You are currently browsing the A.C.P.E. weblog archives for the day 19/01/2012.
| M | T | W | T | F | S | S |
|---|---|---|---|---|---|---|
| « Dec | Feb » | |||||
| 1 | ||||||
| 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 |
| 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 |
| 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22 |
| 23 | 24 | 25 | 26 | 27 | 28 | 29 |
| 30 | 31 | |||||
- Blogroll (661)
- Poezi (2)
- SPORT (1)
- Tregime (4)
- Uncategorized (6)
- 21/02/2012: Parimet per Ndertimin e nje Shoqerie te Lire
- 21/02/2012: 5 poezi te shkurtit.
- 21/02/2012: Michael D.Higgins- Presidenti poet dashamires i Shqiperise
- 20/02/2012: Himara nr 1 – studim
- 18/02/2012: Doli numri i ri i gazetës “Albanian News”
- 18/02/2012: ABEDIN MADANI
- 18/02/2012: Fjala e Dr Muhamet Hamiti
- 17/02/2012: Rrëfehet Arjana Pupa, Nën/ kryetare Lidhjes Demokratike të Korcës:
- 17/02/2012: POETI
- 17/02/2012: Poezi rome
Blogroll
Archive for 19/01/2012
Mes dritë-hijeve që krijojnë brazdat e kohës
19/01/2012 by admin.
Vilhelme Vranari
Vilhelme Vranari (Haxhiraj) (u lind më 8 dhjetor 1944 në Kaninë të Vlorës), pinjolle e familjes së princit Gjergj Arianiti. E përndjekur nga lufta e klasave, më e egra që ka njohur njerëzimi, edhe pse iu mohua çdo e drejtë humane, sepse pas burgosjes së të atit, xhaxhait dhe vrasjeve makabre të një xhaxhai, tre kushërinjve të parë dhe internimit të famijes së saj, ajo mundi të arsimohet. Ia ndaluan diplomimin në Histori-filologji, e pushuan nga puna dhe Vihelmja mundi të diplomohet në fakultetin histori-gjeografi. Pas rënies së diktaturës komuniste, rinisi punë në arsim. Kjo i dha mundësinè tè shpalos talentin e saj në letërsi. Tashmë njihet si poete, romanciere, autore e prozës sè shkurtër dhe publicistikë.
Poezi:
Loti nuk ka faj, 1996
Të pres, 2000
Rãdãcinile-Rrënjët, shqip/rumanisht, 2009.
Prozë e shkurtër:
Mamaja, novelë 2000
Kush e vrau Kaftanazin (skica, tregime, novela, (2001)
Rrugë pa kthim (skica, tregime, novela, 2009.
Mamaja, novelë Rumanisht 2011
Romane:
Dhembje nëne, 1998
Jetë në udhëkryq, 2001
Ringjallur si Krishti, 2002
Amanti i Arbërisë, 2003
Rrëfim në të perënduar, 2007
Unaza e Prangosur, 2008
Zonja me karafila të bardhë, 2009
Dritëhijet e medaljes…enigm, 2010
Vone tejet vone, 2011
Pa Titull-ese pubizistike , 2011.
Trilogji:
Vështroni Meduzën, Prolog Jete, roman I, 2007
Vështroni Meduzën, roman II, 2005
Dilema e së Nesërmes, roman III, 2006.
Letërsi për fëmijë:
10 Fabula, 2000
Bëmat e Dhelprës fabula, 2002
Ne jemi lulet e jetës fabula, 2003
Vogëlushja Bianka dhe kafshët e saj përralla, 2008
E dini se ç’emër kam fabula e gjëegjëza , 2008
Përrallat e vendit Blu përralla, 2009
Xhuxhi dhe Gjiganti-përralla, 2011
Mirënjohje:
Shkrimtarja Vilhelme Vranari Haxhiraj është Vlerësuar me çmime letrare kombëtare dhe ndërkombëtare,si:
Çmimi “Petro Marko” për romanin “Dilema e së nesërmes”, nga Bashkia Vlorë dhe Lidhja e Shkrimtarëve, dega Vlorë (2006).
Çmimi për “Poezinë e mirëinterpretuar”, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Biblioteka Vlorë (2007).
Çmimi “Protagonist i vitit 2008” për romanin “Unaza e Prangosur”, nga Bashkia Vlorë (2008).
Çmimi Nacional Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, Torino (Itali), çmim që vjen për herë të parë në Shqipëri (2009).
Çmimi “Mirënjohje e Lidhjes së Prizrenit” (Kosovë, 2009).
Çmimi “Personazh i Vitit 2009” Sondazh i medjave-2009
Çmimi “Mirënjohje e Kaninës” (Kaninë, 2010).
Çmimi “Mirënjohje e Klubi Drita” (Athine, 2010)
Çmimi Me Medalie Argjendi “Mirënjohje e Vlores” (2010)
Çmimi i “Karieres” konkursi letrar ne Proze (2010)
“Çmimi i parë ne Mal te Zi” (2011) në 100 vjetorin e kryengrities Mbishkodres
Mes dritë-hijeve që krijojnë brazdat e kohës
Nga Fatmir Terziu
Romani më i ri i shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj është “Ankthi i së vërtetës”. “Ankthi i së vërtetës” është vërtet ‘ankth’. Një ankth që vjen tek lexuesi mes poreve të gurta të jetësisë dhe ngjeshet brenda dritë-hijeve të tyre si një gangrenë që prodhon të padukshmen dhe të patundshem e rrezikshme. “Ankthi i së vërtetës” është pushtet, është meskinitet, është perifrazim, por është edhe asfiksi. Është vërtet “Ankthi i së vërtetës” që në trokitjen e hapjes së autores alarmon: “Sa shtrenjtë kushton heshtja vallë?”
