirave çmendurake për epsh e për aventura ashikësh zemërzbrazur e cinikë. Në poezinë e letërsinë së sotme, si dhe në emisionet televizive, nëpër shfaqet e dramave e emisionet humoristike, ndodh jo rrallë, që, duke përfituar nga liria e mendimit dhe e fjalës, spekullohet e njolloset dashuria, paraqitet e deformuar dhe e pushtuar nga epshet shtazarake. Këtu nuk është fjala për purizëm mesjetar e prapanik, por për një vështrim më të kthjellët e më njerëzor ndaj moralit e fisnikërisë e forcës përtëritëse e përlindëse të dashurisë.
Me ndjenjë të ngrohtë e konkretësi poeti na e përshkruan poetikën e kësaj ndjenje mjaf njerëzore:
Më mungon,
Kur terri shuan gjurmët nëpër gurë,
Kur dielli valët detit ia përkëdhel,
Si hije më gjurmon, s’më ndahesh kurrë
Dhe lodhja brenda vetes nuk më del.
(Më mungon)
Mikja e zemrës nga poeti na paraqitet përmes përjetimesh konkrete, si një njeri i afërt, me të cilën ndan gjithçka, mendimet dhe ndjenjat, si një krijesë e dashur që të jep forca, për të përballuar pengesat e detyrat e përditshme, si një krijesë njerëzore pa të cilën bota dhe jeta do të na dukej pa ngjyrë e pa dritën e mjaftueshme, por dhe si një bashkëshorte, me të cilën krijohet familja dhe lindin fëmijtë, që do të rriten në një kohë më të lumtur e me mundësira më të mëdha.
Ëndërro djalosh, ëndërro kohëra magjike
Se ditëve që do t’vijnë, do t’vijë dhe dashuria
Po netëve ndalu pak, urrejtjen për rreth fike
Njerì do të jesh atëherë në poezitë e mia.
(Shkule trenin tënd)
3.
Poezitë qytetëse të këtij vëllimi janë më të mirat poezi të shkruara nga Vaso Papaj dhe natyrisht që Durrësit, ku kaloi fëmijërinë dhe djalërinë dhe tani jeton vitet e moshës se thyer, i është kushtuar pjesa më e madhe e më e ndjerë e tyre.
Këto poezi janë të arrira, sepse nuk janë trajtuar në modelin e etydeve e të tablove a boceteve me akualel, poeti gërmon e vëzhgon në nënshtresat e jetës. Kërkon të gjejë hallkat që lidhin periudhat historike me kohën moderne. Syri i mprehtë i poetit zbulon nyjet që i lidhin njerëzit me të kaluarën e me të sotmen, na përshkruan me ngrohtësi emocionale veprimtarinë, përpjekjet për hapësira te reja, përsiatjet, dashuritë, dhimbjet, ëndrrat dhe dëshirat, që mbajnë të gjallë shpresën e besimin tek e ardhmja, shpirtin e pamposhtur të një populli që përballoi me guxim dallgët e çmendura të kohërave barbare dhe egërsinë e ushtrive që iu sulën për ta pushtuar e nënshtruar.
Në qendër të këtyre poezive, si dhe të poezive të cikleve të tjera, është njeriu me botën, ëndrrat e përpjekjet e tij. Dhe natyrisht, në këtë kuadër, nuk kishte si të mos kërkonte pishtarin më të ndritur të Rilindjes sonë Kombëtare, Naim Frashëri, kur ndodhet për një vizitë në Stamboll:
E shkela me këmbë Stambollin e vjetër,
Kalldrëme, hotele dhe prapë s’po të gjej.
Ky vend ka parë sulltanër dhe mbretër
Po unë veç një mbret dua, ty Naim bej.
(Më kot në mesnatë)
Dhe pse në dukje poezi përkushtimi e malli për një qytet të madh e me bukuri të mahnitshme si Stambolli në breg të detit Marmara, me pallate e xhamija e muzeume madhështorë, Vaso Papajit i kujtohet Naimi, autori i vjershës mjaft të njohur “Fjalët e qiririt”, që u bë simboli i vetmohimit e flijimit për çështjen e shenjtë të Atdheut e të përparimit. Pikërisht drita e idealeve të Rilindjes Kombëtare i duhet Shqipërisë së shekullit XXI për të ecur drejt përparimit e për të rimëkëmbur veten. Pa këtë shpirt prej Prometheu, pa këtë ndjenjë gatishmërie e përkushtimi, ndaj idealeve të lirisë e të përparimit, çdo përpjekje, sado e madhe, do të dështonte. Këto veti të larta e fisnike nuk i kanë munguar kurrë popullit tonë, por ato duhen nxitur e vënë në veprim, sepse është koha kur na troket ora e Rilindjes dhe e fuqizimit të Shqipërisë.
Si poet Vaso Papaj di të zgjedh ato ngjyrime e detaje, për të na krijuar fizionominë e vërtetë e autoktone të qyteteve, atmosferën e dekorin e tyre, duke arritur të kapë ato veçanti që janë të qenësishme dhe thelbësore. Dhe kur mbizotërojnë ngjyra të ftohta e të murrme dhe një frymë trishtimi e pakënaqësie për punët që nuk shkojnë ashtu si duhet, për mospajtimin me korrupsionin e administratës shtetërore, për papunësinë e për varfërinë e përgjithshme të jetës, mesazhi që përcillet prej tyre është mesazhi i shpresës dhe i besimit:
Në shpirt ke dashuri pafund, s’mbaron këtu beteja,…
Idetë e tua s’janë flakë kashte, nga ato lindin të reja.
(Ej,plako…)
Dashuria është forca që do të përtërijë botën, dashuria do të rilind idealet e Rilindjes Kombëtare dhe tek ne shqiptarët, duke na bërë të kuptojmë qartë se kuptimi i jetës njerëzore duhet kërkuar tek lufta dhe përpjekjet viganore për begatinë dhe lumturinë e kombit e të botës.
Kjo dashuri për jetën dhe për njeriun ndihet nëpër të gjitha faqet e librit, dhe në ato që kanë tone ironike e sarkastike dhe fshikullojnë dukuri të shëmtuara të realitetit të sotëm. Dhe kur fshikullon, dhe kur kritikon, dhe kur zemërohet e shpërthen në gjëma dhe anatema, poeti niset vetëm nga dashuria, nga nderimi për atë që është sublime dhe njerëzore. Këtyre idealeve, që ia kanë mbajtur shpirtin të ndezur dhe kanë mundur të ruajnë në të vrulletin dhe forcën shpirtërore të rinisë, poeti i ka qëndruar besnik gjatë gjithë jetës, për hirë të tyre ka ndjerë shtypjen, mënjanimin, dhe vështrimin me sy armiqësor të shtetit autokrat dhe të lakenjëve të tij.
4.
Në shpirtin e Vaso Papajit ka nisur të flas poeti, i cili nuk qorollepset pas temave libreske e romantizante, duke u strukur e mbyllur në vetvete në zhguallin e papërshkueshëm të një gjallese egocentrike. Përkundrazi ai merr guxim të përballet me jetën e të bëhet zëri i udhëkryqeve, enigmave, plagëve e dramave të jetës shqiptare e ballkanike, që vazhdon dhe në agimin e një shekulli të ri, të jetë e mbingarkuar me retë e zymta e shkreptima vetëtimash e lëvizje e flakërim rrufesh. Kjo situatë e mbingarkuar, e acartë dhe plot kurthe e prapaskena bizantine, vazhdon të mbizotërojë në të gjithë letërsinë e vendeve ballkanike, e cila vuan dhe gjendjen e vështirë ekonomike, pasigurinë e jetës e të punës dhe tragjedinë e mijëra familjeve që kanë marrë udhën e mërgimit në Europë e nëpër botë.
Pyetjes që ndodh t’i bëhet Vaso Papajit, se pse u kujtua të merret me poezi tani, kur s’është më i ri, ai i përgjigjet në mënyrë mjaft të hapur. “Nuk shkruajta më parë, sepse nuk më pëlqente të gënjeja. Gënjeshtrën dhe hipokrizinë nuk i pranon karakteri, kodi im moral, të cilit jam munduar t’i qëndroj besnik gjer në fund. Të shkruaja duke iu nënshkruan kërkesave të realizmit socialist do të ishte sikur të pikturoja me bojëra të ndezura dhe të zbukuroja atë që ishte e shëmtuar dhe e përbindshme. Këtë nuk do ta pranoja me çfarëdo lloj shpërblimi e pozite. Këtë e tregon më së miri jeta ime.
Tani, pas ndryshimeve të mëdha në të gjithë Europën Lindore, tani, kur autokracia dhe shteti totalitar e anakronik nuk sundon më mbi popujt e vendeve ish socialiste, unë e ndjejë veten të lirë. Nuk kam më mbi krye e në shpirt atë pllakë plumbi të rëndë. Tani po përjetoj rininë e pajetuar e po përpiqem t’i krijoj hapësira fluturimi ëndrrës sime të kahershme, për t’u marrë me letërsi. Vepra ime e parë letrare, që e kam shkruar shumë vite më parë është romani im ”Një Dimër mes Dimrash” i botuar dhe i ribotuar vetëm në vitet e demokracisë. Lexonjësi e ka pritur mirë, kritika letrare e vlerësoi për tematikën dhe arritjen e tij, por ja që erdhën momentet e poezisë. Ajo i ngjau një tështime që siç thoshte Tolstoj, kur të vjen nuk mund ta mbash dot.
A do të vazhdoj në të ardhmen me poezinë apo do të kthemem prapë te romani? Koha do ta tregojë. Një gjë mund të them: e ndjej se nuk do të mund të hesht..”
Vaso Papaj u bë më i njohur si poet sesa si romancier e tregimtar. Dhe po të shkruaj në prozë, proza e Vaso Papajit do të ketë dhe nënshtresat e tiparet më të çmuara të poezisë së tij. Ajo do të jetë më lakonike, më sintetike, më e ngjeshur sesa veprat e shkrimtarëve , që janë marrë gjithmonë me prozën e gjatë a të shkurtër.
