Archive for 21/01/2012

Burhan Qerimi drejte hapave te suksesit

burjhaniiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiii1.jpg

NGA
ZANA PIRA

Burhan Qerimi i lindur ne Kumanove me 10-02-1989- pasi qe vijon studimet ne gjuhen Angleze’ eshte edhe nje kengetar i shkelqyer

gjer me tani ka realizuar dy kenge me video klipe- Falma at dashuri dhe  My Love ne gjuhen Angleze…

Megjithate per t’e terhequr vemendjen dhe per te qene sa me afer publikut Burhani nga kendveshtrimi,i tij shfrytezon tere potencialin-artistik-

per te arritur drejte majave te suksesit  si nje kengetar i ri natyrshem si te gjithe te tjeret qe kane endrra. ndonese Burhani eshte i mobilizuar

shpirterisht.qe endrra e tij te behet realitet….por me nje strukturim mjaft komudues me tekstshkruesin Ardit Stafa qe ka vlera te

qendrueshme pamvarsisht si e merr ne shqyrtim edhe kritika shtoi ky kengetar i ri gjate nje bisede te lire dhe te shkurter ne qender te Kumanoves……

METERNIHU DHE GJUMI HEBRAIK!

Rexhep Kasumaj                                                                  


(*  Ndonëse Kosova, duke qenë pjesë e kombit të ndarë, nuk interferon, ndoshta, me „ngushtinë shpirtërore“ të Metternichut, sërish do thënë se vijon të jetë ende provë e pakaluar e Europës!    

*  Nuk shkruante kot Dostojevski se kurrë nuk mund të arrish në parajsë pa pasur parajsën në shpirt. E adaptuar, kjo fjalë mrekullore do të thotë se as lirinë nuk e arrin dot pa e pasur atë me vete në shpirt!

            Por nëse Dostojevski ka vdekur – parajsa dhe liria vijojnë të mos pushtohen ndryshe. As sot dhe as kurrë! )

 

I. “Sistemi Meternih” dhe

       ngushtësia shpirtërore e patriarkut!

 

            Patriarku politik i Europës, Metternichu i paadmiruar nga shumëkush, aspironte t’a shpëtonte kontinentin e vjetër sfilitur luftërash kronike, me formulën e artë të federalizmit, nënvizon Alan Palmer në parathënjen e librit të tij „Metternichu: një biografi“. Mirëpo, ndërsa ishte ithtar i flakët i „shteteve territoriale“  (njësive të mëdha gjeopolitike) dhe përpiqej të garantonte qëndrueshmërinë e tyre, ai refuzonte keq mëtimin shtetformues të „grupeve gjuhësore“, mandej të „ndjesive nacionale“ dhe të „përkatsive raciale“, si një flijim racional në altarin e paqes së epërme!

            Ky fragment i artit a filozofisë shtetërore të tij, që qyshmoti quhet „sistemi Metternich“ do t’a dominonte për gjysmëqindvjeti politikën e kontinentit të vjetër, duke u bërë kontekst mjaft rrudhës i lirisë së disa pjesëve vitale të tij.

            „Klasicizmi konservativ“ i tij, ndërkaq, do të kishte padyshim dhe kritikët e ashpër. Dijetari i dëgjuar prusian Heinrich von Treitschke e akuzonte atë për „ngushtësi shpirti“ në të kuptuarit e „shtysës lëvizëse të natyrës njerëzore“ që, i tillë, ishte i papranueshëm për „forcat dinamike të historisë“! Pikërisht këto „forca dinamike“, tashmë të rëna ndesh me  „shtetet territoriale“ të Metternichut, do t’i kompromitonin sajesat politike, të cilat anipse afishoheshin si federale, ishin eminente unitare dhe mbanin të burgosur brenda hekurash të kombit-rojë, popuj të tërë, duke dhënë ashtu dhjetra entitete shtetërore mbi bazë nacioni a gjuhe ndër vite – nga shqiptarët që i kishin të dyja e deri tek maqedonësit pa asnjërën prej tyre.

Sidoqoftë civilizimi i ri demokratik mbareuropian ( tashmë i të vjetrës, ose, si thuhet, i nukleusit komunitar dhe i të resë së dalë nga babilonia e perandorisë së kuqe ruse) i etabluar në fillimvitet 90-të, sikur nisi të dërgonte shenja të daljes nga qarku i mbyllur i historisë së përgjakur. Por defekti i tij i zanafillës do të qëndronte mëtej në mjetet dhe strategjinë e konservuar: njiheshin vetëm realitetet e krijuara nga forca e armëve! Dhe lufta rishpallej kështu sërish – vendlindje e shtetit, që do ta dëshmonte gjithë dekada e fundme e mijëvjetit të ikur.