Në këtë heshtje është ‘askushi’ ajo qenie pa identitet. Ajo qenie me fuqi që bëhet gjykatës, ajo qenie që shemb e strukturon sipas shijes së athët të jetës. Ajo qenie që struket mes heshtjes dhe ndërton kala të madhe me bedena vuajtjesh dhe grimash njerëzore. Në këtë sfumim gjërash “Ankthi i së vërtetës” është vetë morali që ndërtohet në labirinthe të tretshme mes vetë ankthit rrënues. Ky ankth rrënues është në fillimet e demokracisë, por ai sapo ka nisur udhën e tij mes ‘të tjerëve’, atyre që tashmë janë vetë mbushësia e kësaj ankth-jete: “Të tjerët ishin qeveritarë, politikanë ose tregtarë, shumica e të cilëve sapo kishin nisur karrierën politike apo administrative”. Janë këta ‘të tjerë’ që sapo kanë nisur të ndërtojnë brendinë e ankthit. Por vetë ata janë larg ankthit, janë larg e shumë larg atij…, se ata janë zyra, vula vetë, po aq edhe doganierët e uniformat e shtetit. Ata janë vërtet të tjerët. Janë … ‘të therrët’! Të therrët në ecje, të tillë në paraqitje. Kanë lindur të bëhen ndryshe. Ndryshe në hapjen e re demokratike. Dhe pjesa tjetër është në vëzhgim. Në atë sykapje që kërkon mes makthit dhe ankthit: “Si në lajthitje e sipër padashur pyet : “Jam apo nuk jam unë? Kam këtë kombësi apo mos aksidentalisht jam jashtëtokësor?!” Ndërsa ndjen peshën e rëndë të presionit, dhunës psikologjike, denigrimit, keqtrajtimit, të duket vetja një zero, një inekzistentë. Në këtë kohë vë duart në kokë dhe këlthet: “Të gjorët ne! Jemi aq të papërfillshëm nga të tjerët, sa dyshojnë edhe në identitetin tonë. Mjerë ne, të mjerët! Jemi komb i vogël. Ndaj shtetet e tjerë na trajtojnë sikur vijmë nga hiçi …Thonë se edhe ne do të hyjmë në rrugën e zhvillimit, nën siglën e njehsimit të kombeve nga pikpamja e të drejtave dhe lirive. A mund të ndodhë një gjë e tillë, kur secili komb ka fizionomin e vet?!”
Dhe vërtet më pas ‘ankthi’ prodhon kreshendon e vet. Atë kreshendo që përtypet nën dhëmbë e që stilohet në tru. Kërkohet si në rolin e një hulumtuesi në atë hapësirë për të përlogaritur çdo hap, çdo detaj, çdo ngjyrë, ku sundojnë larushitë e natyrës, çdo trokamë ku vetëm ajo e identitet-humburit rrëshqet si slitë akulli mes asaj vape të tretshme trupore. Është një tundim i gjallë. Një tundim që rrënkon me fatin e prodhuar nga “Ankthi i së vërtetës”.
“Ankthi i së vërtetës” është moduli më i nevojshëm i prozës për ditët që pasojmë. Është vetë moduli që bashkon tërësinë tonë në katër cepat e botës. Është ai modul që i afrohet gjithënjeriut me e pa identitet të lexoj fatin e tij në tri kohë. Në tri kohë që flasin e heshtin njëherazi. Në tri kohë që kapërcejnë edhe hapësirën e qiellin…, vërtet deri në skajshmëri!
Kjo skajshmëri herë diktohet herë filozofohet. Herë renditet në dritë-hijësi argumentesh e herë struket nën vëtë kumtin e heshtjes që kërkon me ngut garancinë e “studimit të tipave”. Këta tipa që janë dhe mbeten produkt i një kohëbote tjetër në udhë të krisura me mendje të acarta. Dhe e acarta nuk vonon. Ajo vjen në kohën dhe vendin e duhur, me dimensionin e njëriut në moshën e tri kohëve: “I moshuari, ndryshonte shumë nga i riu. I veshur elegant dhe me atë qëndrimin e tij të ftohtë me këdo, me siguri që krijonte një farë ndarjeje, e cila vihej re në distancën që shihej mes tyre. Ndryshimi dukej me lehtësi në paraqitjen e jashtme, në sjelljen dhe veçanërisht në psikologjinë e secilit.” Dhe është mosha e tretë, ajo që formon të padukshmen në persiatjen e njeriut vëzhgues. Është vetë mosha që udhëton dhe ka pikëtakim me të tjerët. Ndoshta jo me ata që vinin në atë karvan të gjatë hallesh të njëjta, por në atë karvan me dritë-hije të padukshme. Dritë-hije që takohen e mbesin vetëm produkt i kalbësisë, produkt i tokës në errozion. Në këtë erozion janë edhe pyetjet që vrasin, edhe pse heshtin e nuk flasin: “Lëvizjet e tij ishin të ngathta dhe të drojtura. Tek ai vihej re një heshtje prej varri. Përse vallë?! Ç’mendime i gëlonin në mendje? Përse dukej aq në kundërshtim me veteveten, sidomos me paraqitjen e jashtme? Përgjigjet e pyetjeve të bëra rreth personit të tij do të ngeleshin memece. Tek ajo heshtje e zymtë fshihej mundimi, vuajtja dhe e vërteta, të cilën njeriu e merr me vete kur vdes. Kërkon ta mbajë të varrosur nën tokë. Banesa e përjetshme i do të fshehtat të gjitha për vete.”
Por e gurta bën të vetën. Ajo mes ngurtësisë së saj, forcës së materies, forcës së vetë gurit qartësohet lehtë e lehtë: “Asgjë…Kur ai arrin në përfundimin se ka jetuar hiçin, pyet veten:” Nëse vërtet kjo kohë që kam kaluar e ka emrin “jetë”, si ka qenë ajo?! Kam pasur apo s’kam pasur synime? Nëse po, cilat kanë qenë? A i kam arritur vallë ato që kam dashur më shumë?” Së fundi duke mos gjetur asgjë me vlerë në jetën e vet, pa kërkuar më shumë nga vetja, i pëlqen ta lërë pas krahëve të shkuarën, duke dihatur të sotmen dhe pa pyetur për të nesërmen.”- kjo ishte përshtypja që më la ky njeri i ngurtë si guri.”
