Archive for the Uncategorized Category

Heshtje korriku

astrit-lulushi.jpg
Astrit Lulushi

Ndëshkimi i padrejtë nuk është gje e mirë. Eshtë taktikë përgjithësisht joefektive e një drejtuesi të keq. Edhe kërcënimi është një lloj ndëshkimi; ndonjëhere më i keq se vetë dënimi. Nga kjo del se ndëshkimi është kundërveprim ndaj kërcënimit, qark ku vërtitet politika e pas-diktaturës.

Teorikisht, burgosja padrejtësisht e një personi është krim, keqtrajtimi e vrasja, edhe më krim. Por burgosja e një populli, quhet thjesht “izolim”. T’i vrasësh të gjithë, është krim më i lehtë sesa të vrasësh disa. Kjo shkon kundër çdo arsyeje. Apo ndodh sepse kur të gjithë vriten, nuk mbetet kush për të dënuar a u dënuar?

Krimet e komunizmit në Shqipëri nuk janë ndëshkuar. Duket se nuk pritet të dënohen. Ndodh kjo sepse; shpirtërisht, s’ka mbetur kush gallë, prandaj shihen si krime te lehta? Sepse ish të vuajturit  jane të pafuqishëm, nuk kanë gjë në dorë? Apo sepse ish-shkaktarët e vuajtjeve janë sot më të pushtetshëm dhe përbëjnë shumicën? Pyetje të ngarkuara.

Që në vitin 1991, ndëshkimi i krimeve të llahtarëshme të komunizmit ndaj individit u hoq si alternativë dhe ndërsa ish të dënuarve - veç udhës së mërgimit - shumë rrugë nuk u hapën - ish përgjëgjësve të krimit u doli frika, e nuk luajtën nga vendi.

Vite kaluan, dhe kërcënimet u bënë shprehje politikanësh, të cilët si pjestarë të ish nomenklaturës – tashmë të çliruar nga frika e dënimit  – u hodhën në veprime politike ngërçuese. Në këtë gjendje ndodhet politika sot. Dhe rrethi vazhdon i mbyllur, ndërsa shumë ndjehen se po marrin kundërpërgjigjen e ndëshkimit - sikur po dënohen për prishjen e rehatisë komuniste, që filloi më 2 korrik 1990 me krizën e ambasadave. Prandaj edhe besueshmëria ndaj politikanëve  – me anim nga e kaluara pozitare -  shprehet me ‘të gjithë janë të korruptuar’.

NË PELLGUN E FATIT

Bilall Maliqi

 

bilall-maliqi.jpg

 

1.

 

Edhe pas katër stinëve rri mbyllur

Në vetminë tënde tani të dryshkur

Mbyllas të rri edhe kujtesëmbresa

Sikur ky reliev mu në mes trekëndëshit

 

Zbute mallin e shtrirë n’katror dhembjeje

E kjo dhembje nuk ka tjetër gjuhë

Ajo flet e këndon për shpresën e shkrirë

Në kujtesën e rënduar banon jetësisht

 

Peshë ka ky mall, i lagur është lotësisht

Lutem për ty, për dhimbjen që pjell zi

Në mes faqeve të ndara malli banon

Rruga lidhet me ëndrrën e paparë kurrë

 

2.

 

Je pjesë e ëndrrës sime të degdisur

Aty të kam mu në skenën e përlloçur

Më s’ka rehati shpirti im i lodhur

Nga zabel vuajtjesh është shtrydhur

 

Si ti radhis fjalët në ditar të grisur

Kur koha nuk i ruajti zjarret e pafikura

Dikur në motet e shkrira në klishe malli

Ato i vargëruan e i ruajnë diku engjujt

 

Humb kohë në katror të vogël dhome

Dëshmi i ke ditët e netët e shpeshta

Që shpupurish kujtimet si në përralla

E ti, futesh në barkun e ëndrrave plle

 

3.