            Por, si do të rrjedhojë më pas, fryma e „sistemit Metternich“  nuk do të shuhej bashkë me vdekjen fizike të kreatorit të saj. Ende sot, fjala vjen, flitet zëshëm ( Morin në librin „Europa në mëndje“) për kombe të kategorizuar në rende vlerore:  shtetërorë e në të tjerë, më të poshtëm – të cilësuar nënshtetërorë, pra për kombe-bosht dhe nacione satelitorë që, të ngurtësuar në fillesat e stabilitetit, duhet të vegjetojnë orbitës së tyre.

 

II. Gjumi hebraik dhe kriptotirania e kalimsisë!

 

Planimetria meternihjane, në trajtë reminishence të ligë, vijon të  përplaset akoma mbi kokën e të vegjëlve, të atyre që nuk kanë një dalzotës të racës! Aq më keq, kur shqiptarët, të këndejmit, nuk bëjnë gjënë e duhur për të shthurë përbetimet që, tani, në formën e mosnjohjes së plotë kolektive të shtetësisë, frymojnë në Europë? Nuk mjafton, prandaj, vetëm deklarimi, sado solemn e historik, i shtetit. As dhe betimi dithirambik në përjetësinë e tij. Ai duhet të bëhet. Të marrë jetë. Dhe miqtë,  mandej, ta kenë më të lehtë avokatinë në një botë që lëviz e ndryshon shpejt gjithçka. Por paria nominale, me gjasë, kanë një përceptim tjetër.  Një zell të paparë, brilant për të herrë privilegjet e shtetit dhe, nga skaji tjetër, një pandjeshmëri, mosdashje e indolencë të përgjumur aziatike për të kapur nervin e kohës dhe për ti dalë zot sensibiliteteve sfidante të shtetasëve të tij.

            Dhjetë kafe gjumë janë zbritur në këtë botë, nëntë prej tyre i kanë pirë robërit e një të vetme të mbetur – e gjithë bota tjetër, thotë Talmudi hebraik. Natyrisht, nuk bëhët fjalë për robër klasikë, por për pengzënjen e kastës politike në fijet e autizmit politik. Dhe kjo, sipas tibetasve, nëse ata ndjejnë fare dhëmbje njerëzore, do të jetë, veç tjerash, kauzator i vuajtjes që përjeton, rëndom, autisti me tu përballur një ditë (sepse kjo ndodh herët a vonë) me realitetin e iluzionuar.

            Tregohet në popull, në formë përralle me mbretër, një rrëfejzë se si Zogu nuk i besonte gjithherë sekretarët, relatorët e spijujtë që i pikturonin tabllonë idilike të mbretërisë.  Ndaj, kish vendosur të dilte i bërë tebdil në pazar, për të parë nga afër prej njerëzve se si jetonin dhe ç’mendim kishin ata për guvernën, ministrat dhe për vetë atë – sovranin e tyre! Po prijësit tanë të rrallë, të përkundur në flatrat e ekzaltimit politik, nuk u vete as ndërmend të marrin vesh, pa ndërmjetës, për punët e tyre shtetërore. Se, po të merrnin mundimin të bënin një inkurzion të tillë mespërmes turmës apatike, do të mësonin shumëçka që nuk e shohin e nuk dijnë për regjimin e tyre as ata vetë, sikundër që, nga ana tjetër, do të kuptonin se edhe pjestarët e anonimatit të gjithandejmë, shohin e dijnë dhe bëmat që, këta, përfaqësuesit e vullnetit të deformuar të elektorëve kujtesshkurtër, kujtojnë se i kanë fshehur mirë në formulat bajate të tranzicionit a në faqet e medias klienteliste të atashuar pranë tyre.

Dhe do të mësonin për sovranitetin që s’vjen, për territorin që s‘kthen (angazhimi i një emisari special për veriun, që dublon koordinatorin kosovar, sikur e kualifikon perspektivisht problemin të ndarë  nga autoriteti qendror në konflikt), për sintagmën në qarkullim se, jo veç Beogradi, po dhe Kosova mund të shantazhohet për të qenë mirë me fqinjë, pra dhe me Serbinë, si kusht për të ankoruar në Europë!

Ndoshta këto nuk do t’ia thoshin me aq mëllef, sepse dhe ata, duke mos qenë vetëm një kope zgjedhore si e trajtojnë regjisorët e fatkeqësisë, e kanë të qartë se nuk është e gjitha në duart e tyre! Po kur do të binte fjala (e s’ka temë më madhore për ta) për shitjen e pasurisë kombëtare të brezave dhe kleptokracinë legale, mbi korrupsionin për fushe dhe trafikimin brenda institucionit të rendit, pastaj për papunësinë që i shtrydhë e ndrydhë në kufi depersonalizimi dhe drejtësinë që jo vetëm vonon, po s’vjen kurrë dhe, së fundi, për  diplomacinë rishtare me segmentë ish-të dënuarish ordinerë – aherë njerëzit, ata që do ti takonin në dramën e mbijetesës, do të shfrynin vnerin mbi ta. „ Asnjë raport njerëzor nuk mund ta ketë kurrë bukurinë e gjakimit për te“, thoshte Bodleri. Dhe ai, i vogli njeri, e di këtë. Ka pritur gjatë. Stoikisht gjatë. Por atij, që këtej, i gërryen shpirtin diç tjetër. Ndaj, do të nguroseshin e bëheshin dyll të verdhë, nga ankesa e tij, tashmë përtej lumturisë së sondazheve të porositura: se establishmenti serb qenkësh shpërngulur vetëm që një kastë tjetër, tashmë e jona, të fitojë vetë mundësinë (jo të drejtën, sepse këtë të drejtë s’e ka askush) për ti sunduar keq!