Romani i shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj përmban rreth 120 citime dialoge dhe monologe tejet filozofike nga karakter-folësit që krijojnë identitetin e tyre të heshtur në tërësinë e faqeve të tij. Tendenca mbizotëruese në kurën moderne të gjuhës që përdorin ata është jo ajo tradicionalja e margjinalizuar mes dëshirave apo kushteve të përcaktuara të këtyre folësve por gjuha e krijuar mes thjeshtësisë dhe mes një logjikë-praktike që vetë ata përfaqësojnë (disa herë përfaqësohen në narrativin e autores). Pra ata janë të konsideruar si lapidarë gjuhësorë dhe letrarë, dhe citimet e tyre letrare, ndërsa prezantohen për lexuesin, më tej rinjihen si ndikime trajtuese dhe diskrete nga ato të tjerat, që në mjaft romane vijnë të ‘rënda’ në dialogje, monologje të gjata, apo edhe në korniza të hapërdara mes vetë narrativit. Romani i shtron ‘sfidat’ me këtë këndvështrim duke u fokusuar në pyetjen e mëposhtme: Deri në çfarë mase mund të merret si vlerë e cituar një karakter-fiktiv folës në roman, kur dihet e thuhet nga vetë autorja se ka një identitet të veçantë, por edhe të debatuar në formacionin e ankthit?
Dhe natyrshëm mes ankthit si një kundrinë që rreket të definojë paksa argumentin e shtruar vjen “Trishtim?!”.“Trishtim?!” në roman, mes shoqërisë së pikëpyetjes dhe pikëçuditjes është vetë gangrena e heshtjes për një përgjigje të nxituar. Shkrimtarja na dikton udhëtimin në kohë tjetër dhe hap disi një hapësirë për të riargumentuar, teksa njeriu i kohës së mekur, që ndërtonte vetë me forcat e tij socializmin kishte fat-trupin e tij ‘identitet’ mes qyngjeve: “-Ne ndërtojmë socializmin. Vendi ynë ka vetëm fitore dhe jo humbje apo viktima. Vetëm këta trupa që shihni këtu, gjeti policia në vendin e aksidentit. Kjo ndodhi për faj të shoferit, të cilin e pret qyngja. Nëse nuk di ta përshkojë atë, atje le t’i dalë shpirti, në shtëpi pa qira. Kjo është politika e Partisë sonë bujare. Këta fatkeq do të mjekohen falas nga shteti dhe do të shkojnë në shtëpitë e tyre si kokrra e mollës. Në vendet kapitaliste do t’i kishin lënë në mëshirën e fatit. Pa paguar shërbimin shëndetësor, me siguri do t’i kishin lënë të vdisnin në mes të rrugës. “-ishin fjalët e rrobalarëses së kirurgjisë që mbajti atë ligjëratë fare pa arsye dhe pa vend. Më vonë mësova se ishte sekretare e organizatës bazë të partisë në pavion.
-Pse në qyngje?!
-Bir, kështu quhet vendi ku nuk ke të drejtë të dalësh prej andej, pa të ta bërë kurrizin më të butë se barkun. Qelia e burgut i ngjan qyngjes se është e ngushtë sa një arkivol, ku nuk lëviz dot as djathtas as majtas. Madje nuk mund të ulesh as galuç. Kush nuk ka vullnet për ta përballuar, del me këmbët bigë prej andej.”
Kështu udhëtimi në kohë, hapësirë e vend na sjell e na risjell fate të ndryshme, me e pa idnetitet duke menduar fortë në atë që dihet e lexohet qartë mes faqeve të romanit:
“Qenka dogmë thënia e partisë, se njeriu është ‘kapital i paçmuar’…Nuk e kuptoj, më çudit qëndrimi i kryetarit të Degës. Epo dheu nuk e përpiu Nikolinin. Unë jam gruaja e tij, dyshoj se mos është arratisur. Kurse ai që ruan rendin dhe qetësinë, që kujdeset për të mos u shtrembëruar vija marksiste e partisë, nuk e vë ujin në zjarr. Zhduket një njeri dhe nuk di gjë? Ç’është ky zhvlerësim? O Zot, ndoshta nuk është arratisur, sepse të gjithë me soje sorollop do të na shpallin armiq, do të jemi të padëshiruar për partinë dhe shtetin. E ç’faj kanë fëmijët e mi që të shpallen armiq klase, se i iku mendja të atit?! Kush e di se ku do të na syrgjynosin. Do të na internojnë nëpër kampet e izolimit, në këneta apo në zona të thella. Pastaj do të na duhet të paraqitemi tri herë në ditë te oficeri i policisë, apo i plotfuqishmi. Mjerë fëmijët e mi! Paskeni qenë të pafat, more të mjerë?! ”-mendoja më të keqen dhe gati vrapoja pa qenë në vete, si e çmendur.
Këtë udhëtim e ndjen nëpër faqet të romanit mes ankthit për të vërtetën mes një mori elementësh nga më tërheqëset dhe më të arriturat, me një gjuhë të qashtër e mjaft fine. Mjafton të citosh një fakt “Krimi nuk kryhet vetëm me plumb. Ai më vrau pa e përdorur pushkën. Tashmë jam viktima e tij…” kupton qartë forcën me të cilën autorja paraqet këtë gjuhë të hapur në mjaft dimensione kulturash. Dimensione që do ta mirëprisnin mjaft mirë këtë roman.
Ja, pse pra udha e projektuar nga “Ankthi i së vërtetës” është udha globale e prozës, udha që kalon kufij të leximit dhe kërkon tokën dhe gjuhën tjetër, gjuhën e njeriut, gjuhën e njeriut larg dhe afër argumentit identitet. “Ankthi i së vërtetës” është vetë pjesa që rrëmon në identitet njerëzish, po aq edhe vlerash që herë pikëtakohen në letrësinë fituese e herë në letrësinë konkuruese. “Ankthi i së vërtetës” është një roman për vetë këtë strukturë me të cilën ndërtohet vetë artikulimi i respektit ndaj letrave.
Posted in Blogroll | No Comments »
LEGJENDA E GJALLË
19/01/2012 by admin.