 

Shko tani e futu në pellgun e fatit

Kërko dashurinë e pakërkuar kurrë

Në do të takohesh me të koha ndalet

Edhe tik-taket e orës nuk do të rrahin

 

Engjujt do të mërziten për këtë fat(keq)

Do të lotojnë mbi ditarin e vargëruar

Në kohën e dashurisë së rilindur

Hej, Portën hapur e ke në timin shpirt

 

Kur të duash kthehu sybukura ime

Të presin muzat buzëqeshur

Do të hysh në të miat vargje

Sall edhe njëherë, e s’të lëshoj më kurrë…

 

“PEGASI” , MYSAFIR NE MINISTRINE E JASHTME TE SHQIPERISE

 

pegasi-8.jpgKopjet e revistës letraro-artistike “PEGASI” mbëritën e u publikuan nëpër libraritë e kioskat e Tiranës, pikërisht atë ditë, kur Ministria e Jashtme e Shqipërise i uroi mirëseardhjen  kalit mitollogjik, në një Konferencë të posaçme Shtypi, në mjediset e saj.

Kjo ndodhi më 25 korik, të hënën, në orën 11 para dite, në prani të gazetarëve, shkrimtarëve, artistëve, kritikëve dhe të bashkëpunëtorëve të saj. Mungonte vetëm  ideatori e Drejtori i “Pegasit”, Grigor Jovani, ai që duhej të ishte i pari në këtë festë “atdhetare” të kalit fluturues, për arsye të obligimeve vetjake. Ndërsa pronari i Entit Botues “ORAMA” në Greqi, Thoma Naka (njëherësh edhe botuesi i ri i “Pegasit”) dhe Kryeredaktori Miho Gjini (Mjeshtër ë Madh), shoqëruar nga piktori i revistës, Leonidha Bullgari, nga manaxheri i saj, Festim Zaçe, si edhe nga botuesja e Kryeredaktorja e “Plus Gazeta e Athinës”, organit simotër të “Pegasit” në Athinë, Ira  Londo, u pritën përpara veprimtarisë nga Zv.Ministri i Jashtëm, z. Selim Belortoja dhe nga Drejtori i Institutit të Diasporës, Roland Bino, të cilët përgëzuan stafin e kësaj reviste cilësore për botën shqiptare të letrave dhe të lexuesve të saj të kudondodhur…

Konf. e Shtypit e hapi Zv. Ministri Belortoja, duke theksuar rolin që luan kjo revistë  në përçimin dinjitoz të kulturës shqiptare në gjithë diasporën, për të lartësuar vlerat tona e arritjet bashkëkohore në fushën e letërsisë e të artit.

Kryeredaktori Miho Gjini, njëherësh edhe Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Greqi “Liter-Art”, vuri në dukje, se kjo revistë, e ideuar, projektuar dhe drejtuar me mjeshtëri profesionale nga poeti e publicisti i njohur i komunitetit shqiptar në Greqi, Grigor Jovani, erdhi si rezultat i një pune e sakrifice të madhe vetjake, për t’iu imponuar sfidava të kohës, vështirësive e realitetit ekzistues, por edhe për t’iu përgjegjur refleksioneve shpirtërore të krijuesve shqiptarë në Greqi, por edhe me gjerë, në Atdhe, Kosovë dhe në emigracion shqiptar të përbotshëm. Mjeshtri Gjini solli në dritë privacionet e stafit të “PEGASIT” për të mbijetuar në kushtet e krizës botërore, por që preku më thellë vendlindjen e Kalit fluturues, Greqinë. Në sajë të këtyre sakrificave u bë e mundur, që ati mitollogjik të “fluturojë” përsëri nëpër hapësirat shqiptare, por edhe ato të përbotshme, me një ngarkesë  vlerash e peshash  “të rënda” artistike. Me këtë rast, Kryeredaktori i “PEGASIT” falenderoi bashkëpunëtorët e shquar të revistës nga Atdheu dhe diaspora, që     ndodheshin në sallë: shkrimtaren shqiptaro-amerikane, Albana Mëlyshi-Lifschin, poetin Ilirjan Zhupa, eseistin Fatmir Minguli, kritikun Mexhit Prenci, shkrimtarin Visar Zhyti dhe përkthyesin Murat Aruci…