Tani në vend të heronjëve të maleve, djeg si asnjëherë malli për heronjë të ligjit …Por nëse, edhe një kohë, nuk qenkësh e thënë t‘na shuhet ky mall, aherë, së paku sikur t’na flladitej malli për skandal, arrest, gjyq, drejtësi…Por, jo! Shumëçka poshtarake që i ndodh interesit publik nuk arrinë asnjëherë, (si i ndodhi ditë më parë në Berlin Guido Westerwelles për udhtimet e kushtueshme me dylberin e tij nëpër botë) të fitojë statusin e skandalit! Gjithçka mban shenjën e paprekshmërisë dhe etiketën e normalitetit, madje të natyrshmërisë!.. Vendi po zhvillohet, thonë sipërmarrësit politikë, vetë apo përmes fortafolësve të tyre, duke mos ditur se për këtë ka dhe shtysë objektive. Ralf Dahrendorf ngrente tezën e argumentuar të shtimit natyral të mirëqenjes në botë dhe, prandaj, Spanja, falë këtij objektivizmi, bënte përpara edhe në kohën e anatemuar të Frankos!..

Po ku qëndron, aherë, dallimi mes diktaturës apo kriptotiranisë tranzicionale dhe pushtimit të huaj?

Tashmë është shkollarisht e njohur se themeli i lirive dhe të drejtave kombëtare ngrihet mbi liritë dhe të drejtat elementare të njeriut, si substancë organike e tyre. Pa to, nuk mbeten veçse një stërkeqje, një parullë dhe një farsë e hidhur. A më të mirë e kishin rrnesën, fjala vjen, gjermanët e Tirolit dhe francezët e Kuebekut, anipse pa shtetin e tyre kombëtar apo,  fjala vjen, bullgarët e Zhivkovit dhe rumunët e Çausheskut?!

Njeriu, përveç të flasë e të shkruajë, të këndojë e vajtojë në gjuhën dhe kulturën e tij, ka të drejtë poaq, të mos mashtrohet, vjedhet, izolohet dhe, së fundmi, të mos vritet nga shteti i vet. Entuziasmi i madhështisë së shtetit, i të qenurit shtetas identitar, sikur brishtëzohet, meket e shuhet krejt përballë kalvarit të sigurisë, të asaj sigurisë së vështirë të përtëritjes së jetës.  Nuk është, rrjedhimisht, e çuditshme ndjesia e apatisë dhe, madje, urrejtja e krijesës së vet, kur ato shfaqen e gjenerohen nga keqqeverisja  tek perpetuohet fundbotshëm. E, rezultojnë të pamjafta teoritë e doktrinat mbi shtetin, tagrin e fillimit dhe premtimin e artë (nesër, gjithmonë nesër) të ditës ës nesërme. Vetë ideja e pavarsisë, si pasojë e një pushteti frigjid, zvetnohet, pështiroset dhe bjerr joshjen e ëndërrës së saj. Dhe shteti përfundon, ashtu, në një mallkim për banorësinë e tij!..

Mirëpo nuk shkruante kot Dostojevski se kurrë nuk mund të arrish në parajsë pa pasur parajsën në shpirt. E adaptuar, kjo fjalë mrekullore do të thotë se as lirinë nuk e arrin dot pa e pasur atë me vete në shpirt!

            Por nëse Dostojevski ka vdekur – parajsa dhe liria vijojnë të mos pushtohen ndryshe.

            As sot dhe as kurrë!  

  

III. Lista e të urryerëve dhe reflektimet e „fratinnëve“!

 

I rikthehemi fillimshkrimit, kryetemës së tij: ngathtësisë vonestare ose, ruana Zot, edipizmit politik të regjimtarëve të Kosovës.   

Historia nuk mbaroi dhe këtë botë vijojnë ta ndajnë aleatë e armiqë…Dashuria mes popujve e shteteve, si mes njerëzish, megjithë orvatjet e internacionalizmit proletar, dikur apo të globalizmit transnacional sot, nuk ka ekzistuar kurrë. Edhe i pari, me idologjinë edhe i dyti, me kapitalin, ndonëse të pakrahasueshëm me shansin egalitar që ofrojnë, sërish kanë qenë e janë levë interesash të mëdhenj. Parimet spostohen përherë poshtë interesave dhe vetëm kur koinçidojnë rastësisht, aherë shpallen e tunden flamujt e tyre.