SHPENDI TOPOLLAJ
Marçelo Albaneze, që gjithë jetën kishte punuar si mekanik në ofiçinën e tij, tashmë i plakur, nuk e pati shumë të vështirë për të gjetur profesorin nga Shqipëria me emrin Ujkan Kastrati, i cili kishte ardhur në atë qytet, për të gjetur gjurmët e të parëve të tij, të ngujuar aty para nja dyqind vjetësh. Kur pyeti në hotelin ku ai qe vendosur, i thanë se ai nuk kishte shumë që ishte nisur në këmbë për tek ura e vjetër që dihej botërisht se ishte ndërtuar qysh kur kishin ardhur aty, nga shqiptarët. Meqënëse ajo nuk ishte më shumë se dhjetë minuta larg në këmbë, ai nuk priti as autobuzin urban që të çonte atje. Tek hiqte këmbët zvarrë, e ndjeu se po e mbysnin emocionet. Profesorin as që e kishte parë ndonjëherë, madje me të nuk e lidhte ndonjë punë, por nuk po e linin të qetë kujtimet e hershme të rinisë. Kishin kaluar gjithë ato vite dhe ai ato ngjarje i ruante të freskëta, sikur të kishin ndodhur dje. Kishte gati pesëdhjetë vjet pa takuar ndonjë që vinte nga Shqipëria dhe ja tani, krejt papritur e pa kujtuar…
Këtu i ndërpreu mendimet, pasi sytë të cilët çuditërisht ende nuk e kishin tradhëtuar, i zunë një burrë me kostum gri që po fotografonte urën e vjetër, nga pozicione të ndryshme. Duhej të qe mbi dyzet e pesë vjeç, por ngjyra e çelur e veshjes, e tregonte akoma më të ri.
Marçelo nisi të shqetësohej edhe më shumë, kur mendoi se në çfarë gjuhe do merrej vesh me profesorin. Vetë ai dikur nuk e fliste keq gjuhën shqipe, por duke mos e përdorur më, fjalët e saj diku flinin dhe po t`i zgjoje, një zot e dinte se si do të do të rreshtoheshin, ashtu të përgjumura siç ishin. Por aty për aty, ndjeu një lehtësim, kur u kujtua se profesorin nuk e shoqëronte kurrkush, pra ai duke mos patur nevojë për përkthyes, duhej të fliste mirë italisht. Si priti gjersa mbaroi, Marçelo iu afrua atij, dhe pasi e përshëndeti në shqip “Tungjatëjeta!”, vazhdoi në gjuhën e tij:
- E di që ke ardhur për punë, por unë nuk mund të rrija pa të takuar. Ose e thënë më saktë; unë kam vite që po u pres.
Profesor Ujkani, që vazhdonte të tregohej dashamirës, paçka se aty për aty, ky italiani po i dukej pak si i lajthitur, i tha:
- Më falni, por mos më keni ngatërruar, se unë nuk u njoh fare.
- Natyrisht që këtë e di dhe unë; ju nuk më njihni se as unë nuk u kam njohur ndonjëherë. Por unë kërkova t`u takoj si shqiptar. Se edhe mbiemrin tim, ashtu e kam; më quajnë Marçelo Albaneze.
Ende i paqartë, nga ato që thoshte ky njeri, Ujkan Kastrati e kuptoi se diku duhej të uleshin e të flisnin shtruar, pasi fundja e shihte se asnjë e keqe nuk mund t`i vinte prej këtij burri të moshuar. Pastaj, këtu në Itali, kishte nevojë edhe për miq. Por u tregua më i shpejtë vetë Marçelo, i cili, pasi i futi krahun, i tha:
- Eja të pimë një kafe a diçka tjetër, se pastaj do të vemë për drekë nga shtëpia ime. Unë u jam shumë mirënjohës shqiptarëve. Prej tyre e kam jetën. Nga dashamirësia, bujaria dhe besa e tyre, janë dhe fëmijët, nipërit dhe mbesat e mia. Gjithmonë u a them këtë atyre.
Ujkani, futi aparatin në këllëfin e vet dhe të dy, u drejtuan për tek kafja aty pranë. Pëlqyen të qëndrojnë jashtë, nën hijen e një çadre, prej nga dukej si në pëllëmbë të dorës, jo vetm ura, por dhe lumi që rridhte i qetë poshtë saj.
Pasi bënë porositë, Ujkani e pa të udhës që ta pyeste Marçelon për fëmijët, gruan, ç`punë kishte bërë dhe pastaj se ç`e lidhte atë me Shqipërinë dhe shqiptarët.
Kur mbrritën në këtë pikë, Marçelo nga ana e tij, pyeti dhe ai:
- Profesor i nderuar nga ç`vend i Shqipërisë je?
Dhe sa s`u hodh përpjetë nga kënaqësia kur ai i u përgjigj:
- Prej Shkodre.
- Mrekulli. Çfarë qyteti dhe çfarë njerëzish. Më ler të të përqafoj edhe një herë. - dhe s`kishte përfunduar: - Sa mikpritësa që ishin…
- Edhe ju italianë mikpritësa jeni. Bëtë shumë para tre katër vjetësh, për djemtë e vajzat tona, që kaluan detin me ç`mundën, duke mbajtur në dorë nga një trastë me bukë e djathë dhe një shishe ujë.
- Ashtu është. Por jo ne, por askush në botë nuk mund të bëjë për të tjerët, atë që bëni ju. Fisnikëria e kalorësve mesjetarë, të paktën, nga ajo që kemi lexuar nëpër libra, se tani që u plakëm… s`është gjë hiç para tyre. Ma do mendja se virytet tuaja, nuk i ka njohur si duhet bota. Ndofta duhet ndonjë dorë e fortë që t`i shkruaj. Ndofta vetë ju jeni modestë. Nuk e di… Mundet që kjo modesti, deri në kufijtë e të pabesueshmes, i jep virtyteve tuaja, të tilla vlera, deri në madhështi.
Ujkani dëgjonte, i vinte mirë nga këto arsyetime dhe me vete thosh; Dhe unë torollaku, e quajta të lajthitur.
- Ah sikur ta kisha unë mundësinë për të shkruar, epokë do të shkruaja.
Por e kuptoi që gaboi dhe ndreqi ashiqare:
- Si i thonë; epope? Po epope do të shkruaja për ju. Që ta merrnin vesh edhe ata që nuk u duan. Në një kohë që ju, edhe armikun e gjunjëzuar, pra atë që u ka bërë dëme të pariparueshme, pra atë që u ka hapur plagë që nuk shërohen tërë jetën, e keni respektuar, mbajtur me bukë dhe e keni shpëtuar.