Botuesi Thoma Naka, njeriu që i dha flatra të reja “Pegasit”, duke e veshur atë, sipas Miho Gjinit “me rrobat e mbretit”, tha se e morri përsipër ecurinë e “kalit mitologjik”, për vlerat e mëdha që mbart mbi vete, në rrugëtimet e veta qiellore, duke patur një  drejtim të sigurt prej Grigor Jovanit e Miho Gjinit, si edhe të punës tejet profesionale të stafit të tyre të përzgjedhur me kujdes. Ai u shfaqi të pranishmëve planet e reja krijuese, të cilat do të jetësohen qysh në numrin e ardhshëm, si kthimi i saj në një revistë me ngjyra, me format dhe numër gati të dyfishuar faqesh, me një rrjet ndërkombëtar shpërndarrjeje dhe me një reklamim bashkëkohor.

Menazheri i revistës, Festim Zaçe, u shpërndau të pranishmëve  numrin 8-të të revistës, të cilën e kishte faqosur kësaj here vetë drejtori i saj, G. Jovani, shprehje e përgjegjshmërisë së tij përpara autorëve pjesëmarrësh, por edhe lexuesve, duke u uruar atyre për të qenë miq të përhershëm të “PEGASIT”, nëpërmjet abonimeve të rregullta.

Mandej u shfaqën konsiderata nga të pranishmit, miq e bashkëpunëtorë të revistës. Kështu, kritiku Mexhit Prençi tha se “PEGASI” është një revistë që na mungonte. Ka faqosje shumë cilësore, me kulturë botuese, me hapësrë e gjerësi.. Ka vlera edhe në rrafshin e shijeve estetike, si edhe është gjithëpërfshirëse. Këtë e kanë vënë në dukje, qysh në numrat e saj të parë, studiues dhe kritikë të tillë, si Adriatik Kallulli dhe Josif Papagjoni, të cilët janë shprehur me fjalët më të mira për këtë revistë. Veçse revista, nga numri në numër, është bërë më e mire. Kurorëzimi i kësaj ngritjeje cilkësore është numri më i fundit, me një nivel për tu patur zili. I përshëndes botuesit dhe drejtuesit edhe për konceptin e tyre të gjerë, për larminë e rubrikave, për harmonizimin e autorëve të rinj e të vjeter. Është një revistë e evindentimit dhe kritikës së vlerave, veçse do të desha që kësaj të fundit t’i jepej më shumë vend …

Eseisti Fatmir Minguli, i cili foli edhe në emër të shkrimtarëve e të artistëve të Durrësit, vuri në dukje vlerat e revistës dhe përgëzoi Ministrinë e Jashtme për mbështetjen morale që po i bën asaj, sepse “ata në Athinë bëjnë po atë punë, që bënin dikur rilindasit tanë”. Ai vuri në dukje, gjithashtu, konceptet bashkëkohore të bashkëpunimit, që kanë drejtuesit e revistës. Më bëri përshtypje, tha ai, bashkëpunimi me Grigor Jovanin, për botimin sa më të plotë të esesë sime për Ricosin, në numrin që kemi në dorë. Ne të gjithë, përfundoi kritiku Minguli, mund ta kemi pranë këtë revistë të dobishme “xhepi”, duke u abonuar në të…

Shkrimtari Bajrami, po nga Durrësi, tha se është një rast fatlum interesimi ë Ministrisë së Jashtme për krijuesit, qofshin edhe ata të diasporës, në një kohë që Ministria e Kulturës  u ka marrë shkrimtarëve edhe  të vetmen “shtëpi” që kishin. Kjo revistë, theksoi ai, u bën ball presioneve të sharlatanëve të letërsisë e të artit, si edhe aftësive manipuluese, që kanë disa për tu dukur. Më bën përshtypje, tha ai, që Drejtori dhe Themeluesi i “Pegasit”, Grigor Jovani, nuk është i pranueshëm, në një kohë kur të tjerët, do të kapërdinin kilometre dhe do të rrëmbenin mikrofonët, në një takim të tillë me shtypin kombëtar. Ja sesi, përfundoi ai, kjo revistë e krijuesve shqiptarë të Athinës mundi të mbushë vakumin tone letrar…