Ndaj pledohet një merakosje, një përvuejtni për shtetin, ngaqë mirëdashësit e shqiptarëve, disa syresh, dhe mund të firojnë. Fratinni i Italisë, gjatë një qëndrimi në Beograd, thoshte më herët para „kabinetit të krizës“, se pas aktmendimit të Tribunalit për legalitetin e pavarsisë së Kosovës, „do të reflektojmë thellë“! Vendi i tij ka njohur Kosovën dhe, për ç’i duhej ai „reflektim“? Dhe, ç’pasmendim, vallë, fshehej në këtë lakonizëm diplomatik?

Politikat e jashtme vdiqën dhe tani ka një të vetme politikë të brendshme planetare, thoshte një qeveritar i dikurshëm gjerman, të cilin e kam cituar dhe herë tjetër. Por, e rievokoj thënjen e tij, për të pohuar drojshëm se, mbase, euroentuziastët kanë tretur disi tensionin e hershëm. Kohë më parë, do të frenonte ftohtësisht vrullin e tyre intelektuali i njohur Heinrich August Winkler, tek shkroi se Europa komunitare nuk mund të ndërtohet mbi konceptin e „shteteve postnacionale, por të shteteve postklasike“! Pra, shteti kombëtar dhe politikat e tij nuk janë ende në rrugë të vdekjes klinike.

Botuesja e „Figarosë“ parisiene, e lutur nga televizioni kroat për të bërë një listë popujsh më të urryer, apo, thënë më finokërisht, më pak të dashur për francezët – vendin e parë kishin nderin ta mbanin amerikanët dhe vini re – fqinjët anglezë! A mos provon kjo, mjerisht, ekulibrat shpirtërorë të Europës së sotme e shkëndijuar pakëz nga  reminishencat e teatrit të vjetër politik të saj? Europianët i mban të bashkuar ideja e mbylljes së librit të historisë dhe kjo,  nga anë e saj, do ti detyrohet frikës nga njëri-tjetri dhe e të gjithëve bashkë nga kolosët botërorë, të konsoliduar apo në ngjitje (Amerika, Rusia, Kina), ndanë të cilëve europianët e përcopëzuar s’do ishin veçse vocrrakë të shkretë e të humbur!

 Impenjimi brukselian në Kosovë, rezulton pjesë e interesave të tij, ngaqë, thjeshtë, një ditë të pritshme, ajo do të aderojë në shtëpinë përbashkët. Por, si thamë, konstelacioni interesor europian e botëror përgjithsisht, është heterogjen dhe, që këtej, i rrëzueshëm përherë.

Koha që vjetëron e riskicon shpejt pozicionet e afinitetet, ndëshkon ata që thuren në leqe të veta. Ja, në mesvitet e 80-të, bie fjala, sa ishte ende në këmbë Bashkimi sovjetik, Otto von Habsburg në librin „Ideja imperiale“, pohonte, se „ islami, përballë marksizmit totalitar, ishte aleati ynë i natyrshëm“. Madje, duke kujtuar „ mbretërinë e tri religjioneve“ të Toledos apo Kalifatin e Kordobës, ai i bënte një hymn „përbashkësisë së trashëguar kulturore mes nesh dhe – si shprehej – popujve islamikë“. Për të betonuar mëtej pikpamjen e tij, ai citonte Rajmond Lull-in, i cili qysh në shekullin e XII-të, për shkak të afërsisë doktrinare, e paskësh cilësuar islamin jo më shumë se „një herezi të krishterë“!

            Mirëpo, kur vetëm ndonjë dhjetëvjetësh më pas, do të riformatohej fizionomia e përparësive gjeopolitike, S. Huntigtoni, po këtë botë që ishte në një anë interesash kundër „perandorisë së të keqes“, do ta zhvendoste, me lehtësinë e padurueshme të shndërresës, në kampin e armiqëve të parë perëndimorë.

Ndaj, ka kosto të lartë historie, në kufi alarmi, ky keqndërtim, i ngathtë e shpesh vetëprishës, i shtetit të Kosovës, që duhet të ndërrojë dinamikë, moral e gjak të ri, jo për makiazh përballë survejimit të europianëve të palajthitshëm, por për njeriun kosovar vetë.

Ndryshe „fratinnët“ mund të reflektojnë.

Dhe, ndoshta, të rimendohen!

Vonesa është virtyti ynë heroik!

 

R. Kasumaj   

“Fidanët e Shpresës”

namik-selmani.jpg

“Fidanët e Shpresës”

 

 

Cikël me poezi nga Namik Selmani

 

Libra poetikë të botuar prej autorit:

 

 

 

    Vatra e mallit

    Zërat e brigjeve të mia

    Kroi i këngës çame

    Dallandyshet e Çamërisë

    Dritaret e besimit

    Fari çam

    Shpirti çam

    Pesha e qielit te vendlindjes

 

 

 

 

 

1.Lulja e bukur e trollit

 

 

Adem Jasharit

1.

Lulen e fundit të trollit

 mbi pushkën tënde do ta vë bacë Adem Jashari.

Me tupanin e fundit

   dasmën e nipit  do të zgjoj qiell, e drurë, e dhe.