Pastaj, si hodhi vështrimin nga kalimtarët e rastit, dhe mori frymë thellë, i u drejtua Ujkanit:
- Ti profesor, më kanë thënë, ke ardhur që nga larg e megjithë këto harxhime, për të gjetur copëza nga jeta e të parëve të tu. Shih sa gjë e çmuar dhe sa e rrallë që është kjo. Ku gjen ti sot, njerëz që të kërkojnë rrënjët e tyre. Familja, vetë familja po çthuret. Po çthuret si trikua e vjetër që i ka dalë boja. Nëna merr të birin në telefon, një herë në muaj dhe e pyet në mund t`i vejë një vizitë. Edhe dashuria është kthyer në tregëti. Para. Vetëm para dëgjon këtu. Pra në plan të parë interesi. Po pse ore, kjo është jeta? Unë e di se ndonjë mund të qeshë, po të mësojë se përse ke ardhur ti. E di si do të thonë?
- E di! - u përgjigj aty për aty Ujkani. - Do thonë ka rrjedhur.
- Ashtu do të thonë. Ja këtu ka vajtur puna. Kurse ti po kryen një vepër shumë njerëzore. Veç unë që erdha të të takoj, e kisha një qëllim. Desha të të tregoj diçka, pra historinë time që sikur vetëm për këtë të kishe ardhur i a vlen mundimi yt deri këtu.
Ujkani, me padurim e nxiti;
- Po !?
Marçelo si nxorri një cigare nga paketa dhe ia zgjati atë dhe Ujkanit i cili nuk e pinte, filloi:
- Unë siç të thashë gjithmonë kam punuar në ofiçinë me hekura. Në kohën e Musolinit nuk isha as njëzet vjeç djalë dhe më morën ushtar. Na thanë se do të venim në Shqipëri, por kjo nuk do të qe veçse një shëtitje turistike. Propaganda është shumë e çuditëshme. Na mbushën mendjen se vendi është shumë i bukur dhe ka shumë kuriozitete, ku më i madhi është se njerëzit janë gati të egër. Me këto ment ne morëm rrugën për tek ju, por u habitëm kur pamë se këta të egrit, kur bëhej fjalë për liri e dinjitet kombëtar, dinin të të prisnin me plumba, edhe pse kjo mund t`u kushtonte jetën. Të them të drejtën edhe mua të egër m`u dukën në fillim. Kurse ne që po shkonim për t`i pushtuar ishim të qytetëruar. Hajde ironi, hajde.
Peripecitë e luftës njihen dhe ju e dini nga historia se në ……… të vitit 1943 ne italianëve, na ranë puplat. Na ranë puplat neve që kishim marrë përsipër të ngjallnim lavdinë e Perandorisë së vjetër romake.
Unë isha efektiv i një bataljoni që bënte pjesë në Divizjonin Alpin. Pasi kishim kryer një sërë veprimesh luftarake nëpër Shqipëri, rrethanat na çuan në Mal të Zi. Fillimisht u vendosëm në Ulqin. Ishte qytet shumë i bukur. Kishte një kështjellë që më ka mbetur në mend. Po, me thënë të drejtën, në kohë lufte, kush e ka mëndjen tek bukuria. Lufta vetë është një shëmtim i madh. Një shëmtim dhe një kotësi absurde. Unë kisha lënë të fejuarën, dhe prindërit këtu, dhe veja të vrisja njerëz krejt të pa njohur. Siç fare mirë, mund të vritesha edhe vetë.
Dhe pikërisht në këtë vend mësuam se Italia kapitulloi. Në të vërtetë ishte diçka që ne e prisnim. Tani filluam të shqetësoheshim për fatin tonë. Gjermanët, që kishin qënë aleatët tanë, pas kësaj na shihnin e trajtonin si armiq. Nga komanda jonë, një ditë u dha urdhëri që të marshonim drejt Tuzit. Ky ishte një qytet me ndofta mbi njëqind mijë banorë. Kishte minierë të madhe kripe, prej nga kishte marrë nga turqishtja në mos gaboj, edhe emrin. Edhe industri qymyri kishte. Mirëpo, mua sepse m`u duk më i zi se qymyri, pasi tani këtu kishim ardhur si robër lufte. Ishte shumë e zymtë perspektiva. Asgjë të mirë nuk prisnim nga gjermanët. Ishin shumë të egërsuar me ne.
Një ditë krejt rastësisht, takova një burrë që kishte ardhur nga Shkodra, me një kamioçinë për punë tregëtie. Pasi e ndihmova për ta ndrequr atë dhe shkëmbyem nga një cigare, iu luta të më merrte me vete, se për këtë shërbim do ta paguaja. Unë të marr, më tha, por sa për lekë, ato mos m`i zer me gojë se më ofendon. Në gjendjen që je ti, sido që të kesh ardhur, unë do të ndihmoj pa tjetër. Ishte natë kur u nisëm dhe kaluam pa ndonjë pengesë. Qe fati im se rrugët kontrolloheshin. Atij burrit që nuk ia mbaj mend emrin, i thashë që po të mundëte, të më çonte në ndonjë kishë. Jo pa qëllim doja të gjeja mbështetje në kishë. Dhe ai ashtu bëri. Para se të hynim në Shkodër, u ndal në fshatin B. që ishte jo larg qytetit. Qe vend i mrekullueshëm. Por mua asgjë nuk më hynte në sy. Doja vetëm të sigurohesha se do e shpëtoja kokën. Kisha ishte e vjetër dhe prifti aty tek të dyzetat. Ai kishte kryer studimet teologjike në Romë dhe e fliste gjuhën tonë më mirë se unë. Them më mirë se unë, pasi ai kishte dhe kulturë të madhe. Sa mësoi se si e kisha hallin e gjeti zgjidhjen aty për aty:
- Do të strehoj, në një familje muslimane.
Unë fillimisht kundështova, por ai më bindi shpejt, duke më thënë që jo vetëm se ata ishin njerëz të besës, por dhe nuk ngjallnin dyshime, pasi të krishterët gjykoheshin si simpatizantë të italianëve.
Kështu që unë shkova pas priftit, pasi falenderova me gjithë shpirt shoferin nga Shkodra, i cili u nis në punë të tij.