5.
Vaso Papaj ka kodin e vet estetik. Ai është autor që nuk joshet pas zhurmës, reklamave, pozave letrareske e manisë për t’u shtirë si filozof e njeri, që e shqetësojnë temat e mëdha e universale. Universalen dhe fillin mbarënjerëzor ai e gjen dhe në trajtimin e temave të jetës së përditshme, në atë kronikë e vërshim ngjarjesh të larmishme e më të shumtën e rasteve dramatike e tronditëse ku na shpërfaq realiteti ynë ballkanik.
Për t’iu dhënë jetë artistike të gjitha këtyre ngjarjeve, dramave e veprimeve sublime, njerëzore, i duhet të zgjedhë mjetet shprehëse e të përcaktojë ligjet e estetikës së vet, e cila duhet t’u përmbahet parimeve themelore të realizmit e të modernizmit, pa iu larguar veçorive të stilit e të natyrës së tij artistike.
Vaso Papaj nuk është poet përshkronjës, poet i çikërimave e i pikturave me akuarel. Ai s’të befason me ngjyrimet marramendëse, me harmoninë apo kapriçot e vargut, por me begatinë e lëndës jetësore, me forcën e përjetimit të realitetit, me guximin për të prekur e zbuluar plagët, dramat e problemet e ngërthyera e të pazgjidhura ende në realitetin bashkëkohës.
Moderniteti e fryma e kohës ndërfutet në poezinë e Vaso Papajit në mënyrë të natyrshme, të çlirët, pa pompozitet e maniera për të habitur lexonjësin me frazeollogjira filozofike e vezullime figurash të zhurmshme dhe abstrakte.
Për të është më rëndësishme shtjellimi dramatik e me detaje konkrete e domethënëse i jetës, ndriçimi e vënia në pah i atyre anëve e tipareve, që e ndihmojnë në paraqitjen e pikturës së tablosë, me dritë hijet e saj, me zbulimin e ndërthurrjes së atyre fijeve dhe elementëve, që shërbejnë për të krijuar atmosferën e duhur e për të pasqyruar me vërtetësi e realizëm jetën e fizionominë e kohës e të realitetit. Këtu përqëndrohet vëmëndja e autorit, i cili mundohet të kap thelbin e nënteksin e ngjarjeve të shumta, të zhbirojë në jetën dhe në biografinë e atyre personazheve, që mbartin e mëshirojnë fatin e mijëra njerëzve, që përfaqësojnë jetën e shoqërinë tonë, e cila përpiqet me të gjitha forcat e energjitë për një jetë më të begatë, më njerëzore e më demokratike, për të mundur të jetojmë si të gjithë popujt e Europës së qytetëruar e demokratike
Fjala dhe vargu artikulohen me kujdes, duke iu përshtatur intonacionit ideoemocional, idesë themelore mbi të cilën ngrihet ngrehina e vargjeve, që shpesh janë në strukturën e vargut me ritëm e me rimë, por pa atë rregullsi të rreptë të poezisë klasike.
Poesia e Vaso Papajit nuk është në frymën e në formën e poezisë klasike. Ai është poet bashkëkohor e modern, por me arsenalin e tij figurativ, frazeollogjik, gjuhësor e metrik, atij i shkon më për shtat vargu me ritëm e me rimë, me muzikalitet e harmoni, por që vjen i strukturuar në mënyrë moderne e me problematikën e shqetësimet e kohës që jetojmë.
Në këtë mënyrë do të zgjonte vemendjen e shoqërisë, për të ndjerë përgjegjësinë qytetare para problemeve të cilat rëndojnë mbi kurrizin e shpirtin tonë, duke na e bërë jetesën më të vështirë e me më pak hapësira dhe me më pak ajër dhe dritë.
Bie nata mbi çatitë e qytetit dhe gëlltitet,
(Nata me çatitë sikur ka rënë në dashuri)
Puthet, jargavitet, ngjitet dhe nuk shqitet,
Ndër kohë një qen rrugaç te plehrat po skërmitet
Dhe ditë e re po ngjizet në qetësi.
(I njejti qiell)
Në këtë tablo të natës së një qyteti nuk ka asgjë farfuritëse e marramendëse. Estetika e poezisë së Vaso Papajit s’i ka për zemër figurat estravagante e plot përçudnime. Për atë kryesore është atmosfera dramatike, që rreket të na e pikturojë me realizëm e plot ngjyrime poetike e sarkastike.
Elementët e objektet që vihen në veprim, na japin më së miri atë që kërkon të na e paraqesë me besnikëri dhe me dhimbje të një shpirti, që nuk është as edhe një herë i qetë e shpërfillës ndaj dramave të jetës njerëzore, dhe të prapaskenave e lojës makabre që lozin mbi fatin e shoqërisë dordolecët e aventurierët e politikës së mbrapshtë, që s’po del ende nga ngërçi e nga kolapsi.
6.
Poezia e Vaso Papajt është poezi me hapësira të mëdha. Ai nuk është poet egocentrik e as poet i kullës së fildisht, as poet që shtegton nëpër kthina e umbella larg realitetit.
Duke qenë njeri i shqetësuar për fatin e njeriut e problemet e ëndrrat, që trazojnë shpirtin e mendjen e tij, poeti nuk kishte sesi të mos i kushtonte vëmendje jetës e ngjarjeve të përditshme të qytetit mijëra vjeçar të Dyrrahut, Durrësit të sotëm, ku ka lindur e jeton, megjithese viset e rivierës së jugut, nga e ka prejardhjen familja e tij e shtyjnë të shkruaj edhe për to: për detarët e mërgimtarët, që morën udhën e përtej detit, e që mbetën të përjetshëm në kujtesën e njerëzve si gurë mijëra vjeçarë, që zbardhin ngado nëpër anë zalli, rrugëve e pjerrësive të maleve të Vetëtimës e të Çikës, siç thotë dhe shkrimtari i madh Petro Marko në veprën “Retë dhe Gurët”.
Poezitë e Vaso Papajt për Durrësin janë poezi të ndjera, janë konkrete e me mbresa jetësore. Kanë shtresimet e ngjyrimet e kohës e të realitetit të ditëve që jetojmë. Në to ndërthuren shtresimet intime me ato të përgjithshme e të gjithëherëshme, përfytyrimet e pamjet e antikitetit me fizionominë e një qyteti modern.
Poesia e Vaso Papajt është e pasur me lëndë jetësore, me mbresa, përshtypje, përfytyrime e vëzhgime të mprehta e të vëmendëshme. Ajo është poezi e një njeriu që nuk është shpërfilles ndaj njerëzve e jetës, nuk është i ftohtë e nuk i largohet me dashje e i frikësuar laqeve të dramave e hulumtimit të biografisë e psikologjise së njerezve, me të cilët e përplas dhe e njeh jeta e ngjarjet e saj të vrullshme për ditë.
Në këtë vellim te ri, që vjen me një tematikë më të pasur e me një ngulmim më të ndërgjegjshëm, për të hulumtuar e vëzhguar në dramat e psikologjinë e njerëzve bashkohëtarë, tonet realiste të poezisë së Vaso Papajt marrin një kumbim më të fuqishëm e më gjithpërfshirës.
Këto tone dramatike e epike, harmonizohen me tonet e buta e lirike të poezive erotike e të peisazhit, apo me sarkazmin e ironie therëse të poezive që fshikullojnë dukuri e qëndrime të shëmtuara e meskine ndaj shoqerisë e kohës që jetojmë, e cila gjithsesi premton për mundësi të reja zhvillimi dhe ecje të mëtejshme.
Nga pikëpamja e strukturës së vargut e të sistemit të figuracionit, Vaso Papaj synon të jetë poet modern, t’i japë gjerësi e hapësira vargut, të jetë poet sa dhe qytetar, të pikturojë e të analizojë, të skicojë tipa njerëzish e të nxjerrë përgjithësime të rëndësishme. Poesia e tij synon gjithnjë e më teper të kapërcejë sinoret e ligjësive estetike të poezisë klasike, të jetë më e çlirët, më e guximshme e novatore në trajtimin e temave e në përdorimin me zgjuarësi e shkathtësi të ngjyrimeve emozionale e të figuracionit, i cili , përgjithsisht, është i natyrshëm, logjik e me një fizionomi origjinale dhe moderne.
Perikli Jorgoni
Durres, 8 nentor 2011
Posted in Blogroll | No Comments »
Pas një tradhëtie… Poezi nga Raimonda MOISIU
10/01/2012 by admin.
Kur në sytë e tu të ndritshëm, tundues, pikasa
atë që është e pamundur të fshihet,
ftohtësirën, kuptova se Unë,
lulëkuqja e egër,
Isha zhveshur. Rrija heshtur, sic
rri Pafajsia .
-.-
Nuk i dëgjoja më fjalët e dashurisë,
Si një kufomë që
E kanë mashtruar me një helm të ëmbël,
Para vrasjes,
e mashtruar me buzeqeshje
tunduese, të shtira e dhelparake.
-.-
Mundohem të mësohem me vetminë time,
Mundohem t’u shmangem syve të kaltër,
Që gjithmonë më joshnin për mëkat,
I lutem zotit të më lerë, që të rrëfehem
për kurthet e zemrës,
për padurimin që gjithmonë
si një ketër,
si një skllave e përjetëshme e dashurisë,
më thithte të vrapoja,
tek ti.
-.-
Me trishtimin tim, me brishtësinë time,
me vetminë time,
e ftohtë, kallkan si gurët e rrugës,
në një stinë të ftohtë, ecja përmes turmës,
për tu fshehur mes saj; T’ja falja asaj
të kaluarën.
-.-
Me sy po kërkoj një tjetër shpresë,
Të ndjej gishta të më krehin flokët e mij,
Dhe dihatje të ngrohta nëpër mërdhirjen time.