Konf. e Shtypit e mbylli drejtori i Institutit Kombëtar të Diasporës, Roland Bino, i cili

vlerësoi revistën “Pegasi”, që ka grumbulluar rreth vetes shoqata, krijues, shkrimtarë e lexues anembane diasporës. Ministria është e interesuar për vazhdimësine e saj, tha ai. Drejtori Bino shtoi mes të tjerash, se vete ministri do kishte marrë pjesë me shumë kënaqësi në këtë takim, po të mos kishte pasur angazhime te tjera.

Kështu kaloi takimi i “Pegasit” me mediat dhe lexuesit e tij në Tiranë. Dhe, fill pas këtij takimi, nisi punën që di të bëjë më mirë, nga gjithë të tjerat: të fluturojë nëpër qiejt artistikë, për t’i zbukuruar ato me hijeshinë dhe fisnikërinë e tij.

 

I dërguari i posaçëm i “Pegasit”

Emmanuel le Merlus: Franca dhe Greqia do të jenë të detyrura të njohin minoritetet

vepror-hasani.jpg – Nga Vepror Hasani

Emmanuel le Merlus nga Malguenac i Bretanjës në Francë që prej prej 20 majit të vitit të kaluar udhëton i vetëm me biçikletë nëpër rrugët e Europës, duke kaluar nga një shtet te tjetri me një synim të vetëm: të promovojë diversitetin linguistik kulturor me qëllim që gjuhët e minoriteteve të mos vdesin. Merlus thotë se 6000 gjuhë temmanuel-le-merlus.jpgë minoritarve, kudo që ata ndodhen nëpër Europë, janë në rrezik. Franca dhe Greqia nuk i njohin minoritetet. Asimilimi i tyre po bëhet gjithnjë e më i frikshëm. Aravanitasit nuk guxojnë të thonë në Greqi që janë me origjinë shqiptare, Franca nuk njeh minoritetin Kell, edhe pse në Bretanja jetojnë 5 milionë banorë. Megjithatë ai është i bindur se vitin që vjen, do të mundin të kalojnë një ligj në Parlamentin Europian, dhe vetëm atëherë Franca dhe Greqia do të jenë të detyrura të pranojnë minoritetet në vendet e tyre. Le Merlus, ka vetëm pak ditë që ka mbërritur në Korçë. Ai kishte hyrë fillimisht në Konispol, ishte ndalur në Sarandë për të vijuar më pas në Gjirokastër, Përmet, Leskovik, Ersekë dhe së fundi në Korçë. Udhëtimi i tij do të përshkojë edhe qytete të tjera të Shqipërisë. Më pas do të kalojë në Maqedoni, Serbi, Kroaci, Mal të Zi, Itali, Spanjë dhe  Portugali. Shpreson që të hyjnë në shtëpinë e tij në Malguenac të Bretanjës nga muaji shtator i këtij viti. Gjithsesi, qëllimin e këtij udhëtimi na e shpjegon vëtë Emmanuel le Merlus

Cili është qëllimi i këtij udhëtimi mjaft të vështirë me biçikletë?

Këtë tur po e bëj për promovimin e divesritetit linguistik kulturor. Gjithnjë e më shumë po kuptojmë se gjuhët e minoriteteve janë përballë rezikut të humbjes. Minoritetet po asimilohem. Njerëzit e pasur, pjesëtarë të minoriteteve, nuk bëjnë asnjë përpjekje. Na mbetet ne, qytetarve të thjeshtë, të shpëtojmë guhën e të parëve tanë. UNESKO ka regjistruar 6.000 gjuhë, të cilat rrezikojnë të vdesin. E njëjta gjë po ndodh edhe me gjuhën tonë në Bretanja të Francës ku jeton minoriteti kell. Gjuha jonë është e përafërt me atë që flitet në Uells. Në këtë vend jetojnë 5 milionë banorë. Përpara 10 vjetësh këtë gjuhë e flisnin së paku një milonë banorë, ndërsa tani vetëm 150 mijë vetë. Pas disa vitesh do ta flasin shumë më pak nga sa tani. Asimilimi po bëhet gjithnjë e më i frikshëm.  Fal përpjekjeve tona kemi bërë të mundur  hapjen e shkollave për mësimin e gjuhës tonë. Rreth 50 mijë fëmijë frekuentojnë këto shkolla. Sinjalistika rrugore ka filluar të shkruhet në dy gjuhë. Këto të drejta i kemi fituar me shumë mund, por shteti frances nuk na njeh si minoritet. Sipas kushtetutës së këtij vendi, në Francë nuk ka minoritete.