Mjegull e Theqafjes

S’do ma zërë shtegun e udhës dhe s’do ma thajë fjalën e  mentarit

Mes  vellos së barotit

Një farë më shumë ugari e një lis të ri kurorëblertë do mbjell.

 

2.

 Në odën e Urtisë tënde

 Ku plumbat e zinj kuvendonin  me Natën, Lugatin.

Akoma

Dua  të ta dëgjoj  fjalën, o më i urtë se Urtia e Kosovës.

Pash Dhimbën e trollit

 E lotin që më çurgon thellë gjoksit  eshkëtharë!

Bekona prapë, bukën e lume gatuar nga dora e dhembshur e Lokes!

 

3.

E syrin e pushkës  ,

 Atë sy të  bukur, mos na e mbyll në Natën e sterruar!

Mos na e thaj, bre,

Mos e thaj njat det malli diku në bjeshkë Kosove mbi Kaçanik e Prekaz!

E derën e kullës

Kanat më kanat hapur lëre, se udha ka prapë miq të vonuar.

E bradën

të lëruar lëre për të mbjellë lulëkuqet kuqëluar si bajrak

 

 

4.

E zgjona agun

Ku zezonat, e shtrëngatat s’ia  ndalin që s’ia ndalin rrezet!

E urona Bacë,

 në atë udhë ku na pret një nënë tek djepi më i ri!

Një tel lahute e çiftelie nderur nga mot lëre

Si një bajrak flladitur nga era e lisave të bjeshkës,

E kujtoma amanetin e fundit

 se do t’ia jap pranverës që do të zgjojë logun në çdo rudinë!

 

5.

E pushkën

 lëre të pastër në atë grykën e nxehtë, Lum Baca!

 Hej, sa dasma

Me të do të pres si dhëndërr,  a krushk i parë i nderuar

Hapin e menduar ma bëj hallall

 Se një det  me sy Kosove  më paska ardhur i tërë tek Fjala

E plisat e bardhë

Më paskan bërë lodërtar e  valltar,  fëmijë e bujk i papërtuar

 

6.

Në zjarret e Prekazit

U djegsha i tëri me shpirt, me sy e me këngë.

Ta rizgjoj Adem Jasharin

E ta shoh si po më krihet bukurisht në atë pasqyrë lirie.

Në djepin e fshehur

Mes shkëmbinjve, lapidarëve a  mes dheut të rëndë

Ninullën më të re

Për loçkën e zemrave ta thur si një shtëllungë pavdekësie.

 

7.

Në palcën e krojeve të Prekazit

Një mijë diej të hedhin vello drite e zjarri!

Po ku ta gjej një pëllëmbë bjeshke

 Monumentin të ringrej me gurë bedenash, kullash?

Hej, Binjak i Ëndrrës,

Spirancë e Detit të Dhimbjes, Bacë Adem Jashari

Ta marrim së toku të nesërmen

 Me pëllëmbë, me gjoks, me lot kujtese e me krenari burrash!

 

8.

Të mbyllen Rrathët e Harrimit!!!!

Se vjen Komandanti nga  burimet e shtigjet e Sharrit kapuçbardhë

Ban roje ai,

 Kalorësi trokzjarr i kullës, më tepër se një dorë Rozafe.

Vetëtimat le të ndalen

Pa trembur duar, këmbë, qerpikë e qepallë.

Ani pse udhën

Dashkan të na e qorrërojnë dhe gurët  të na i mbysin me përgjakje.

 

Namik Selmani   0692776828

 

2.Kaceku

 

Jam kacek

Që erërat e Çamërisë i kam mbyllur me shtatë çelësa

Kur të dua

I nxjerr e ngopem me flladin e jetës, me rinimin.

Flugerët qiellorë

Le të më dërgojnë  sinjale pa semaforë  shtigjeve të shkreta.

Të gjithë

Me duar do t’i mbys në mullinjtë që bluajnë trishtimin.

 

 

Do të bëhem këtu gjykatës

për dy cjepë që s’lënë shtegudhën e marrëzisë.

Për bujkun

që në vlagën e ugarit nuk e hodhi dot farën.

Për breshërin

Që shkretë ma la arën e mbjellë me misër

Për librin

Që kurrë s’ia hapën fletët si plugu pas brazdës.

 

Jam kacek

që mbaj aromën më të ëmbël të rrushit të vreshtës

Dikur

 gjyshi e ka mbjellë pa pyetur për përrenjtë e djersës nën trikon e leshtë

  E netët

 i ka gdhirë për t’i hequr dhe gjethen e fundit në sqetull të sythit të gjelbër

Mbrëmjeve

 me sapllake mushti  ndër duar gjithë mirëdashësit i ka pritur dhe përcjellë.

 

 

 

Mos më pyet

 për vitin kur kam lindur unë dhe ky shpat, kjo kodër, ky det!

 Jemi të një moshe,

 jemi të një shpirti që  rreh nga mot me pulsin e përrallës dhe legjendës.