-.-
Të mund të ndizet edhe njëherë
Flaka në kandilin e dashurisë,
Të mbjell lulekuqet
në gotën e kristaltë,
Të vallëzoj përmbi re,
nën tinguj serenatash…
Pas reve të shiut – rri fshehur qielli,
Pas mizoriës së dimrit – nisin sërish sythet,
Pas një tradhëtie
Po prêt një dashuri
E re…..!
Sekretet e mija-Poezi-nga-Raimonda MOISIU
Si një robinë e pasqyrës,shoh
veten cdo mëngjes në të,
dhe pikas nga një shënjë të vecantë,
që askush nuk e vëren,përvec
syve të mij të zhytur në kujtime,
-.-
Janë shënja të vogla, të zbeta,
të mezidukshme,që m’i dërgon,
mëngjes për mëngjes,
një qënie që qëndron mbi një majë
si një përmendore dhe
quhet pleqëri.
Këto shënja ma dinë emrin,
më njohin mirë, e më thërrasin,
nga larg,
si mikroinfarkte të vegjël!
-.-
Është një sulm i përditshëm,që
e pikas vetëm unë,por që
e shfaros,
një kamp tjetër, i tërë ,e shfarosës,
sic shfaros mikroinfarktet e vockla:
Një e qeshur në mëngjes me shpirt!
-.-
Një kamp magjepsës, pafundësisht
i bukur,
AI!
I sekreteve të mrekullueshme të dashurisë!
-.-
Ja, ku hesht shtrati…
Atje flenë kujtime të rrënqethura.
Atje unë, e vetëm unë,
vë veshin dhe ndjej,
rënkime të ëmbla,
pëshpërima e psherëtima,
buzë që lodrojnë mbi mishin tim…..
si një diell i vogël, i nxehtë
i erdhur nga parajsa,
vetëm për mua,
duke mërmëritur emrin tim!
-.-
Sekretet e mia…, ato….,
I di vetëm një qënje e kësaj bote,
Unë…,
që si një robinë,
vështroj veten përditë, në
pasqyrën e mëngjesit.
-.-
Sekretet e mija,
pengjet e mija,
futur në një shportë të artë,
të mbledhura nga kopështi i memorjes,
nëpër gurgullimat e lumit,
në oshëtimën e një zëri,
që më thoshte:
Të dua!
-.-
Dhoma ime e madhe,
Lagja e gjith’qyteti,
kontinenti i tërë,
nuk i nxë dot, sekretet e mija!
Ato…..
grumbullohen, si zogj
të uritur, të vegjël, cicëritës,
të brishtë e të bukur,
në të majtë të gjoksit tim.
-.-
O zemra ime!C’i ke këto pëllumba,
strukur aq bukur në blerimin
e kopështit të vetmisë sime?!
Plot stërkala të kristalta,
ujra burimi,
magji hyjnore,
me aureolën e përqafimeve dhe
melodi fyejsh….!.
-.-
Sa të bardhë carcafët!
Carcafët e dëshëruar për tu zhubrosur,
për tu flakur përtokë,
nën bardhanën e hënës te dritarja,
nëpër puthjet e nxehta,
nën sulmin e dashurisë….
-.-
Të fshehtat e mija të dashurisë!
-.-
Plot fjalë të vecanta,
të rrallëpërdorura,
të ardhura nga hyjnitë qiellore,
të dridhura,
të patjetërsueshme,
si ujrat e foshnjës,
kur është duke lindur….
Raimonda MOISIU
Hartford CT USA
Posted in Blogroll | No Comments »
“MË SHUMË HEROIZMA SE SA GRURË”,
10/01/2012 by admin.
libër brilant i albanologut suedez Ulmar Kvik
-Disa përjetime gjatë leximi të librit-
Shkruar nga Viron KONA
Kush është ULMAR KVIK ?
Ulmar Kviku lindi më 13 qershor 1934. Babai i tij ishte punëtor por me interesa intelektuale për artet, politikën, dhe natyrën. Nëna ishte shtylla e familjes. Me sakrificat e familjes Ulmari i ri i vazhdoi studimet në gjimnaz dhe në shkollën pedagogjike. Ai u interesua për çështjet ndërkombëtare, për gjuhë të huaja, dhe ky interesim u forcua përmes dëgjimit të radiostacioneve të botës. Në këtë mënyrë ai mori kontakt me Radio Tiranën, Radio Shkodrën dhe Radio Kukësin. Në vitin 1969 fillon intensivisht të mësoj gjuhën shqipe, përmes literaturës që i vinte nga Shqipëria. Ndërkaq në vitet ’70, ’78, ’79, ’94, e vizitoi Shqipërinë, kurse në vitin ’95 mori pjesë në Seminarin Ndërkombëtar ”Shkodra ndër shekuj”. Në vitet 1970 dhe 2004 merr pjesë në Seminarin për albanologët e huaj që organizohet në Prishtinë. Gjatë viteve të ’70 Ulmari ka pasur kontakte të dendura me arbëreshët e Italisë. Ndërkaq më 1994 e ka vizituar edhe Maqedoninë Perëndimore. Më se një gjysmë shekulli kontakte me botën shqiptare nga Suedia!
Në foto, Ulmar Kvik
Në Suedi, Ulmari ka qenë zëdhënës jozyrtar i Shqipërisë dhe i mbarë kombit shqiptar. Ishte bashkëpunëtor e më vonë edhe kryetar i Shoqatës Suedeze-Shqiptare, që u themelua në vitin 1970 e ku për 10 vjet u botua Buletini - një tribunë për shqiptarët dhe letërsinë shqipe. Që nga viti 1981 bashkëpunon me gazetën e re ”Albanien och vi” (Shqipëria dhe ne). Më 2002 Shoqata Suedeze shqiptare u shndërrua në Komitetin Shqiptaro-Suedez, ku Ulmari pareshtur dha kontributin e tij.
Pothuajse të gjitha përkthimet letrare nga shqipja në suedisht kanë kaluar nëpër duart e Ulmar Kvikut. Ka botuar në suedisht një seri veprash të autorëve shqiptarë, të cilat i ka përkthyer me përkushtim. Ka bashkëpunuar në përpilimin e disa veprave tjera gjuhësore: tre fjalorë suedisht-shqip dhe një gramatikë të suedishtes në shqip. Në vitin 2004 nga Revista “Drita” në Treleborg iu botua libri i tij dokumentar në gjuhën suedeze “Mera hjältemod än vete” (Më shumë heroizma se sa grurë), ku flitet për shqiptarët gjatë shekullit XX, e të cilin tashmë lexuesi e ka në dorë, përkthyer në shqip nga shkrimtari dhe veprimtari i mirënjohur, Hajdin Abazi. Ulmar Kviku në bashkëpunim me mikun e tij, Lars-Erik Morinin, kanë përgatitur fjalorin shqip-suedisht, të parin fjalor të këtij lloji. Ai ndihet krenar për emërtimin “Shqiptar Nderi”, dhe për dekoratat e marra nga Zyra e Kosovës, në Suedi, si dhe nga Shoqata bamirëse “Nënë Terezë”, dega në Suedi. Ulmari është anëtar shumëvjeçar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Suedisë.( Jetëshkrimi i Ulmar Kvik, është mbështetur në shkrimin e Kryeredaktorit të “Dritës”, Shefki Oseku)
1.
Ka kohë, që më ka ngacmuar dëshira për t`u shprehur për personalitetin e letrave suedeze dhe shqipe Ulmar Kvik, mikun e madh të shqiptarëve, këtë Njeri të rrallë e të përkushtuar gjer në madhështi drejt Kombit Shqiptar. Por, nuk është vetëm kjo arsyeja e këtij shkrimi. Edhe sikur vetëm kaq, mjafton për të shkruar faqe të tëra, po kësaj here, sapo mbarova së lexuari librin e tij të njohur “Më shumë heroizma sesa grurë’, ku Ulmar Kvik, arrin të realizoj me përkushtim dhe kompetencë një analizë dokumentare të historisë dhe jetës shoqërore të shqiptarëve të shekullit të XX, e cila është po aq, edhe një vepër me vlera publicistike, artistike e gjuhësore. Respektoj dhe mbështes plotësisht mendimin e përkthyesit të këtij libri, z. Hajdin Abazi, i cili, në parathënie, shkruan se: “Ulmar Kvik, me qetësinë tipike suedeze dhe me vendosmëri të palëkundshme, për një gjysmë shekulli ka qenë i lidhur shpirtërisht me popullin shqiptar. Me punën dhe angazhimin e tij që ka bërë për kulturën dhe letërsinë, për poezinë dhe afirmimin e shqiptarëve si një komb evropian, me zërin që ka ngritur kundër shtypjes së shqiptarëve nga shovinizmi serb - Ulmar Kviku është figura suedeze më markante që na bën të ushqejmë respekt të përhershëm ndaj tij, ndaj përkushtimit të tij për gjithë atë që është shqiptare, veçmas për përkrahjen me gjithë zemër që u ka bërë prirjeve tona për të flakur të kaluarën e errët dhe për t’u rilidhur me kombet e kontinentit, pra me Perëndimin”.