Në sa shtete keni udhëtuar deri tani dhe a keni patur takim me minoritarë?

Udhëtimin tim me biçikletë e nisa më 20 maj të vitit të kaluar. Deri tani kam kam përshkuar 20 mijë kilometra rrugë. Itinerari im i deritanishëm ka qënë: Francë – Angli – Irlandë – Hollandë – Gjermani – Danimarkë – Suedi - Poloni – Finlandë – Estoni - Lituani, ku më pas udhëtova drejt pjesës lindore të Polonisë – Sllovaki – Çeki – Italia Veriore – Slloveni – Austri – Hungari – Rumani – Bullgari – Greqi dhe tashmë siç e shihni ndodhem në qytetin e Korçës. Shpresoj që nga muaji shtator i këti viti të mbërrij në shtëpinë time në Malguenac të Bretanjës në Francë. Kudo që jam ndalur jamë takuar me minoritarë, sepse ky është qëllimi i udhëtimit tim: përgatitja e raporteve për gjendjen e minoriteteve. Tashmë mund të them se të gjitha minoritet, kudo që jetojnë, përballen me probleme të njëjta. Gjuha e tyre rrezikon të zhduket. Më fatlumët e këtij globi duket se janë minoritarët suedezë në Finlandë ku u njihen të gjitha të drejtat e tyre.

Më konkretisht mund të na evidentoni disa nga problemet?

Problemi më i madh është msonjohja e minoriteve, por edhe në ato vende që janë njohur nga shteti, përballen me asimilimin e tyre. Shtetet  ndihmojnë shumë pak financiarisht për gjuhët e minoriteteve dhe hapjen e shkollave. Sipas kushtetutës franceze dhe asaj greke, vendet e tyre nuk njohin minoritetet. Kur u ndala në Greqi u njoha me mjaft aravanitas. Të moshuarit ende e flasin gjuhën shqipe. Por kur i pyet  cilësi kombësie i përkisni, çdo njëri prej tyre përgjigjet: “Jam grek”. Përgjigjja është e tillë, sepse ndjenë trysninë e shtetit ku jetojnë. Përderisa shteti nuk njeh minoritet, atëherë ata nuk mund të organizohen nëpër shoqata, nuk mund të kërkojnë hapjen e shkollave, nuk mund të financojnë për mbajtjen gjallë të gjuhës së tyre. Kjo gjë nuk ndodh vetëm me shqiptarët. Me të njëjtat probleme përballen maqedonasit, vllehët dhe turqit. Grekët njohin vetëm komunitetin mysliam, por jo minoritetin me kombësi turke. Sipas statistikave që kemi të cilat nuk mund të konsiderohen përfundimtare, Europa përbëhet nga dhjetra gjuhë, 20% e popullsisë së saj janë minoritarë, rreth 50 milonë njerëz u përkasin minoriteteve. Larmia e gjuhëve i jep bukuri linguistike këtij kontinenti, e bën atë të larmishëm. Paqja  mbi këtë vend nuk vjen nga asimilimi i komuniteteve minoritare, por nga kujdesi për ta.

Duke qënë i vetëm në këtë udhëtimi, sa shpresoni se do t’ia dilni mbanë qëllimit tuaj?