Ejani këtu

 të zjarrmoheni nga  vullkane  dashurie që ngrihen për ty, Çamëri e shtrenjtë

Bëhuni

 të gjithë me mua Kacekë të këngës, urimit dhe Shpresës

 

3.Veterani

 

 

 

Me pëllëmbë e mati tokën me gacat e zjarrit të ndezur

Me fytin e çarë s’e la këngën të mbetet jetime .

Të nesërmen dua ta mas me patericën e tij  dhe me  dorën e prerë.

Në sytë e mi Çarshia e Shpirtit të mbetet e hapur në vite.

Po pse, pse  troket pas dore i skuqur veterani?

Mos vallë pret vallë të rinisë luftën nga gryka e nxehtë?

 Hesht pak e fsheh plagët thellë gjoksit si në një kuti margaritari

e pret, pret që në  pragun e shtëpisë së  fisit  lulja të riçelë.

 

 

 

Janë me qindra motra mbi trupin e tij si të vëllait Gjergj.

Pa  ia mbushin me gjethe dafine plagët e marra, si fidanë të porsambirë

A thua iu lodhën gjunjët drejt LIRIDONËS së shtrenjtë?

E krushqit e dasmave iu hedhin mjegullat mbi supe si oriz të ngrirë????

Në radhë pret e pret pafajësisht një copë bukë të tharë,

po presidiumet  mbyten pa fund nga një det lumturie.

Diku në një shtyllë mortore kur i shohim  të zënë vendet e para

Dekoratat shkrihen  gjer në thërrime si jehona  betejash, lavdie

 

 

 

 

4.Kur kërkon fjala ugarin

 

 

Hënë qiellore e pangrënë

Ç’pe në ëndër vallë prëmë?

Ku të bënë prapë Kapedan

Ku të ngritën gjer në mal?

 

Eshkë e ndezur pa masat

Bredhëron –o shpat më shpat

Në një kreshtë e puthka dallga

Në agim ku  ikën nata.

 

Eshka dashka prapë masatin

Të bëjë zjarr Natën e  malit

Po na sjell ninulla pranë

Dhe pse jemi thinjëbardhë.

 

Eshka dashka dritë mentari

Po than valë oqeani.

Dhe pse këmba çurgon gjak

Nuk e ndal udhën e gjatë.

 

Trastë e leshtë s’mbet pa bukë.

Pa një plloskë me verë e ujë.

Po na pret sërish këmbana

Na kërkon vajza në dasma.

 

Në një sofër pret kafeja

Fjala ngrihet ndër bedena

Ku marria thyen këmbët

Na pret  fjala  si një dhëndërr

 

Një kafe me sy drejt miqve

Ku cigarja buzës digjet

Hesht o det me tramundanë

Se të vjen poeti pranë!

 

Pret  cigarja thëngjilluar

Pret kafeja ëmbëltuar

Na ka ardhë  një mik te dera

Të djegim lastarët ferra.

 

 

Ferrë e ligë që na ferron

Shpirtin tonë na sakaton.

Nëm një fjalë të latuar

Ta bëj palcë të palcuar!

 

 

Ta bëj iso hall  e derte

Merr e jep me një mijë djepe

Ngjitesh, zbritesh i hazdisur.

Shkronjë më shkronjë magjiujdisur.

 

Fjala, stan me blegërima

Ku nuk ndihet hungërima

Ku burimet nisin garën

Pikë më pikë ta njomin brazdën.

 

Ku të mbjellin Farë bashkimi,

Në hulli te shqiptarizmi.

Thënë me gluhën e Naimit

Thënë me bririn e Kushtrimit.

 

 

Thënë me gjuhën e një flete

Ku kërren një bisk ca gjethe

Thënë me gjuhën e një guri

Që mbështetet fort tek muri

 

Të dëgjojë qiell i kaltëruar

Kapedan që di se ç’thua

Hap më hap me shtigje larë

Syri rreze paska marrë.

 

Lëmë,  vëlla, ku dasmon  fjala

Se më lidhi këmbët ngjala.

Si një bajgë mes këpuce

Si stuhi që kërrus supe.

***

Hënë  qiellore e pangrënë

Falna  fjalën e pathënë .

Peshkatarë të mençurisë

Të mos tutem bri stuhisë

 

                                             5. Kush ma shkruan amanetin

( Motiv çam)

 

 

Kush më merr  sërish për dore

Të më bredhë prapë?

Çamëri, moj klumushtore

Djegur nga një mall.

Kush më njom buzët e thara

Nga etja shkrumbuar

Kush më mban një iso kënge

Gojë më gojë kënduar?

 

 

Kush ma tund valles mandilen

Të pikojë nga nuri

Të më hapë sëndyqet varg

Të kërrej flamurin?

Kush më fut nëpër ullishta

Kokrrat t’ua prek,

E t’u them ca fjalë malli

Si ninullë në djep?

 

Kush m’i thotë fjalët çamçe

që s’i fola  dot.

Kush më jep në rrudha duarsh

Lule borzilok?