Që në hyrje të librit, Ulmar argumenton bindshëm origjinën e lashtë ilire të shqiptarëve dhe zhvillimin si komb, duke nënvizuar faktin se ndaj Shqipërisë, ka pasur në shekuj invazione të shumta pushtuese, që, përpos dhunës dhe shkatërrimit, bën ç`është e mundur të tjetërsonin origjinën dhe veçoritë karakteristike të këtij populli të lashtë. Ulmar veçon se “Në luftën kundër këtij ekspansioni, shqiptarët, nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit, të njohur më tepër si Skënderbe, kanë luajtur një rol vendimtar”. Duke përshkruar sundimin osman, autori, vijon: “Nën perandorinë osmane do të mbeten për më tepër se 450 vite dhe vetëm më 1912 e arritën pavarësinë e tyre – por që përfshiu vetëm gjysmën e kombit. Shqiptarët në Kosovë, Maqedoni e në treva të tjera mbetën jashtë kufijve”. Me këtë konkluzion të prof. Ulmar pajtohesh plotësisht kur sjell ndërmend se nga evropianët dhe bota, shqiptarët janë lënë jo rrallë në mëshirën e fatit, të braktisur në rrugët e historisë, ndonëse pozicioni gjeografik i Shqipërisë ka qenë dhe është i bekuar nga Zoti, ndonëse ky popull, ka treguar përherë vitalitet të rrallë, duke nxjerrë pareshtur nga gjiri i tij mendje të ndritura dhe personalitete që i kanë shërbyer Atdheut, Evropës dhe botës, duke dëshmuar kësisoj se “Është popull i madh, ai popull që nxjerrë njerëz të mëdhenj”. E, gjithkush bindet për këtë, kur shikon se populli shqiptar në shekuj ka nxjerrë një mbret si Bardhyli dhe një mbretëreshë si Teuta; një Glaukia, që, është nga të vetmit me ushtrinë e tij, i cili, në një betejë arriti të mundte edhe Aleksandrin e Madh, mbase, kjo ngjarje, e ngjashme në një farë mënyre, me betejat triumfale të Karlit të XII të Suedisë, i cili, - siç thotë Ernest H. Gombrih, - “…me ushtrinë e tij luftoi Pjetrin e Madh, duke mundur një fuqi pesë herë më të madhe…”. Trualli shqiptar ka nxjerrë personalitete dhe ushtarak të mëdhenj të vlerësuar nga historianë të lashtë dhe të kohëve moderne. Për ilirët, paraardhës të shqiptarëve, kanë shkruar e janë shprehur shkrimtarë dhe historianë të shquar të antikitetit: Homeri, Herodoti, Plutarku, Apiani, Aristoteli, Straboni, Tit Livi, Ciceroni, Cezari, Virgjili…, më pas: Shekspiri, Hygoi, Dumasi, Gotje, Bajroni, Longfellohu…Lukiani, përmend me nderim gjeneralin e pakrahasueshëm Pirro i Epirit, teksa në vazhdim, e gjithë bota njeh veprën në mbrojtje të atdheut dhe krishterimit, të heroit më të madh të Kombit Shqiptar, Gjergj Kastrioti, Skënderbeu; Historianët, radhitin ndër njerëzit e shquar të Shqipërisë, themeluesin e shtetit të pavarur të Egjiptit, Mehmet Aliun, prej të cilit zë fill dinastia mbretërore egjiptiane; Ali Pashë Tepelenën, pashain e Janinës, që luftoi për t`u shkëputur nga Turqia. Sarajet e tij, i vizituan mjaft nga personalitetet më të njohur të botës, midis tyre, siç shkruan Sabri Godo, Aliun e vizitoi edhe Gustav Adolfi i Suedisë… Historianët përmendin bashkëpunëtorin më të ngushtë të Garibaldit, arbreshin Francesko Krispi, i cili u bë i pari kryeministër i Italisë së Bashkuar; nderojnë themeluesin e gjuhës së sotme letrare turke Sami Frashrin. Dhe, duke vazhduar, ndalen në kohët e sotme, tek Ferid Murati, përfaqësues i diasporës shqiptare në SHBA, fitues i çmimit Nobel në Mjekësi… Janë edhe me dhjetëra e dhjetëra njerëz të tjerë të mëdhenj, që ka nxjerrë populli shqiptar ndër shekuj, por, në piedestalin më të lartë të nderit, shqiptarët kanë vendosur margaritarin më vezullues, që njeh dhe përkulet me nderim e mirënjohje e gjithë bota: Nobelisten, Nënë Terezën e madhërishme, e cila që në vështrimin e saj të parë, duket se thotë: “Paqja, fillon me një buzëqeshje ”. Sikurse, personalitete të tjerë historikë të Shqipërisë, me madhështinë dhe sakrificat e tyre sublime, i kanë dhënë shumë edhe popujve fqinj. “Pa pjesëtarët e popullatës shqiptare në Greqi, - nënvizon Ulmar, - grekët nuk do ta fitonin kurrë luftën e lirisë kundër turqve: Thuaj se të gjithë prijësit e shquar të palikarëve ishin shqiptar..”
Duke përfshirë në librin e tij harkun kohor 1912 - 2001, Ulmar Kvik, parashtron dhe pasuron me argumente tezat për shqiptarët në Republikën e Shqipërisë, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në Diasporë, kudo, ku ata jetojnë. Dihet botërisht, se, kur mbërritën serbët në Ballkan, në fund të viteve 500 dhe në fillimin e viteve 600, dardanët, fis i lashtë ilir, ndodheshin në Dardaninë e tyre…Teza mbi etnitetin ilir të dardanëve, mbështetet nga shumë studiues me emër, e veçanërisht nga linguistët Tomashek, P. Kreçmer, H. Krahe, N. Jokl….Kurse, Edith Durham, shprehet se:“..Dardaninë, e gjejmë në hartat e Ptolomeut…Në aspektin onomastik, Eqrem Çabej,.. formimin e dardanëve, e sheh para shekullit XII para erës sonë.. Historiania ruse Ana Smirnova, në veprën e saj “Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX”, nënvizon se “Kosova u përfshi për herë të parë në përbërje të Serbisë pikërisht në periudhën e përpunimit të statusit të shtetit të ri dhe të përcaktimit të kufijve të tij, pas luftërave ballkanike të viteve 1912 -1913. Përpara kësaj, në rrjedhë të pesëqindvjeçarëve të pushtimit turk, Kosova ishte një njësi administrative më vete në perandorinë osmane..“Serbët, - shkruan Ulmar, - prireshin nga ëndrra për Serbi të Madhe… Ata kishin luftuar për lirinë e tyre kundër turqve, e ndërkohë nuk dëshironin që shqiptarët dhe popujt e tjerë të Ballkanit të fitonin pavarësitë e tyre. Kjo provonte se mentaliteti i tyre ende ishte i ulët…”
x x x
Ka origjinalitet mënyra shkrimore e librit, ku shprehet një ndërthurje mes artistikes dhe publicistikës, veçanërisht kur Ulmar i referohet studentit Anders, nëpërmjet të cilit, arrin të konkludoi dhe analizoj ide, meditime, përfytyrime, mesazhe dhe pamje interesante. “Mirë, malazezët dhe turqit, mund edhe të grinden; por fuqitë civilizuese kurrë më nuk do të hidheshin kundër njëra-tjetrës - kjo ishte melodia e asaj kohe”. Në vazhdim të idesë, dihet, se, nga konfliktet e vogla, shpesh herë kanë lindur divergjenca të mëdha, ose, e thënë ndryshe me gjuhën e popullit: “Një shkëndijë, ndez një mal”. Dhe, vërtetë, “shkëndija” ose preteksti i fillimit të Luftës së Parë Botërore, ishte vrasja e kryedukës Franc Ferdinand, (trashëgimtari i Fronit të Perandorisë Austro - Hungareze), në Sarajevë të Bosnjës, nga serbo - boshnjaku Gavril Princip, më 28 qershor 1914. Ndërkohë, që, .dihet, gjithashtu, se, pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, bota u trondit nga tmerri, kur bilanci tragjik i luftës rezultoi me afro 20 milionë njerëz të vrarë. Atëherë, ishin të shumtë ata politikanë, burra shtetesh, shkrimtarë, shkencëtarë, artistë, që bën apel, duke gjykuar gjëmën që ndodhi. Ata kërkonin të ndalnin doemos fenomene të tilla antinjerëzore, të shkaktuar nga vetë njerëzit kundër njerëzve, shtetet kundër shteteve. Por, sapo kaluan 20 vjet nga ajo mynxyrë , bota u përfshi përsëri në vorbullën e një tragjedie disa herë më të madhe dhe më të zezë nga e para, në Luftën e Dytë Botërore, ku humbën jetën mbi 60 milionë njerëz, pa llogaritur shkatërrimet dhe dëmet materiale…
2.
Në librin e tij “Më shumë heroizma sesa grurë”, autori ndalet në vlerësimin realist të Lord Bajronit, vlerësim ky, artistikisht mjaft i njohur, jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga bota, nëpërmjet vargjeve të mrekullueshme që Lord Bajroni, ka shkruar në poemën e tij të famshme “Çajld Harold”. Ulmar, të vë në mendime kur analizon me dhembje zakonin e egër e tradicional të gjakmarrjes, që merrte pa kufij jetë njerëzish të pafajshëm, thjesht për një kanun e zakon, për një fjalë apo mendim të thënë ndonjëherë edhe pa të keq, ashtu shkarazi. “Mirëpo si individë, - shkruan Ulmar, - sipas autorëve, - ata janë të ndershëm dhe modestë, dhe mbi të gjitha sidomos mikpritës. Mikpritja e tyre jeton edhe në ditët tona më fuqishëm se në asnjë vend tjetër. Gjakmarrja është një doke tjetër karakteristike e shqiptarëve, si te malazezët dhe korsikanët; mirëpo te shqiptarët gjakmarrja kishte një kufizim të hekurt: po qe se armiku kërkon mbrojtje në emër të mikpritjes, ai mundet në mënyrë krejt të sigurt të flejë në shtëpinë e armikut. Ligjet e mikpritjes qëndronin faktikisht mbi ato të gjakmarrjes, dhe ai që i shkel ato konsiderohet si kriminel dhe mund të vritej nga kushdo”.