Jo, nuk jam i vetëm. Kam mbështetjen e minoritetit kell, të Këshillit të rajonit të Remes në Bretanja, po fitojmë përkrahjen e shumë minoriteteve kudo që ndodhen ata, kemi kohë që bashkëpunojmë me parlametarë europianë. 20 deputetë të majtë dhe të djathë janë duke përkrahur iniciativën tonë. Po punojmë shumë me Parlamentin Europian. Vitin që vjen do të çojmë në këtë parlament një iniciativë qytetare. Raportet që po përagtismim do të ndoihmojnë këtë nismë. Miratimi i këtij ligji do të detyrojë Francën dhe Greqinë të njohin minoritetet. Ligjet europiane janë prioritare përballë ligjeve vendase. Krejt ndryshe ndodh në Shqipëri. Minoriteti grek në jug të vendit është i mirorganizuar dhe mbështetet nga shteti grek. Këtë gjë nuk mund ta them për vllehët, pasi ata nuk kanë ndonjë organizim të dukshëm. Gjithsesi gjithkush duhet të përpiqet që asnjë prej gjuhëve të Eurpës të mos humbas.

Si ia dilni të udhëtoni me biçikletë kaq gjatë dhe a nuk ju duket anormale një gjë e tillë?

Sigurisht që udhëtimi me biçikletë është i vështirë. Që t’ia dal mbanë synimit tim më duhet të udhëtoj  rreth 80 kilometra në ditë. Rrugët e Ballkanit janë tepër të vështira. Me duhet të udhëtoj në shi e në diell, në temperature të larta dhe nën rreshjet e dëborës. Shpesh herë ujin që mbaj me vete e kam gjetur të ngrirë. Kam me vete një dyshek ajri dhe një çadër. Gjithë bagazhi im ka një peshë prej 40 kilogramsh.  Kur mbeten i vetëm mes udhëve të kontinentit, më ndodh shpesh që njerëz të ndryshëm të më marin në shtëpitë e tyre. Edhe ata mbeten një çast të habitur për udhëtimin tim me biçikletë. Deri më tani kishim organizuar shumë aktivitet në drejtim të promovimit të divesrsitetit linguistik, por ajo me të cilën po përballeshim ishte anormaliteti, mosintresimi i shtetit për gjuhët e minoritarëve. Për këtë arsye, këtij anormaliteti vendosëm t’i përgjigjemi me diçka anormale, sepse vetëm kështu mund t’i bëjmë njerëzit dhe qeveritë më të ndjeshme për t’i thënë ndal asimilimit

Bisedoi Vepror Hasani

PËR KOHËN, KUR “LIRIA ISHTE E MBËRTHYER NË PRANGA”…

(Ose gjetje e rrallë, në arkivin tim, nga publicisti e poeti Vezir Ukaj)

Nga: Prof. Murat Gecaj

Publicist e studiues-Tiranë

 nga-e-djathta-veziri-e-murati.jpg

Nga e djathta: Veziri e Murati

 

1.

Ndoshta, duket pak si i habitshëm nëntitulli i këtij shkrimit tim. Në pamjen e parë, ashtu është. Por, po të lexoni se si e shpjegoj atë, do të bindeni se plotësisht kam të drejtë…

Ishin vitet e diktaturës komuniste - në të dyja anët e kufirit tonë - pra, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Por, atje rëndonte edhe thundra e pushtimit të huaj, ajo serbosllave. Ishim të izoluar dhe, pothuajse, pa kurrfarë lidhjeje me njëri-tjetrin. Megjithatë, sidomos pas vitit 1978, ndërmjet dy vendeve tona të stërlashta arbërore dhe të ndara padrejtësisht, nisën të bëheshin shkëmbime vizitash kulturore, arsimore e shkencore. Një vizitë e tillë, ishte dhe ajo e kolegëve të gazetës simotër të Prishtinës, “Shkëndija”, në redaksinë e gazetës “Mësuesi”, botim i Ministrisë së Arsimit e Kulturës.

Në atë kohë, me kujtohet se në gazetën arsimore të Kosovës punonin: Sulejman Dërmaku (kryeredaktor) dhe Vezir Ukaj e Sabit Jaha (redaktorë).