Kush me feks me dritë ballin

Nëpër terr të qiellit

Kush më ngre si një kala

Lapidar kujtimi?

 

Kush ma shkruan amanetin

Me fjalët prej zjarri?

Kur të hidhen plisa dheu

Ëndrrën jasht ma mbani!

Se do bëhem prapë dhëndërr

Që të dhëndërroj

Do të bëhem sqep shqiponje

Brigjesh të ndaloj.

 

 

Se do bëhem fyell Tane

Të zgjoj Çamërinë

Për ty , nënë, me thinja valësh

Mos paçim harrim.

Se do bënem frymë e gjallë

Që të zgjoj oxhaqet.

Se do bënem Verë e ngrohtë

Të çel manushaqet.

 

 

Vjen në fjalë si uratë

Kohë e kalëruar.

Na troket me gurë në portë

Me pishtar në duar.

Na kujton ca varre shkretë

Ca lule lëndine

Fshehur krojesh nëpër përrele

Në rrënjë të ullinjve.

 

 

Ç’them kështu, vëllezër, motra

Mos jam bërë përçart?

Dorën trupit të ma vini

Ballin e kam zjarr.

Do më jepni hak patjetër

Se na rrit një palcë.

Me vatanin brumëgatuar

Ngrohur-o në një buhar*

 

 

Buhar –(dialect).-oxhak

 

 

6. Krahët e zgjatur

 

 

 

Krahë të zgjatur ,

Në zgjimin e verbërisë drejt trungjeve filizblertë të mençurisë

Këmbë të lodhura,

Që bëhen motra me flatra zanash të etura për kroje paqeje.

Gluhë e zgjidhur ,

Që s’harron të flasë shqip e shqip gjer në buzën e mpirë.

Far i ndezur fjale ,

Që pajton brumin e posambrujtur me flakët e zjarreve.

 

 

 

 

Mik që lexon mikun,

Edhe pse Abetarja e Miqësisë s’është botuar asnjëherë.

Portë që s’mbyll kanatet,

Se kënga mbetet si një lypëse pas derës që s’hapet.

Vonë pse u takuam kështu?

A ke pyetur ndonjëherë Orakullin e ditës që vjen ?

Ti në Prishtinë, unë në Tiranë

Me të njëjtën Kod kolombian zgjasim krahët si dallgë detesh.

 

 

 

7.Malli i Nistës*

 

 

Ka dalë Mali i Nistës tek porta e mbyllur

Dërgoka me erën blegërima delesh të bardha

Po si t’u çoj djemve Përroin e Gembit* gurmbushur?

Si ia dërgoj ca fidanë lulesh si fjongo të rralla?

 

 

Përse hesht, trokashkë e Mullirit të Vjetër?

Ku ma ke djalin që ujin ia çonte te guri?

Aherë, ish djalë e matej me rrufenë e egër,

Me krahë trimëroshe duke kënduar e mundëte ujkun.

 

 

Si t’ua dërgoj dallgët e detit si kurrize kuajsh

Lodhur nga jeta që shkoi nga ëndrra në vite.

Sa larg jemi e kujtimet u bënë si shiu i butë!

Sa na dhemb ndarja mes tingujsh nostalgjie!

 

 

Si t’ua dërgoj një sofër ku mungon kafshata e bukës

Si t’ua përcjell udhën ku hapi i tretur rrëgjohet?

Kam mall t’ju shoh tek uleni mbi plisat e gurët

Memecë mos ju shoh apo gurë që rrëzohen.

 

 

Si t’ju sjell një shegë që piqet e bie  pa u prekur ?

Djepet u kalbën e vreshtat hynë në përralla.

Te Lëmi i Ademit* bari u vyshk nga mall i patretur

Balada të reja thur Joni kur sheh gërmadha.

 

 

 

Me një dorë fëmije zgjoj detin që thinjet e tretet,

E gjyshet nga varri fshehin dhimbshëm lotin e pasosur

Me një mandile ullinjsh ju sjell nga larg përkëdhelje

Me duar nënash bashkoj fjalën me ëndrrën e lodhur.

 

*Nista- fshat afër Gumenicës ku fshatarët janë marrë me bujqësi, blektori e sidomos me ullishtat.

*Përroi i Gembit -një nga përrenjtë më të mëdhenj  të fshatit Nistë.

*Lëmi i Ademit-lëmi më i madh në mes të fshatit.

 

 

8.Për ju

 

 

Jua dhashë në duar buqetat me lulet e freskëta të fjalëve

Para jush u bëra kopështar duarargasur, ballëdjersitur.

Kërkova nga ju të kishit durimin e peshkatarëve

Kërkova të më ndiqnit në shtigjet fytyrëndritur.

Jua ngrita para sysh lumin e Kështjellën e Bardhë

Para jush u bëra vetë kështjellar i ndershëm

Ja thashë të bashkohemi më ëndrrën supevraraë

Të ecnim si miq të mirë në Skenën e Jetës .