Toleranca, është bukuri e shpirtit njerëzor. Teksa shprehem kështu, sjellë në kujtesë mendimet e një nxënësi të shkollës “Lidhja e Prizrenit” në Tiranë, në vitin 2006, në një hartim për gjakmarrjen “… gjakmarrja nuk ekziston vetëm në zonat e Veriut, por atë ka raste që e gjen deri edhe brenda kryeqytetit. Pranë shtëpisë sime, - shkruante nxënësi - fëmijë, - jeton një familje e ngujuar. Ne gjithmonë luajmë larg asaj dere të heshtur, larg atyre mureve të lartë. Asnjëri nga ne nuk e ka parë ndonjëherë të hapur atë derë. Askush nuk e ka kaluar ndonjëherë pragun e asaj shtëpie, megjithëse atje jetojnë dy djem të vegjël në moshën tonë…”
Shprehjet e fëmijëve tingëllojnë si kambana alarmi për jetën. Me shikimet e tyre të pafajshme dhe të kaltra si qielli, të ndritshme si drita e diellit, ata luten dhe u kërkojnë ndihmë të rriturve, për ata fëmijë që vazhdojnë ende të qëndrojnë të ngujuar, që ata të jenë sa më shpejtë të lirë si zogjtë në fluturim, si dallëndyshet që shtegtojnë kontinenteve, si shqiponjat që e shikojnë diellin në sy…
Takim me presidentin Ibrahim Rugova,2004
3.
Me karakter hulumtues dhe shkencor, përshkruhet në libër lëvizja për pavarësi te shqiptarët: “Aleanca Ballkanike kishte vendosur të shpërbënte Shqipërinë. Armatat e tyre kishin pushtuar pjesët më të mëdha të vendit – të cilat përmenden edhe me qëllimet shfarosëse të popullatës – dhe gjendja ishte tepër e pashpresë. Më 28 nëntor 1912, delegatët nga e tërë Shqipëria – për aq sa ata mund të arrinin, u bashkuan në qytetin e Vlorës, në bregdetin shqiptar të jugut, në një Kuvend Nacional, dhe po atë ditë, e shpallën Shqipërinë shtet të lirë, sovran dhe të pavarur. Burrë shteti i vjetër Ismail Qemal beu, në ballkonin e shtëpisë së bashkisë e kishte ngritur flamurin shqiptar, që ishte qëndisur nga një vlonjate, Marigona. Ishte shqipja e heroit kombëtar Skënderbeu: një shqiponjë e dykrenare me ngjyrë të zezë në sfond të kuq”.
Me një ndjenja të thellë humanizmi, Ulmar ndalet në përshkrimin e vuajtjeve të shqiptarëve nga shovinizmi i fqinjëve, kurse në pjesën “Luftë e ashpër dhe fund i ashpër”, përshkruan në mënyrë dokumentare dhe letrare vdekjen heroike trimërore të Isa Buletinit, që autori e cilëson si “Luftëtarin e madh të lirisë” që u bë pjesë e legjendës së popullit të tij heroik… Isai arriti moshën 52-vjeçare, por u bë legjendë në popullin e tij. Ishte lindur në një fshat të vogël në periferi të qytetit kosovar Mitrovica, dhe tërë jeta e tij do të mbushet përplot me luftëra dhe përpjekje të tjera për të siguruar ardhmërinë e shqiptarëve”. : “Unë jam mirë, kur Shqipëria është mirë”. - citon Ulmar fjalët e atdhetarit të madh shqiptar”. Ndërkaq ka një theks interesant dhe plot ndjeshmëri e dhembje njerëzore, kreu i titulluar “Dashuria e pamundshme: Lule Marku”, ku morali dhe vlerat njerëzore preokupojnë ndër shekuj njerëzit dhe personalitetet , përfaqësues vizionar të së ardhmes dhe të humanizmit, siç na shfaqet autori i nderuar i këtij libri. Këtu pasqyrohet drejtpërdrejtë, dashuria e një vajze shqiptare me emrin kuptimplotë shqiptar Lule dhe përballja e saj me të keqen e botës që e rrethonte. Në përshkrimin mjeshtëror të Ulmar, të krijohet përfytyrimi i një ujëvarë të kaltër dhe ujë pastër, por, që, fati, stuhitë dhe egërsia e kohës, e përplasë zhurmshëm e dhimbshëm, duke e copëtuar në shkëmbinjtë e mprehtë të një humnere të zezë. Me tregimin e tij mbresëlënës, suedezi Ulmar shton një trëndafil të bardhë në buqetën me lule të freskëta, që shndrisin nga vesa, për shqiptarkën e bukur, që e meritonte si askush tjetër emrin, Lule.
“Ditën kur Aloisi iku nga Shkodra, për të mos u kthyer kurrë më, Lulja nuk pati mundësi t’i afrohej më. Ai ishte përshëndetur me të me fjalët: Lule, je me mua për jetë, në shpirtin tim. Sytë e Lules, të mbushur me lot, ishin si sy të një të dënuari me vdekje. Ajo kishte pasur kohën e vet të lulëzimit, tash kishte ardhur vjeshta dhe ajo do të fishkej e nuk do të mugullonte kurrë më. Pas fishkjes, lulja që po vdiste do ta priste dimrin nën tokën e ftohtë, të zezë”.
Po aq dhimbshëm, por me kolor tjetër, tregohet në libër zanafilla dhe përmbajtja e këngës së njohur shqiptare:“Mbeç, more shokë, mbeçë!”, por, që, edhe ajo shpreh atë realitet të zi bashkëshoqërues të shqiptarëve të pafat, jetëve të të cilëve, nuk u mbetej gjë tjetër, veçse të shndërroheshin në këngë të dhimbshme. Ndërkaq, kësaj shkrimtarie pikante, i bashkohet natyrshëm, balada e njohur shqiptare, e titulluar“Kënga e Rexhës”, që edhe sot jehon përmes vargjeve melodikë, trojeve shqiptare, diasporës; kumbon në veshët e dëgjuesve të çdo kombi si një refren i dhimbshëm, që tregon fatin e keq dhe të pamëshirshëm që e ka ndjekur popullin tonë vital dhe me shpirt të rrallë human. Tërheq vëmendjen këndvështrimi origjinal dhe ndriçimi i figurës së liderit shqiptar Mid`had bej Frashri. Nëpërmjet analizës së këtij personaliteti, depërtohet në mjegullën që rrethoi Shqipërinë në rrugën që zgjodhi pas Luftës së Dytë Botërore dhe qëndrimi jo luajal që mbajtën forcat komuniste që po vinin në pushtet me elitën intelektuale social – politike. Ulmar bën këtu një analizë interesante, duke i çelur më shumë sytë lexuesit dhe duke ia bërë të qarta mjaft dukuri, ngjarje, fenomene të indoktrinuara, të paraqitura gjithnjë bardhë e zi. Autori demaskon bindshëm absurditetin e asaj kohe, lidhur me qëndrimet ndaj figurave të shquara të historisë kombëtare, që, gjithsesi, sot, në demokraci, po ngrihen dhe po vendosen në Panteonin e nderuar të Kombit shqiptar. Në analizën e fakteve, duke qenë i anshëm vetëm me të vërtetën, Ulmar, i ballafaqon mendimet dhe kundër mendimet, thëniet dhe kundërthëniet, si ai mjeshtri fotograf, që përpiqet të laj në laborator filmin fotografik në mënyrë sa më profesionale, që fotoja të shfaqet sa më e pastër dhe sa më e qartë. Kështu vepron autori, edhe kur ndriçon e hedh dritë jo vetëm për episode e ngjarje, por edhe kur portretizon tipa e karaktere njerëzish, qofshin këta lider politik ose autoritete të respektuar e të nderuar nga populli. Ulmar i përmbahet thënies së Lukianit: “…rëndësi më të madhe ka që mendja e historianit t`i ngjajë një pasqyre, një pasqyre të pastër, të ndritshme dhe të lëmuar; ashtu siç i merr ajo figurat e sendeve, po ashtu duhet t`i pasqyrojë, pa paraqitur asgjë të shtrembëruar ose të ndryshuar në pikëpamje të ngjyrës e të formës….” Në vijim të kësaj ideje, suedezi Ulmar Kvik, ballafaqon dhe qartëson edhe vet thëniet e disa prej protagonistëve si dhe evoluimin e mendimeve të tyre, siç është rasti i përmendjes së rrëfimit të N. Hoxhës për portretizimin interesant dhe, së fundi, me respekt të Mid`hat Frashrit. Ndërsa, pakëz më tej, ai përshkruan një krijim të Mid`hat Frashrit me temë gjakmarrjen, si të dojë të na sjellë përpara syve personalitetin me vlera nga dera e frashërllinjve të famshëm të Rilindjes Kombëtare Shqiptare
4.
Duke analizuar e nxjerrë përfundime për karakterin, temperamentin dhe kulturën e shqiptarëve, Ulmar “kërkon” mbështetjen e studiueses së madhe angleze, mikeshë e së drejtës shqiptare Edith Durhamit, por edhe të Holger Pedersenit në albanologji, i cili i kushtoi shumë vite studimi gjuhës shqipe dhe parahistorisë së shqiptarëve, ndërkohë që i referohet autoriteteve të tjerë të albanologjisë dhe shkencëtarëve e gjuhëtarëve të mëdhenj: Norbert Jokl, Franz Nopça, Maksimilian Lamberc…
Natyrisht që kreu “Më shumë heroizma sesa grurë”, që pagëzon edhe titullin e librit brilant të Ulmar Kvik, përbën një monument të realizuar në detaj dhe transparent, të përgjithësimit të natyrës dhe karakterit të shqiptarëve si popull, që, suedezi i shquar, i shpreh mjaft bukur, këndshëm dhe me një gjuhë të pasur letrare: “Netët e gjata e të ashpra dimërore në malësinë e Shqipërisë veriore i mblidhnin njerëzit e shtëpisë dhe mysafirët, që vinin nga rrethi ose nga rrugë të gjata, në konakun e shtruar me shilte dhe jastëk. Njeriu mund të ulej në to ose në trapazan, lloj bankash të kapura për muri. Gratë, si rregull, nuk rrinin bashkë me burrat, kurse fëmijët dëgjonin syhapur tregimet e të vjetërve. Rast i paharrueshëm ishte kur ndodhte që ndonjë rapsod, një lloj këngëtari shëtitës, të vinte për vizitë në shtëpi. Një rapsod i shkathët dinte me mijëra vargje, ku këndoheshin aktet heroike të trimave shqiptarë. Kështu kalonte mbrëmja në kullë – një shtëpi, e cila njëherësh ishte edhe një fortesë mbrojtëse me frëngji të vogla; e fëmijët do të shënonin mirë në kujtesë gjithë ç’ dëgjonin. Këngë pas kënge kushtuar trimërisë, dhe kështu krijohej një klimë shpirtërore, ku virtytet tradicionale si besa, nderi, burrëria do të forcoheshin edhe më dhe do të përcilleshin nga brezi në brez. Pra, pikërisht ashtu sikurse Ismail Kadare e ka theksuar në poemën e tij “Përse mendohen këto male”, toka shqiptare ka dhënë më shumë heroizma se sa grurë.”