I zoti i shtëpisë quhej Halim Reçi dhe veç të shoqes, kishte dhe një djalë, moshatar me mua dhe tri vajza. Ata më pranuan me gëzim. Për ta ishte nder i madh po t`u besonte dikush një gjë të rëndësishme. Droja ime kaloi shpejt dhe mes tyre unë u ndjeva si në shtëpinë time. U miqësuam shpejt dhe fillova të marr pjesë në të gjitha punët e tyre. Bëja dhe gjëra që ata i pëlqenin shumë. Tani isha si midis njerëzve të mi. Në atë fshat, as që e mendoja se dikush mund të më tradhëtonte, prandaj edhe e kapërxeva pragun e kësaj shtëpie. Punoja në arë, shkoja për dru, kullosja ndonjëherë bagëtitë, riparoja veglat e punës e kështu me radhë. Natyrisht që malli më merrte shumë edhe për të afërmit që kisha lënë këtu. Prej tyre nuk kisha asnjë lajm. Prisja ditë më të mira që të shkoja pranë tyre. Por sidoqoftë edhe këtu, sa të mbaronte lufta, mirë isha. Thoshja me vete, se kurrë nuk kam për t`ua harruar këtë nder këtyre. Edhe unë si të kthehesha, do t`i ftoja në shtëpinë time, këtu në Itali. Këtë ua pata premtuar edhe atyre, e sidomos djalit të Halimit Reçit, Arbërit, me të cilin isha bërë si vëlla, se në atë fshat e në tërë Shqipërinë, femrat e kishin të vështirë të largoheshin. Kështu vazhdoi gjersa një ditë, pa pritur e pa kujtuar, se nga u gjendën ushtarët gjermanë. Që larg u duk një re e madhe pluhuri. Ishte verë dhe kishte kohë pa rënë shi. Ne po vaditnim tek kopshti mbrapa shtëpisë. Ndalëm punën për një çast dhe as që e mendonim rrezikun që po na kanosej. Nuk vonoi shumë dhe dëgjuam Halimin që na thirri: Djema ejani këtu! Shpejtuam të shihnim përse na kërkonin. I pamë ushtarët gjermanë aty në oborr, por nuk kishim nga t`ia mbanim. Pastaj një Zot e di se ç`telashe do t`u hapnim të zotve të shtëpisë dhe vajzave të tij. U afruam dhe u tronditëm nga ajo që pamë. Në oborr kishte ndaluar një tricikël dhe një kamion i mbuluar me mushama. Ushtarët e kamionit kishin zbritur, kurse ata të triciklit flisnin që nga vendet ku ishin.
- Këta janë e gjithë familja juaj? Pyeti ai që duhej të qe më i madhi në gradë, duke bërë më shumë shenja, pasi nuk dinte shqip.
- Këta. - u përgjigj me gjysëm zëri Halimi - dy djemtë dhe tri vajzat.
- Po italiani? - i la të kuptonte ai që bënte shënja.
- Italian nuk ka - tundi gishtin në mënyrë mohuese Halimi.
- Gut, gut. - dhe komandanti që qëndronte pas shoferit të triciklit, zbriti. Bëri hapa përpara, i nevrikosur. Kuptohej që po vinte për të verifikuar nga afër. Kur, krejt pa pritur, Arbëri që ishte mes meje dhe Halimit, i u drejtua të atit dhe pa u menduar gjatë i tha:
- Këtu e paskam patur or babë. Amanet motrat se unë nuk e turpëroj shtëpinë.
Dhe siç ishte, i a dha vrapit. U dëgjua komandanti që i befasuar ulëriti:
- Faer!
Dhe pasoi një breshëri e shkurtër e sharrsit që ishte montuar në koshin e triciklit.
Arbëri, u kthye dhe një herë, diçka deshi të thoshte, por goja i u mbush me gjak dhe ra rëndë mbi bar.
Motrat dhe nëna ulëritën me sa patën në kokë. Qe një skenë e tmerrëshme, ku më keq nga të gjithë u ndjeva unë. Dhe kisha arsye. Arbëri, për të më shpëtuar jetën mua, ishte hequr si të qe ai italiani edhe pse e dinte se ata nuk do ta mëshironin.
Gjermanët, u dukën si të hutuar për një çast, pastaj ua hipën mjeteve të tyre dhe u kthyen andej nga kishin ardhur, ende pa u shpërndarë ajo reja e parë e pluhurit.
Halimi, shkoi tek i biri, u përkul, e puthi me shumë dhimbje dhe pasi u ngrit, m`u drejtua mua gjakftohtë:
- Tani varrose vëllanë, duke i bërë të gjitha nderimet që meriton.
Nuk derdhi asnjë pikë loti. Unë e kisha humbur fare, por përsëri gjeta forca, për të marrë situatën në dorë. E futëm trupin e ngrohtë të Arbërit brenda, e pastruam dhe e rregulluam, ndërkohë që gratë rregulluan shtëpinë. Njoftuam ata që ishin larg, se sa për fshatarët, ata sapo kishin dëgjuar krismat e mitralozit, kishin ardhur me një frymë dhe e kishim marrë vesh atë që ndodhi.
O Zot! si i qajnë të vdekurit në ato anë. Ti do kesh parë vetë profesor. Edhe sot më tingëllojnë në veshë ato fjalë që thureshin aq mjeshtërisht nga një grua e vjetër. Mos harro; po fusnim në dhe një djalë njëzet vjeçar. Një djalë që fundja kishte patur një vdekje mëse heroike. Dhe që gjithçka e kishte bërë me një bindje që i buronte nga geni i tij. Për ata njerëz besa ishte e shenjtë dhe ata më mirë preferonin vdekjen se sa koritjen. Kështu i thoni ju apo jo?
Pas asaj ndodhie, unë u afrova akoma më shumë me atë familje. Me vete thoshja se në jetë të jetëve, nuk lahem me ta. Si kaloi dallga e parë e kësaj gjëme, unë e mblodhe veten dhe iu futa punës. Kështu kaloi një kohë e gjatë, gjersa Shqipëria u çlirua. Për ne ushtarakët e mbetur, vetëm pas disa muajsh erdhi urdhëri që të mblidheshim në Koplik. Merret vesh se unë që mezi e kisha pritur këtë ditë, e kisha shumë të rëndë largimin. Shkova edhe një herë tek varri i Arbërit që ia kisha ndërtuar me duart e mia, i vura tek koka një tufë lule nga ato që kishim mbjellë të dy në oborr dhe qava e qava si fëmijë. Nuk e di sesi nuk më doli zemra nga kraharori atë ditë. Ata të shtëpisë nuk më ndoqën pas. E ndjenin se kisha nevojë të zbrazesha. Do të vi përsëri të të shikoj, o vëlla i thashë dhe u largova.