 

 

Po , ah, mora nga ju braktisje llogoresh si tufa me gjemba

Një piskamë çmendurie ma shpoi kaltërisë e zemrës

Diku në udhëkryq semaforësh, pa dritë mbeta

Me trastën e grisur tek ecja me dorën mbështetur.

Dhe Kështjella e Bardhe m’u shkërmoq në duar

Dhe puset e thellë m’u thanë për pikën e fjalës

Dhe pyesja veten i urtuar:

“Ç’të bëj me kopshtin e mbushur me lule ???

Ç’të bëj me detin që si një mal i ngre dallgët??”

 

 

 

 

                                    9. Hesht, se fjala s’vlen më!

 

Në radhët njerëzore drejt Diellit

Ti qënke Greminë ku vdekja rrëzohet

Thyen këmbët,

Kërcet dhëmbët.

 

 

Po ti, Çamëri,qënke kështjellë

Ku shkërmoqen gurët nga Prushi i Kujtesës.

 

 

Po ti qënke vetë heshtja kur fjala s’vlen më

Para foshnjës së shqyer në barkun e nënës

Para Murtajës ,

Me pamjen makabre të Antijetës.

 

 

 

 

Po ti qënke përrallë

Ku Kuçedrat hanë ullinj të lashtë

Pijnë dete me dallgë ta larta,

Qiejve hedhin çarçafë me mjegulla

Brejnë kocka varresh me baltë,

E çative ua paskan shkrirë  trarë e tjegulla.

 

 

 

HESHT sërish,se fjala s’vlen më,

Kur me fuçitë e verës së vjetër ngren dollinë e Natës vdekja.

 

 

 

 

 

10.Kur më mungon ti….

 

Gruas sime

 

 

Kur më mungon ti, zemra brishtëzohet kaq hajthëm.

Troket një trishtim, si një mik përherë i paftuar

Kujtimet e fjalët me nostalgjinë ribëjnë dasëm

Sytë terratisen  si  kalorës që stacionin e fundit kanë harruar.

 

 

 

Ç’të jetë vallë ky zë që më ngjan si arkiv i paprekur ?

Zhbiron aq thellë në kërkim si një polumbar qiellor.

Kur më mungon ti, kthehem në një violinë telnderur

Me një hark që hesht apo rrëshqet nëpër tela si kristal qelqor.

 

 

Edhe dita akullohet kur mungesën tënde më sjell.

Kam ftohtë, ftohtë  teksa hedh në zemër një pelerinë vetmie.

Më rrënqeth  heshtja  kur akrepat bëhen memecë ,

Më ndalet hapi, kur fjalëëmblat nisin udhë arratie….

 

 

Edhe një gonxhe luleje  rrëgjohet kaq dhimbshën nënë hije.

Drizat drizojnë duart  e malli zemrën e gërryen ,

Bie një muzg, edhe pse dielli është Mbret lëndine

Një vjeshtë pa kokrra   rri mbi tryezë si një pjatë e thyer.

 

 

 

Po kur vjen ti, pusi i thellë e shkrin akullin e kallkanosur

Ëndërra kthehet në një zog  që asnjë çerdhe s’e mban nga gazi.

Porta rihapet vetë pa trokitjen e dorës së ndrojtur.

Edhe guri më i egër nis një valle në ca lëndinëza behari

 

 

Po kur vjen ti, rishfaqet prapë një burim sykaltër.

Largomu, o heshtje, teksa pres Dritën në kthim !

Hë, më thuaj , o mike  e përjetshme e fjalës

A të kanë munguar ndopak duart e sytë e mi ?

NJË TOKË E PJEKUR

Adem Zaplluzha

 adem.jpg

Një pëllumb i bardh

Doli nga gjumi i natës

Dita fluturoi drejtë qiejve

Sa ora nga Bjeshkët e Mira

U paraqitën zanat e Fishtës

 

Nga zarfi i kaltër

Nxorën një copë pergamene

Në hartën e Ptolemeut

Dikush i paska prekur sinorët

S’lexohen dot

Këto shkronja  çoroditura

 

Ca hije bizantine

Të zeza si trishtimet i netëve

Me mija vite qëndrojnë pezull

Mbi brigjet e Jonit

 

Një re e plumbtë

Me përplot trishtim

Mbuloi

Zarfin e kaltër

Një hartë e zhveshur lakuriqe

Një tokë e pjekur

Meze për Evropën

Paskan ndryshuar shkronjat e vjetra

Qenkan verbuar

Sytë e verbët të Evropës

KU NGELI AI ZË

28730695_d7b19f700e.jpg
( Shkrimtarit belg, Emile Kesteman-it

me rastin e vdekjes )

Ai  zë që thërriste zërat e tjerë,
zërat e zbehtë në shi e në erë,
në sofrën me të lirët i bashkoi,
u hapi rrugë,

bota t’i dëgjojë.

Zogjët e bardhë , të verdhë e të zi
bashkë zbutën  dhembje,
shtuan dashuri.

Jusuf Zenunaj, më 21 janar 2012

|