Çdo lexuesi i këtyre fragmenteve jetësore dhe origjinale, në botën e qytetëruar, nuk mund të mos sjellë ndërmend kohërat e lashta homerike, kur dhe vetë Homeri, që shpesh konsiderohet si një “rapsod shëtitës”, i këndon në vargje historitë e Luftës së Trojës dhe, ku, të tjerë, në shekujt pas tij, i pasuruan dhe latuan ato vargje, duke i dhënë formë e ngjyrim të përkryer, ashtu si lumi rrumbullakos dhe lëmon me ujin e tij të rrëmbyeshëm dhe të rrjedhshëm gurët dhe zajet e bardhë. Nuk ka “makinë” që të bëj atë lëmim dhe atë latim, që u bën gurëve dhe zajeve, lumi me rrëmbyershmërinë e tij në rrjedhat e kohëve. Sikurse, koha dhe njerëzit, latojnë e krijojnë vargje dhe këngë për jetën e popujve dhe të figurave të tyre më të dashura, duke i ngritur në piedestalet e legjendave dhe të gojëdhënave popullore.
Ulmar, me një mënyrë studimore dhe analitike, vazhdimisht kur është fjala për referenca, ka ditur gjithnjë të qëmtojë dhe të zgjedhë figura historike e letrare me peshë, që kanë dhuruar bisqe të gjelbër dhe me lëng jetësor, në trungun dhe rrënjët e atdheut. Kështu, krahas Kadaresë, ai nderon punën e Mitrush Kutelit si autor tekstesh me një prozë mbresëlënëse, ku përshkruhen këngët më të rëndësishme të trimërisë, legjenda të bukurisë trimërore. Si në një ekran filmi, kalojnë dhe analizohen shkencërisht përmbajtja dhe origjina e Baladës së Rozafës, Kënga e Konstandinit dhe Doruntinës, Kënga e Halil Garrisë, Balada e Gjergj Elez Alisë që, siç shkruan Ulmar, “ka tipare të përbashkëta me legjendën suedeze kushtuar Shën Goranit dhe kulshedrës (Georg – Gjergj – Göran), që është një motiv i përhapur gjerësisht”. Është mbresëlënës veçanërisht një ndër përfundimet që arrin autori i librit, kur thotë: “Një gjë, sidoqoftë, është e sigurt: Këngët si ato për Konstandinin e Doruntinën dhe për Gjergj Elez Alinë, i kanë mësuar shqiptarët se nuk ka ndonjë gjë që është e pamundur për vullnetin njerëzor. Se asgjë nuk mund ta pengojë mbrojtjen e nderit, sedrës dhe atdheut….”… Duke u ndalur tek disa nga rrëfenjëzat mbështetur në “Tregime të moçme shqiptare” të Kutelit, suedezi Kvik, i bën të njohur lexuesve këto rrëfenjëza si një pasuri kulturore dhe shpirtërore, por edhe i nënvizon si për të vulosur aksiomën se “Të huajt erdhën e shkuan, kurse populli ynë mbeti ngulur në këtë tokë ilire”.
Trajtimi i problemeve për emancipimin e mëtejshëm të grave dhe ta vajzave, pra të gruas në përgjithësi, është një trajtim modern që i bën Ulmar kësaj çështje në librin e tij. Madje ai me një mendim të mprehtë analizon dhe vë përballë një fjalim të Mid`hat Frashrit dhe një fjalim të Enver Hoxhës, duke arritur në përfundime interesante dhe kuptimplote. Bindemi për mënyrën sesi Ulmar e trajton temën e emancipimit të gruas, për ardhmërinë e fatit të saj, aq më tepër, sepse analizën rreth kësaj teme e dëgjojmë nga një qytetar dhe studiues suedez, vendi i të cilit ka parametrat më të zhvilluar të emancipimit të gruas në Evropë dhe në Botë. Në Shqipëri, jo se ka munguar mendimi i përparuar në qëndrimin ndaj gruas dhe lirive të saj. Por, e kanë konsakruar qëndrimin ndaj femrës, një sërë faktorësh dhe problematikash, të lidhura ngushtë me mentalitetet e trashëguara kanunore, me varfërinë e skajshme, me mungesën e urave komunikuese me mendimin më të përparuar evropian. Sikurse, kanë ndikuar dukshëm negativisht ndaj femrës, komplekset patriarkale dhe të prapambetura të qeverisjeve të trashëguara, si ato të periudhës së pushtimit osman, ajo e mbretit Zog dhe, qeverisja komuniste. Kjo e fundit, bëri hapa të dukshme përpara në emancipimin e femrës shqiptare, sikurse në arsimimin e saj, por edhe në elektrifikimin e vendit etj, por, pavarësisht propagandës për emancipim, përsëri, nuk arriti t`i jepte femrës, vendin që i takonte. Femra shqiptare, veçanërisht, ajo e fshatrave, e zonave të thella të vendit e rurale, mbeti shpesh herë në pozitat e një “skllaveje” të familjes, duke “i ngarkuar kompetencën” e punëve shtëpiake dhe atyre të kuzhinës. Në shembujt që sjellë në libër, siç janë rastet e dy vajzave nga Kosova të shtrënguara të largohen nga dhuna familjare dhe të ndërtojnë familje bashkëkohore, Ulmar, krahas qëndrimit kritik që mban ndaj mentaliteteve dhe karakterit të vrazhdë të disa prindërve, që janë skllevër të zakoneve kanunore, nuk nguron të tregohet kritik edhe ndaj institucioneve, qofshin edhe suedeze për nevojën e një tolerance dhe angazhimi më të madh në ndihmë të humanizmit dhe dashurisë njerëzore, për ata njerëz në nevojë e, veçanërisht për gratë ose vajzat e pambrojtura. “Njollat e këtilla duhet të nxirren në dritë. Duhet të jetë e qartë për çdo njëri në këtë botë që thirret në të drejtat njerëzore, se prindërit nuk mund ta caktojnë jetën e fëmijëve të tyre, se prindërit dhe të tjerët nuk mund të kenë pushtet vendimtar mbi çështje kaq personale, si fejesa dhe martesa. Askush nuk ka të drejtë të vendosë mbi jetën e të rriturve të tjerë, askush nuk ka të drejtë ta detyrojë askënd në një lloj jete, të cilën ai apo ajo e urren. Kjo është një gjë elementare, që do të duhej të ishte e vetëkuptueshme. Dhe ne duhet t’i mbrojmë principet e këtilla demokratike”
Duke analizuar gjuhën shqipe, etimologjinë, huazimet dhe ngjashmëritë që ajo ka me gjuhët e tjera, Ulmar tregon dashamirësinë dhe respektin e tij për gjuhën shqipe si vazhdim i ilirishtes edhe në rastin kur shprehet se: “Thënë në përgjithësi, nuk është aspak befasuese po qe se shqipja është përdorur edhe në formën e shkruar përpara shekullit të XV”. Është rasti të përmendim këtu, edhe kulturën e gjerë etimologjike të fjalëve që përdoren në këtë libër dhe që janë njëherazi edhe një informacion i pasur për gjuhësinë shqiptare, dialektologjinë e leksikologjinë.
Në librin e tij prof. Ulmar na krijon një njohje më të gjerë për figurën e Erik Hans Tunman(1746-1778), një hulumtues mbi gjenezën e shqiptarëve, i cili ndonëse vdiq në moshë shumë të re, rrojti vetëm 32 vjeç, arriti të botonte një sërë punimesh shkencore që shquhen nga një pjekuri e madhe, një qëndrim të gjerë e të thellë dhe vetëkritik. Më e njohura nga këto punime është “Hulumtime në lidhje me historinë e popujve evrolindor” (1774), prej të cilave vetëm pjesa e parë është botuar. Në këtë vepër, tema “Mbi historinë dhe gjuhën e shqiptarëve dhe të vllahëve” përfshinë faqet 171 - 366”…”Si një çështje kardinale e konsideron problemin me ilirët dhe shqiptarët, dhe, Tunmani, vjen në përfundimin se ilirët janë stërgjyshërit e shqiptarëve. Ai thekson se “në historinë e shqiptarëve nuk kam gjetur ndonjë gjurmë nga ndonjë emigrim i kohëve të vona: gjuha e tyre na ka dhënë asofarë dëshmish mbi fatin e popullit, sa që unë nuk mund të mos i pranoj ata si fqinjë të grekëve të vjetër dhe nënshtetas të Romës antike. Dhe në të dyja këto raste ata janë të njëjtë me ilirët”.