Halimi kishte bërë gati dy kuaj; të tijin dhe një që ia kishte marrë komshiut, sa për të më përcjellë mua deri në Koplik.
U ndava me lot ndër sy me ata njerëz. Mos na harro - më thoshin.
Ikja e kokën e ktheja pas. Ato të katra vazhdonin të qëndronin në krye të rrugës gjersa na humbën nga sytë. Gjatë tërë rrugëtimit, me Halimin, thuajse, nuk shkëmbyem asnjë fjalë. Në Koplik mbërritëm aty nga dreka. Halimi diçka bisedoi me një oficer shqiptar dhe erdhi të takohej me mua. U përqafuam sikur ta dinim se kurrë më nuk do të shiheshim. Para se të largohej, ai më zgjati tri monedha floriri.
- I pata ruajtur për ndonjë dasëm, por tani më shumë të duhen ty. Rruga është e gjatë dhe s`i dihet. Por edhe atyre të shtëpisë, çou diçka nga ana ime. Ty të pret e fejuara.
E falenderova këtë burrë fisnik dhe u bashkova me shokët. Atë natë, pritëm sa u grumbulluan të gjithë. Fjetëm në ca si plevica dhe të nesërmen hipëm në kamionët që kishin ardhur për të na marrë dhe në kolonë u nisëm. Kaluam përmes Shkodrës, rrëzë liqenit aq të qetë, pastaj poshtë kalasë së Rozafës dhe si lamë pas atë urën mbi një lumë aq të bukur, morëm rrugën për në Durrës. Na kishin thënë se do iknim për në Itali, me vaporë. Në kushte të tjera, unë duhej të fluturoja nga gëzimi. Por jo. Isha shumë i mërzitur, kur mendoja se kthimi im pranë atdheut dhe familjes, i kishte kushtuar një tjetri aq shtrenjtë.
Udhëtimi zgjati nja pesë orë të mira. Rrugët ishin të pa asfaltuara dhe ne ishim shkundur në ata kamionë shkatarraqë që kishin mbetur nga lufta. Ndaluam tek një vend që i thoshnin Plepa. Dikush na tha se këtu ishte zhvilluar beteja e famëshme e Çezarit me Pompeun. Këtu, tek shkëmbi i Petrës kishte humbur për herë të parë Çezari. Tani edhe ne po iknim si ai të turpëruar. Por askush nuk na e kujtonte këtë. Të gjithë mundoheshin të na e lehtësonin kthimin. Na sollën për të ngrënë dhe na thanë se do të prisnim aty gjersa të vinin të gjithë. Nuk qe keq, se dikur këto gazerma ishin bërë për atë që ne i themi Komanda Tapa.
Këtu takoheshim me plot shokë, madje zinim dhe shokë të rinj. Pas nja dy ditësh, kur erdhi një kamion nga veriu me robër gjermanë, më zunë sytë një fytyrë të njohur. Ishte pikërisht ai ushtari që ngiste atë triciklin atë ditë kur erdhën dhe vranë Arbërin. I u afrova duke e mbajtur urrejtjen dhe ndjenjën e hakmarrjes dhe i thashë a po më njeh. Ai fliste një italishte të çalë, pasi edhe atje kishte kishte shërbyer, para se të vinte në Shqipëri, dhe në kundërshtim me sa prisja, m`u përgjigj se më mbante mend mirë. E pyeta se nga e morën vesh që unë isha strehuar në atë fshat dhe në atë familje. Më tha se këtë ai nuk mund ta dinte, por dinte se urdhëri ishte për t`i vrarë të gjithë pjestarët e familjes, për të tmerruar të tjerët, pasi kishte të dhëna se pas kapitillimit, shumë italianë mbaheshin e fshiheshin nga shqiptarët. E pyeta, se përse nuk na vratë atëhere dhe më tha se i kishte lënë pa mend xhesti i djalit të të zotit të shtëpisë që po jepte me ndërgjegje jetën, për mikun. Ne për këto cilësi të shqiptarëve, na kishin folur qysh në Gjermani, më tha. Këta, na kishin thënë, mund të jenë shumë të varfër, por mikun e nderojnë dhe e respektojnë shumë, kurse besën e kanë gati si një institucion të shenjtë. Po ju, e pyeta përsëri, ku e dinit që italiani nuk ishte ai? Kjo dukej menjëherë, pasi djali kishte fytyrën e të atit. Ata ngjisnin si dy pika uji. Pas këtij akti të pazakontë, nuk kishte kuptim ta çonim më tej raprezaljen. Prandaj me shikim, u morëm vesh dhe u kthyem mbrapa.
Ushtari gjerman, në ditët në vazhdim vinte e më takonte shpesh. Një herë e pyeta për atë që qëlloi nga koshi i triçiklit. Ai më tha se atë dhe komandantin, pra atë që urdhëroi Zjarr! i kishte shokë që kur ishin mobilizuar. Na kishin lidhur shumë ngjarje e shumë rreziqe. Dhe nxorri porofolin ku mbante dhe një fotografi, ku kishin dalë të tre të përqafuar para triciklit. Mësova dhe emrat dhe adresat e tyre, pavarësisht se as që kisha ndëmend të bëja ndonjë gjë. Ishte luftë dhe ata vepronin brenda llogjikës së saj. Për më tepër ata nuk e kishin çuar më tej zellin për të zbatuar detyrat.
Kur u mblodhën të gjithë, na hipën nëpër vaporë, në portin e Durrësit dhe erdhëm në shtëpi. Të gjithë i gjeta shëndosh e mirë dhe vetëm pas shumë vitesh, ua tregva historinë time në atë fshatin e Shkodrës. Ata më thanë se atyre njerëzve, duhet t`u jesh gjithë jetën mirënjohës dhe më nxitën që të mundohesha të hyja në lidhje me ndonjë letër. Unë shkrova disa të tilla, por përgjigje nuk mora asnjëherë. Pastaj mësova nga gazetat se atje ishte vendosur një regjim që nuk donte të mbante asnjë lidhje me Italinë dhe si duket kjo qe dhe arsyeja që letrat nuk ua jepnin. Vitet bënin punën e tyre, por unë në mendje dhe në zemër ruaja dashurinë më të madhe për prindërit e Arbërit dhe tri motrat e tij. Nuk pushoja së treguari për shqiptarët, për cilësitë e tyre, për atë se ata kanë zakone që shpesh i bëjnë legjenda të gjalla. Ky respekt për ata njerëz, bëri që dikush të më quaj Marçelo Albaneze. Mbiemri im i vërtetë është Sforca, por mua këtu kështu më njohin; Marçelo Albaneze. Dhe ndjehem mirë, se më duket që kështu po ua shpërblej atyre, miqësinë dhe besnikërinë që treguan me mua dhe me të gjithë shokët e mi, a me ushtarët italianë, pas kapitullimit të ushtrisë tonë.