Pra, në vizitën e tyre në Tiranë, që përmenda më lart, bënte pjesë edhe gazetari e poeti ynë i mirënjohur, Vezir Ukaj. Me atë natyrën e tij të buzëqeshur e të afruar me njerëzit, por edhe me humorin e tij të dukshëm e të këndshëm, u njohëm e u bëmë shpejt miq. Për të më nderuar, pas kthimit në Prishtinë, Veziri e publikoi një artikull jetëshkrimor, në gazetën e mësuesve “Shkëndija”, me titullin “Murat Gecaj, jo vetëm kronikan i arsimit shqip”, bashkë me një fotografi timen.

Vitet kaluan ose, siç thotë populli, “rrodhi shumë ujë nëpër lumë”. Pra, erdhën vitet e stuhishme 1989-1999, kur Kosova u ngrit e tëra në luftën për liri e pavarësi. Në kushtet e reja, që u krijuan pas çlirimit të saj nga regjimi serb, në korrik të vitit 2000, unë bëra një vizitë dyjavore nëpër Kosovë. U mirëprita edhe në zyrat e redaksisë së “Shkëndijës”. Aty takova përsëri mikun e kolegun tim, Vezir Ukaj. Për atë takim dhe tërë vizitën e parë timen në tokën shqiptare kosovare, shkrova e publikova librin “Si e pashë unë Kosovën” (Tiranë, 2000). Sigurisht, gjeta rastin ta publikoja edhe një foto timen e të bashkëshortes, nga Pallati i Shtypit të asaj kohe, në shoqërinë e Vezirit dhe të kolegëve të tjerë aty.

Por, le të kthehemi pak te vizita e parë e Vezirit, në Tiranë. Me atë rast, ai më foli shkurtimisht për jetën dhe vuajtjet nëpër burgjet serbe, por edhe për krijimtarinë e tij letrare, sidomos për ato në poezi. Bile, më dorëzoi edhe një jetëshkrim (të daktilografuar), të cilin e gjeta këto ditë, kur po “gërmoja” nëpër dosjet e arkivit tim vetjak.

2.

Vezir Ukaj u lind në katundin Dobrajë e Madhe, të komunës së Lipjanit, Prishtinë. Shpejt, ai u njoh edhe me burgosjet e përndjekjet, që i ishin bërë nga serbët, si gjyshit Zenun (i cili kishte vdekur në një burg të Sebisë, por nuk ishte kuptuar kurrë në cilin) e babait, Sabitit. Por, edhe vetë ai e pesë vëllezërit e tij, nuk i shpëtuan dot ferrit famëkeq serbo-çetniko-titist. Më 8 qershor 1964, Vezirin e burgosin, si “element i rrezikshëm”, pjesëtarë të Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, me Adem Demaçin në krye.

 libra-te-poetit-vezir-ukaj.jpg

Libra të poetit Vezir Ukaj

Këtë krijues, në planin jetësor e priste burgu, ndërsa në planin krijues anatema. Kështu që këtë fat e përjetoi, siç shkruan poeti Faruk Tasholli, edhe me “shkrimtarët e tjerë, si Adem Demaçi, Teki Dërvishi, Rexhep Elmazi, Murteza Nura, Zeqir Gërvalla e ndonjë tjetër…”. “Poezia e Vezir Ukajt, për kohën kur është shkruar, është interesante dhe karakteristike, për mendimin dhe qendrimin e guximshëm, posaçërisht nga aspekti i veçantë i një parimi specifik dhe origjinal, ngase çdo varg i tij ka kuptim e shije të posaçme, me fuqi shprehëse e vlerë artistike…”, thotë shkrimtari Remzi Limani, në librin e tij monografik “21 Shprehje Artistike” (2008).

Ndërsa poeti Jakup Ceraja, shkruan se “… poeti V. Ukaj ka arritur që, pa ofkëllima e sentimentalizëm, ta këndojë (lexo: vajtojë) jetën e një të burgosuri politik shqiptar, që martirizohet për të drejtën e popullit të vet dhe lirinë e atdheut. Të gjitha vjershat…, me temë burgun famëkeq të Nishit, kanë nivel të lakmueshëm artistik,… ku poeti mbërrin të rrëfehet deri në fund dhe të japë porosinë se: Liria / vdekjes i vë emër…”, prandaj “ky edhe është sublimimi i gjithë një flijimi…”.