Duke shkruar për vlerat e shpirtit dhe të humanizmit shqiptar, Ulmar nuk lë pa përmendur edhe faktin tashmë të njohur dhe të deklaruar nga vetë shtetarë të Izraelit se “Shqipëria ishte i vetmi vend ku asnjë hebre nuk ishte tradhtuar, edhe pse mosdorëzimi i hebrenjve ishte me rrezik për shqiptarët”. Ndërkaq, me një penë të hollë dhe shprehje mirësie suedezi Ulmar Kvik, sjellë në faqet e librit lidhjet e hershme të shqiptarëve dhe njohjen për vendin e tij, Suedinë. Kalojnë si sekuenca filmi ngjarje të “Doktor Gjilpërës”, të Faik Konicës, “Astalavista” e Petro Markos, përshkrimet e bukura që bënë Sterio Spasse gjatë vizitës së tij dhe që i përshkruan po aq bukur i biri Iliden Spasse në librin “Im at, Sterjo !”, kujtimet e ngrohta të Musine Kokalarit dhe përshtypjet e ndjera dhe jetësore të saj për novelat e nobelistes suedeze Selma Lagerlof, ku, siç shprehet Ulmar: “Përfytyrimet e mira e të ndritshme na ndihmojnë të mbijetojmë”. Ndërkohë është interesante analiza që i bën Ulmar nevojës së zhvillimit të vërtetë demokratik të vendit dhe ndihmës dhe mbështetjes që duhet t`i japë Evropa Shqipërisë. Sikurse është realiste dhe objektive analiza që ai i bën periudhës së sundimit të Enver Hoxhës në Shqipëri. Ulmar afishon në mënyrë sintetike dëshmitë e personave konkretë, që e kanë vuajtur më shumë atë periudhë, e cila kishte një simbolik të quajtur Diktatura e Proletariatit, por që në thelb ishte diktaturë e individëve të veshur me pushtet. Periudha që erdhi më pas, ose më saktë, tranzicioni demokratik, nuk është se i zgjidhi tërësisht problemet e shqiptarëve, por ai u dha atyre, atë që është më e shtrenjta për njeriun: lirinë. E, megjithatë, politika dhe qeverisjet në Shqipëri, më shumë kanë menduar sesi ta sundojnë dhe jo ta drejtojnë popullin. Nganjëherë, krijohet përshtypja, se, ata që marrin pushtetin, edhe sikur një qind vjet të qëndrojnë në krye të vendit, përsëri do t`ua hedhin fajin vetëm atyre që sapo ikën dhe, nuk marrin së paku mundimin, të shikohen edhe vetë për pak çaste në pasqyrë, duke analizuar me përgjegjësi demokratike se çfarë kanë bërë ata vetë në vitet e demokracisë shqiptare. Është e rëndë ta thuash, por në mënyrën sesi vepron politika shqiptare, herë - herë krijohet iluzioni, se ajo e ka shndërruar popullin në një “mushkë” që ndërron vetëm “kalorësit”. Disa nga politikanët e rëndësishëm shqiptarë, e kanë të vështirë të shërohen nga sëmundjet e disa prej paraardhësve të tyre të së shkuarës turkoshake, zogiste ose komuniste, duke vuajtur deri edhe sot, nga delire, duke ngulmuar me çdo kusht, që gjithnjë të jenë ata në krye. Zogu e shpalli veten mbret të Shqiptarëve. Asnjëherë nuk është sqaruar e kuptuar se me çfarë lloj arsyesh e argumentesh e ndërmori një veprim të tillë ?! Enver Hoxha, ndonëse propagandonte ide dhe teori revolucionare të masave, e shpalli veten Njësh, që i kishte të gjitha në dorë, si një Perandor i përjetshëm. Kështu, me të tilla reminishenca të së shkuarës, po vazhdon kjo histori. Ata që kanë qenë ministra, dëshirojnë me çdo kusht të bëhen kryeministra ose president, doemos, përndryshe formojnë pafundësisht Parti të reja, të cilat paguhen duke varfëruar skajshëm popullin shqiptar.
Në librin e prof. Ulmar, janë me interes për lexuesin dëshmitë e disa njerëzve që kanë vuajtur në burgjet e diktaturës, duke hedhur dritë mbi gjëra që shqiptarët që “ndërtonin socializmin”, mbase i merrnin me mend, por që nuk i dinin të ishin aq makabre. Në këto analiza, libri jep mësimin e madh që populli të hap sytë dhe të mos mashtrohet, por, me mekanizmin e votës, ai të vendos në krye ata njerëz që meritojnë, që t`i shërbejnë jo vetes, familjes dhe klaneve mafioze, por t`i shërbejnë popullit me devotshmëri e përkushtim. Lexuesi i paanshëm dhe realist, pajtohet plotësisht me prof. Ulmar, kur ai shprehet se, regjimi komunist ishte “krevat i Prokustit për popullin shqiptar”.
Suedezi Ulmar, i vlerëson ngjarjet dhe situatat që kaloi Shqipëria në këtë tranzicion demokratik, si të ishte njëri nga ne, si të ishte një vëllai ynë më i madh, i cili na vlerëson, por edhe kërkon të na gjendet pranë në çaste të vështira. Duket se, Ulmar, e respekton shprehjen e Herodotit se: “Veshëve u duhet besuar më pak se syve, prandaj dhe unë shkruaj ato që kam parë dhe jo ato që kam dëgjuar”. Bindemi për këtë, edhe me faktin, se Ulmar Kvik, nuk e ka parë botën shqiptare nga larg, përkundrazi, ai ka qenë shpesh herë në Shqipëri, në trojet shqiptare: në vitet `70, `78, `79, `94, `95,` 2004, `2005…`2011. Më se gjysmë shekulli, ai ka pasur kontakte dhe ka bërë vizita të vazhdueshme në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, ose te arbëreshët e Italisë dhe në hapësira të tjera të diasporës.
Jo më kot, ne kemi shprehjen që, miku i vërtetë, duket në kohë të vështira, dhe mund ta them me respekt e bindje, se suedezi i dashuruar me ne shqiptarët dhe historinë tonë, mbetet nga ata miq të vërtetë, që e ka dashur dhe e do Shqipërinë, si vëllai - vëllain, ndonëse i përkasim dy kombeve e vendeve të ndryshme, gjeografikisht larg njëri-tjetrit. Kjo nuk i pengon aspak ndjenjat njerëzore dhe humanitare mes njerëzve që e duan të mirën, paqen dhe përparimin, lirinë dhe demokracinë, por që duan dhe e thonë të vërtetën ashtu siç është, pa zbukurime, pa subjektivizma dhe pa patos emocional.
Libra të tillë na duhen dhe na nevojiten, por i nevojiten po aq edhe botës që të lexojë zëra të paanshëm dhe realist e objektiv për historinë e një vendi si Shqipëria. Vlerësojmë këtë libër të Ulmar edhe për mbështetjen në një literaturë të gjerë dhe të pasur, me referenca, por dhe duke nxjerrë konkluzione dhe arritur në përfundime origjinale dhe të sakta.
Dëshiroj të shprehë konsiderata për përkthimin korrekt dhe me kulturë gjuhësore që i bën këtij libri z. Hajdin Abazi, i cili e shpreh qartë dhe pa ekuivoke fjalën dhe mendimin e autorit të librit, duke i bërë nder vetes si përkthyes por, edhe lexuesve, sepse na paraqet një libër të pastër, të qartë dhe transparent në gjuhën e shkruar, me frazeologjinë e nevojshme, sintaksën e përdorur dhe leksikun e pasur, duke zbatuar këshillën e Floberit, “Të gjesh fjalën e duhur”. Meraku në se Ulmar, ia ka arritur që ta shpjerë lexuesin në mjedisin kulturor shqiptar, për mendimin tim, ka përgjigjen pozitive sepse, me mprehtësinë dhe aftësinë eksploruese dhe vëzhguese për të depërtuar në thellësi të “ajsbergut” historik shqiptar, ai, ka arritur të futet plotësisht dhe t`i zhvilloj idetë dhe analizat e tij brenda skenës së historisë shqiptare, me pikëzime dhe nuanca, me ide dhe përfundime shkencore
5.
Natyrisht që ky shkrim nuk është përfundimtar. Nuk do të ishte e drejtë dhe reale, të pretendoj, se, me një shkrim, mund të bëj analizën e plotë të një vepre madhore si “Më shumë heroizma se sa grurë”.Por, krijoj bindjen, se kjo vepër, do t`i qëndroj kohës. Tek ajo, duhet të drejtohet më shumë vëmendja e personaliteteve shqiptare të historisë, letërsisë, shkencave social – politike, letrare e gjuhësore. Sikurse, do të ishte në të mirë të studimit të historisë së Kombit Shqiptar, që ky tekst i plotë, i saktë, i qartë dhe bindës në faktet historikë, me konkluzione dhe me referenca serioze, të shërbejë si literaturë origjinale dhe e nevojshme për studentët në fakultetet e Historisë, Gjeografisë, Gjuhës, Letërsisë…
Në foto,Ulmar Kvik me një fëmijë nga Kosova.
Nga ana tjetër, dëshiroj të them se është mrekulli në jetën e njeriut, që të kontaktojë me njerëz me zemra të arta, që përhapin dritë e shkëlqim, që e bëjnë botën më të mirë dhe më të bukur. Suedezi Ulmar Kvik, është njëri nga këta njerëz dritë-përhapës, që ndriçon me punën dhe përkushtimin e tij deri dhe skutat e errëta, shpirtrat e venitur dhe mjediset gri; përpiqet vëllazërisht të shpërndaj retë e dëshpërimit e pesimizmit, duke i hapur vazhdimisht udhë rrezeve të diellit jetëdhënës. Prof. Ulmar, sjell tek ne miqësi, paqe dhe dituri; transmeton ndjenja vëllazërore e mirëkuptim; e shikon botën dhe jetën ashtu siç është dhe, përpiqet t`i japë ndihmesë vendit dhe popullit tonë, duke i kumtuar vlera, ide dhe mendime, fjalë të ëmbla që afrojnë dhe i bashkojnë më shumë shqiptarët me njëri-tjetrin.
Duke lexuar rreshtat e paragrafët e këtij libri, ndihesh mirë. Aty, nuk ka mllefe, nuk ka fyerje e sharje. Edhe “qortimet”, ngjasojnë me marrëdhënien që krijohet mes njerëzve të një familjeje; ndjenë në rreshtat e këtij libri, se ke përpara një studiues enciklopedik, realist dhe plot vizion, që di të ndalet në momente kyçe të historisë dhe jetës së një populli, që di të evidentoj vlerat, traditat, shpirtin e bukur dhe të dashur, mikpritjen dhe besën shqiptare.