Këtu Marçelo e ndërpreu tregimin e tij dhe priti të shihte se çfarë përshtypje i kishte bërë profesorit. Ky, si liroi kravatën, vetëm tha:
- Të faleminderit.
- Ti do të thuash - e mori përsëri fjalën Marçelo - do të thuash, se përse kërkova të takohesha me ty. Nuk e di por ndofta ndonjë ditë, si të kthehesh në Shqipëri do e gjesh mundësinë që të shkosh e t`i takosh këta njerëz, t`u dërgosh të falat e mia, t`i pyesësh, në kanë nevojë për gjë, t`u japësh adresën time dhe telefonin tim. Se fundja jemi njerëz…
Pas kësaj, Marçelo thirri kamarierin, pagoi dhe i propozoi Ujkanit:
- Tani, siç të thashë, për drekë do të shkojmë nga shtëpia ime. Besoj nuk do të kesh ndonjë kundërshtim.
Gruaja dhe dy djemtë e Marçelos, njeri nga të cilët ishte dhe i martuar dhe kishte dy fëmijë, u gëzuan pa masë. Ai kishte dhe një vajzë e cila jetonte me burrë dhe fëmijë, në një qytet tjetër. Të zotët e shtëpisë nuk dinin ç`të bënin, për ta kënaqur profesorin nga Shqipëria.
- Ka një jetë të tërë, - filloi e shoqja që nuk e hiqte përparësen, - që na flet për shqiptarët. Aq sa edhe ne u përfytyrojmë si njerëz të jashtëzakonshëm.
- Po njerëz të mirë ka kudo - i u përgjigj Ujkani.
- Nuk po flasim për njerëz të mirë, por për njerëz të jashtëzakonshëm. - foli djali i madh. - Ne të gjithë si familje, nuk shlyhemi me ata që bënë atë sakrificë për të shpëtuar babanë tonë.
Gjatë drekës Ujkan Kastrati, u premtoi se porsa të shonte në vendin e tij, do vente dhe do i gjente vajzat e Halimit.
Dhe kur pas nja dy tri ditësh, mbërriti në Shkodër, mori një shok me vete dhe i hipi makinës për atje. Dy vajzat e mëdha i gjeti pa ndonjë vështirësi, kurse e vogla, i thanë se ishte martuar diku larg. Ato të dyja, iu dukën shumë të plakura. Ishin gjyshe tani. Prindërit nuk rronin më. Plaga për vdekjen e të vëllait ishte ende e freskët. Atë nuk mund ta shëronin vitet.
Pastaj, ato urtësisht e dëgjuan rrëfimin e profesorit për takimin me Marçelon. Kur ai mbaroi, vetëm thanë:
- Qoftë i nderuem!
Ndërkohë, Ujkani u dha adresën, numrin e telefonit dhe u tha se ai pyeste, përse nuk ishin interesuar për të, pasi qytetin e tij e dinin.
Ajo më e madhja, me një zë të qetë, tha vetëm kaq:
- Edhe ne nuk e kemi harru Marçelon. Ai u bë si djali i shtëpisë. Por ju e dini si kanë ardhur punët. Shqiptarët kërkojnë ç`do mundësi për të shkuar në Itali për një jetesë më të mirë. Ne tani, i kemi fëmijët të rritur dhe kemi thënë po sikur ai të mendojë se ne e kërkojmë atë, për të rregulluar fëmijët tanë atje. Ç`kuptim do të kishte pastaj gjaku i vëllait tonë dhe besa me të cilën na ka edukuar babaj?
Profesor Ujkan Kastrati u dha të drejtë dhe si piu kafenë, u ngrit edhe iku i mrekulluar nga ata njerëz thjeshtë që modestia i ngrinte në lartësinë e madhështisë.
Kur rasti e solli më pas që ai të shkonte tek e bija që ishte studente në Vjenë, nxorri shënimet për atë gjermanin që kishte komanduar për të hapur zjarr, mbi një shqiptar, në fshatin B. të Shkodrës. Këtu ishte shumë e lehtë të gjeje telefonin e tij. Formoi numrin dhe dëgjoi zërin e një burri të vjetër. I tha se nga vinte dhe se për kuriozitet donte ta takonte.
- Eja - i tha plaku - por shpejto se jam i sëmurë.
Pas nja një jave, kur Ujkan Kastrati, shkoi në shtëpinë e tij, i thanë se ai kishte vdekur. Por kishte lënë një letër për të. Ujkani e hapi dhe lexoi:
“ I dashur mik! Ti interesohesh për atë që më ka brejtur ndërgjegjen tërë jetën. Mallkoj veten dhe luftën mes njerëzve. Por shpirtin dua ta qetësoj, duke të thënë se për pesë vjet me radhë që brodha vend më vend, nuk kam parë e dëgjuar një rast si ai, i atij djalit të ri shqiptar, që dha jetën për të shpëtuar një italian të strehuar në shtëpinë e tij. Kjo ka mjaftuar për të më bindur, se sa e kotë është lufta. Por dhe se popujt dinë t`i ruajnë virtytet e tyre në çdo situatë. Dhe ndofta më mirë se kushdo tjetër këtë di ta bëjë populli juaj. U admiroj dhe Zoti qoftë me ju, o njerëz që në kujtesën time, keni mbetur si legjenda të gjalla. Të jeni të sigurtë se unë erdha si armik dhe u largova si mik i vendit tuaj. Më falni! Unë tani po shkoj diçka më i qetë. Mos më gjykoni ashpër. Lamtumirë!”
Posted in Blogroll | No Comments »
