DJEGIA E NJË LIBRI

Rituali i djegies së një libri të një autori shqiptar për Enver Hoxhën
u përsërit për të tretën apo të katërtën herë. I nisur kohë më parë në
një qytezë të Kosovës ai e kapërceu kufirin shtetëror dhe duke qenë
përherë brenda shtëpisë së përbashkët të shqiptarëve, e vijoi
rrokullimën edhe në anët tona. Lajmet thonë se këtë herë zjarrvënësit
e librit janë po ata, komunistët, por dyshoj të jetë plotësisht e
vërtetë. Nuk duhet të jenë as enveristë seriozë, sepse shumë syresh
prej tyre, në Shqipëri e sidomos në trojet e bashkëkombësve tanë në
Kosovë apo Maqedoni e Malin e Zi, duke pasur edhe arsye të tjera për
të qenë nostalgjikë të tij, në asnjë rast nuk kanë zgjedhur si mesazh
të shpalljes së ideve të tyre djegien e një libri. Jo vetëm nuk e
nxitën, por as e nënkuptuan si të arsyeshëm, një gjest të tillë, edhe
pjesëtarët e familjes Hoxha, të cilët e përballuan debatin hapët, siç
është rregulli themelor dhe i pacënueshëm i pluralizmit.
Zjarrvënësit e librit sigurisht që janë aq të painformuar sa nuk e
dinë se edhe në vetë bibliotekën personale të diktatorit, ndryshe nga
sa sistemi politik i institucionalizuar prej tij “ktheu në karton” apo
censuroi e ndaloi, kishte botime kundër komunizmit. Ai zyrtarisht
merrte informacione që flisnin kundër tij dhe të gjitha mund t’i gjesh
me bollëk nëpër arkiva. Nuk i përvëloi.
Ja përse këta që gjestin e shumë përsëritur dhe tashmë jo të
rastësishëm të djegies së një libri po na e shndërrojnë në një mesazh,
nuk duhet të jenë vetëm disa individë, por një mendësi që jo vetëm ka
mbetur gjallë, por edhe hakërrehet. Këta janë stalinistët, një lloj
komunizmi ultra radikal, që çuditërisht nuk vuri mend me dështimin e
plotë të doktrinës së marksizëm-leninizmit, por, duke përfituar prej
lirisë që solli rënia e diktaturës së asaj dogme, tani pëlqejnë të
manifestojnë revansh.
Kjo nuk do të thotë se ndaj tyre duhet që shteti të marrë masa. Janë
të lirë të djegin çfarëdo libri që u mbushet mendja. Tregojnë vetëm
kulturën e tyre primitive. Librat e Hoxhës shiten gjithkund nëpër
buzëtrotuaret e qyteteve shqiptare, madje në mes të kryeqytetit, para
syve të mijëra e mijëra turistëve të huaj dhe askush nga ata që u
persekutuan jo vetëm nuk ka djegur publikisht ndonjë prej tyre, por as
i ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse për ndonjë veprim
“pastrimi”. Edhe në fund të 1990-tës, kur lëvizja antikomuniste
shpërtheu me vrull dhe në muajt janar, shkurt e mars të vitit pas
ardhës u pleks edhe me veprime radikale, përveç ndonjë rasti të
rrallë, nuk i dogji veprat e diktatorit, por protestoi duke i flakur
në rrugë. Megjithatë edhe në këtë veprim të fundit nuk kishte mes tyre
demokratë të së djathtës së vuajtur nëpër burgje. Jo sepse ende kishin
frikë, siç thuhet shpesh, sepse koha e provoi, që kur ajo “u doli”,
nuk e bënë kurrë një veprim të tillë.
Mosdhunimi i librit ishte gjest i madh lirie, siç qe veprim liridashës
rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës në sheshin “Skënderbeu”. Qe i
pranueshëm ato çaste kush e shprehte zemërimin me ndonjë goditje me
duar apo këmbë, po ashtu edhe tërheqja zvarrë deri sa u mbart në
qytetin Studenti. Aty pati edhe eksponentë të lëvizjes për çlirim nga
diktatura që shkëputën nga bronci i statujës copëra dhe reliket e tij
i shpërndanë nëpër Evropë, si shenjë e përfundimit të një regjimi. Ka
ende që ndonjë prej tyre ndonjë copë e ruan, sigurisht aspak për t’i
shprehur simpati, por për kulturë kujtese kombëtare. Gjithkush që i ka
ndjekur me vëmendje mbresat për episodin e rrëzimit të monumentit,
cikël që do të gjallërohet edhe këtë 20 shkurt, nuk është ndjerë mirë
kur ndokush prej pjesëmarrësve mburret se ka derdhur mbi statujën e
diktatorit ujët e hollë.
Sepse libri është pjesë shumë e çmuar e lirisë dhe në një shoqëri që
respekton mendimin ndryshe botimi që nuk të pëlqen ty apo edhe vetë
qeverisë e shtetit, do të rrijë në publik i pacensuruar e ca më pak,
kurrë, i djegur. Fuqiplote për veprime kundërvepruese janë vetëm
gjykatat. Por as ato, po të kujtojmë njëzetë e një vitet e pas
1990-tës, nuk kanë ndërhyrë për t’i larguar nga sytë e shqiptarëve
librat e Enver Hoxhës apo të bashkëshortes së tij, e cila ka
sipërmarrë me mjaft seriozitet e angazhim rigjallërimin e doktrinës së
tij humbëse.
Për librin që po digjet dhe për çdo libër tjetër që do ta pësojë një
sjellje të tillë barbare, shoqëria shqiptare, që nga më të diturit e
saj, studiuesit profesionistë e deri tek njerëzit e thjeshtë, i ka të
gjitha aftësitë që t’i drejtpeshojë individët, ngjarjet dhe dukuritë
me analizë, pra me mendjen dhe fjalën e lirë. Askush nuk ja hedh dot
opinionit publik, sado dinak të jetë në shtrembërimin e një të
vërtete, sado i fuqishëm të duket një çast, sado të ngjajë se ka
mbështetje mediatike apo lidhje me pallate pushtetesh. Është liria e
të shprehurit, sjellja e kulturuar qytetare, që i vë ata në
vështirësi. Djegia e një libri, akt mirëfilli nazist (kështu vepruan
hitlerianët në “Natën e Kristaleve “), u jep atyre krahë.
Ka një fjalë të urtë, e cila qarkullon e mirëpritur mes shumë popujve.
Më pak është e dëgjuar këtu tek ne, në Shqipëri. Ajo thotë se kur vdes
një i moshuar digjet një bibliotekë.
Dituria botërore e ka gjetur librin si simbolin dhe vlerën e vetë jetës.

Ylli Polovina

Tiranë, më 20 janar 2011

Leave a Reply

You must be logged in to post a comment.