Na janë shtuar miqtë e fushës së kulturës, shkencës gjuhësore dhe historike nga Gadishulli Skandinav. Krahas suedezit Tunman, krahas danezit Pedersen etj, në këta dhjetëvjeçarët e fundit, edhe një tjetër albanolog skandinav, suedezi me zemër të artë: Ulmar Kvik. Rrallë njerëz të tillë hasim në jetë, por, që, me ata, padyshim, bota është më e bukur.
Në një mesazh, që i kam dërguar para disa kohësh Ulmar Kvikut në korrespondencën me të, i kam shkruar se, “është trim ai, që merr në mbrojtje të voglin në çaste të vështira”. Dhe, ndihem i mrekulluar kur lexoj se, edhe në këtë libër, Ulmar e prezanton dukshëm dhe bindshëm këtë vlerë thellësisht njerëzore , të cilën e ushqen vazhdimisht me fjalët dhe veprën e tij, me kurajën qytetare dhe guximin, që karakterizon Suedinë e mrekullueshme, popullin e saj të mençur e fisnikë, që ka ndihmuar sinqerisht, e deri ka sakrifikuar për Shqipërinë dhe shqiptarët. Mirënjohës nëpër dekada e shekuj suedezëve dhe përfaqësuesve të shquar të tyre. Faleminderit, prof. Ulmar Kvik !
Posted in Blogroll | No Comments »
DY FJALË NËNËS
10/01/2012 by admin.
Nga Maya Angelou.
Kurrë luftë nuk nisa,
As derdha shira acide mbi katedrale.
Nuk i shkriva unë Yjet e Davidit,
Për ca rubineta ngjyrë ari,
As u ndriçova nga llampadare
Sajuar me lëkurë njeriu…
Në tokën e tjetrit kurrë s’e ngrita shitoren,
As dërgova misionarë përtej kufijve të mi,
Për t’u grabitur të fshehtat
Në shkëmbim të shpirtit…
Ja, përse Nënë
ata thonë
Se Ti më ke ç’burrëruar…
Eja,
Ulu në prehrin tim,
Më rrëfe
Çfarë do doje t’u thosha atyre
Para se t’ua zhbëj
Injorancën…
MARSHI I TË NJËMILIONTËVE*
Nata ish e gjatë,
Plaga e thellë ishte
Err’ e terr në gropë
Me muret teh thike
Larg bregut, nën një qiell mavi,
prej gërshetash zvarrë më tërhoqen,
dhe më plasën fare pranë teje
duarlidhur ishe, gojëmbyllur,
emrin tim s’e thirre dot njëherë,
ashtu krejt i mjerë, siç dhe unë isha
por ja që fatkeqësisht Historia
ta veshi Ty mantelin e turpit…
E thashë, pra-
Nata ish e gjatë
e thelle plaga ishte
gropa err’ e terr
faqet - tehe thike.
Por sot, buçet zëri i shpirtit të lashtë
na çon fjalë të thella,
përmes vitesh, shekujsh,
detesh, oqeanesh.
Thotë: Bashkohuni
dhe shpëtoni racën tuaj.
Zinxhiret e skllavërisë e kanë paguar çmimin e lirisë!
Toka e premtuar - larg, shumë larg këtej!
Nat’ e gjatë pafund
Plaga e thellë ishte
Err’ e terr në gropë
Me mure teh thike
Ferri që jetuam dhe prapë po jetojmë
Na i mprehu shqisat
dhe forcoi dëshirën
Por këtë mëngjes
kaq qartë e shoh mes ankthit,
Shpirtin tënd.
Dhe e di se bashkë do e bëjmë shpëtimin
Vrikthi sjell në mend të shkuaren e turpshme,
Në të kaftën e madhe të syrit tënd shoh’
Dashurinë për familjen!
Të them: - Le të perplasim duart
dhe shkojmë në këtë mbledhje të madhe,
Le të përplasim duart dhe të flasim gjuhën e dashurisë,
Le të përplasim duart dhe ta braktisim shtegun e ndyrë të indiferencës,
Përplasim duart dhe le të gjejmë ku fshihen zemrat tona,
të bashkohemi dhe të ndreqim fajet tona,
të bashkohemi dhe pastrojmë shpirtin,
t’i lëmë mënjanë provat naïve dhe të
ndalim shtrembërimin e historisë sonë
Përplas duart dhe shpëto shpirtrat nga rënia në humnerë.
Përplas duart dhe bëji vend gazit të hyjë në kuvend.
Njerzillëkut në dhomat tona të gjumit,
Dhembshurisë në kuzhinat tona.
Dhe përgjërimit për foshnjat…
E dime prej të parëve, se mes gjithë kësaj dhimbjeje,
Mbi gjithë këtë ferr -
Ne jemi të pazhdukshem dhe serish do ngrihemi
…Dhe sërish do ngrihemi!
* Million Man March - Levizje për bashkim dhe protestë e zezakëve të ShBA në vitin 1995, kundër diskriminimit dhe mospërfshirjes në zgjedhjet elektorale të më shumë se një milion e gjysëm njerëzve nga ky komunitet…
BURRAT
Isha shume e re kur nisa të përgjoja pas perdes,
burrat tek shkonin lart e poshtë rrugës. Të dehur, të plakur
Djelmosha të ngrirë si mustardë
Keni vënë re? Burrat gjithnjë
Diku shkojnë.
Ata e dinin që isha atje. Vetëm pesëmbëdhjetë vjeç
Dhe kaq e uritur për ta.
Poshtë dritares sime, pushonin një copë herë.
Nga lart shpatullat e tyre ngjanin
Si cica virgjëreshe.
Cepat e xhaketes u rrihnin
Të ndenjurat.
…Burra.
Një ditë ata të mbajnë në pëllëmbën e dorës
Butë, dhembshur krejt sikur ti je
E fundmja vezë e botës. Pastaj
nisin e shtrëngojnë muskujt. Fare pak. Shtrydhja e parë
shijon. Një përqafim i shpejtë.
Të vjen i ëmbël dorëzimi. Pak më fort.
Fillon dhimbja. Sajon një buzëqeshje
Që rrëshqet pranë frikës. Kur hapësira
Tretet tutje, mendja jote fap, shkrepëtin në një shpërthim të egër
Të beftë, krejt si një kokë shkrepseje.
Kërcitje. Thërrmim.
Eshtë lëngu yt
Që rrjedh nëpër këmbë. Njollos këpucët e tyre.
Kur toka kthehet prapë ne vend
Dhe shijet tentojnë t’i rikthehen gjuhës
Trupi yt i ka mbyllur të gjitha portat. Përgjithnjë.
Asnjë çelës më për to.
Atëherë dritarja tërhiqet në një cep të errët
Të mendjes tënde. Jashtë, ja aty përtej thekëve
Të perdes, ecin ata,
Burrat, që gjithnjë dicka dinë.
Por kësaj here, une thjesht do rri
Dhe do shoh.
Ndoshta.
ATA U KTHYEN NË SHTËPI
U kthyen prapë në shtëpi
Dhe grave u thanë se kurrë në jetë
Të tillë si unë s’kishin parë,
Por… Tek ‘to kthyen.
U thanë se jam kaq për së mbari
E pastër dritë-shtëpi e shpirt
Fjalëmbël… me një vel misteri,
Por… Tek ‘to kthyen.
Nga goj’ e tyre, mburrjet-lumë…
M’i deshën: gazin, mendjen, vithet
Më falën netë, veç dy a tri,
Por…
GRUA FENOMENALE
Gratë e bukura sfiliten të gjejnë sekretin e sharmit tim.
Ngase s’jam e bukur ndoshta, e as ndonje trup modeleje kam
dhe kur këto ua them atyre
mendojnë se tallem.
Them se -
është në gjatësinë e krahëve,
në përdredhjen e vitheve të mia,
në ritmin e hapave,
në formën e bukur të buzëve…
Jam jashtëzakonisht femër!
Një femër fenomenale
Jam unë.
Kur hyj në një dhomë,
aq qetë sa s’e merrni me mend
dhe një burri i afrohem,-
të gjithë shtangin a bien në gjunjë
dhe sulen drejt meje-
Një koshere e gëzueshme bletësh.
Them se -
është prej zjarrit që më digjet në sy
dhe vezullimit të bardhë të dhëmbëve,
lëkundja e belit ndoshta
dhe hareja e këmbëve.
Oh, jam jashtëzakonisht femër
Një femër fenomenale
Kjo jam unë.
Vetë burrat, sa herë janë habitur
Ç’gjë i tërheq drejt meje…
Përpiqen kaq shumë,
por s’munden t’i afrohen dot
të fshehtës sime.
Edhe kur vetë ua rrefej
prapë s’dinë ta prekin…
Them vjen
prej harkut të thellë të shpines,
nga dielli i buzëqeshjes sime,
përhedhja e gjoksit a ndoshta,
nga hijeshia e stilit
Oh, jam kaq e jashtëzakonshme
Një femër e mrekullueshme
Jam unë
Tani e kuptoni,
se përse nuk kam nevojë të tund koken,
të klith a të lëviz më kot,
a të flas me zë të lartë.
Nëse shihni që përmes kaloj
me krenari të thellë…Shijomëni!
Ju thashë, pra -
është në kërcitjen e takave të mia,
valëzimin e flokut,
në cipën e shndritshme të dores,
në etjen për njeriun -
Sepse jam e jashtëzakonshme,
Grua fenomenale -
Kjo jam unë.
DËSHIRË
Jepma doren
Më lër të bëhem mbretëresha dhe skllavja jote
Përtej këtyre poezive zemërake…
Ler’ të tjerët të provojnë
Të fshehtën e fjalëve përvëluese
Ose të dashurisë për dashurinë e humbur.
…Unë
vetëm dorën tënde desha.
shqiperoi Majlinda Bashllari, nëntor 2006
Posted in Blogroll | No Comments »