Pas daljes nga burgu, ai vëzhgohej rreptë dhe nuk i lejohej as të publikonte në shtyp. Bile, siç dihet, është marrë edhe në mjaft “biseda informative” dhe, më shumë se pesëmbëdhjetë herë, është arrestuar… Me vështirësi të mëdha (në vitin 1991), është pranuar në Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës. Për ndjenjat e tij antiserbe, përjashtohet edhe nga puna, në rrethin e Kaçanikut. Mirëpo, përmes një miku, lidhet me shkencëtarin dhe bardin e poezisë shqipe , Dr. Esad Mekulin, i cili e punësoi në revistën letrare të Prishtinës, “Jeta e re”. Kështu që, me ndihmën e tij, pa shkëputje nga puna, mundi t’i vijonte edhe studimet e larta për gjuhë e letërsi shqipe. Që nga janari i vitit 1996, u caktua redaktor i gazetës së përjavshme, arsimore e kulturore, “Shkëndija”, pranë Ministrisë së Arsimit dhe, me shumë sukses, e drejtoi rubrikën e kulturës. Aty, Veziri i shpalosi ndjenjat e veta atdhetare dhe talentin e krijimtarisë së tij, jo vetëm në fushën e publicistikës, por edhe në atë të letërsisë.

Ngjarje e rëndësishme e jetës së tij ishte edhe krijimi i familjes,lidhja me bashkëshorten e ardhshme, Servetën. Pas vdekjes së dy djemëve, më pas, iu gëzuan lindjes së katër fëmijëve të tjerë, të cilëve iu vunë emra simbolikë: Flamur, Fitore, Shpëtim e Meritë. Ata, i ka shkolluar me mund të madh dhe, tashmë, të martuar e me trashëgimtarë, punojnë dhe jetojnë në Prishtinë. Me kolegun Vezir Ukaj, gjatë tërë këtyre viteve, nuk i kam ndërprerë lidhjet… Kam shkuar  disa herë të tjera në Prishtinë dhe jam ndodhur në shoqërinë e tij. Por, edhe ai ka ardhur në Tiranë. Bile, në marsin e 2010-ës, mori pjesë në ceremoninë e 70-vjetorit tim dhe në përurimin e librit jetëshkrimor, “Ëndrrat e  ‘grisura’ të jetës sime”. Ndërsa, sivjet, ai po përjeton edhe një gëzim tjetër, vazhdimin e doktoratës këtu, nga i biri, Ass. Mr. Dr. Flamuri, otorinolaringolog  dhe pedagog në Fakultetin e Mjekësisë, të Universitetit të Prishtinës.

3.

Krijimtarinë e nisi që në burgun ferr-titist të Nishit (ani pse me shkrime ishte marrë edhe më herët, që nga shkolla e mesme) dhe poezitë e asaj kohe i publikoi, më pas, në një përmbledhje të veçantë, të cilën e pagëzoi me një emër simbolik, “Barrë e vrarë”! Në shënimin e bërë, në jetëshkrimin e mësipërm, pohohet: “Në dorëshkrim ka edhe pesë përmbledhje të tjera, bashkë me një përmbledhje tregimesh e një prozë shumë interesante (në përfundim e sipër), me përjetime nga koha e burgut dhe nga puna në ndërmarrjen botuese grafike “Rilindja””.

Ja, disa ditë më parë, Veziri më dha, me një shënim të ngrohtë, librin me poezi “Dhoma  numër katër” (Bukuresht, 2010), në shqip e rumanisht, të përkthyer nga Baki Ymeri. Këto poezi janë të shkruara në vitet e stuhishme të jetës së tij, 1965-1970. Gjithashtu, ai i ka publikuar edhe gjashtë vëllime të tjera me poezi.

Kjo përmbledhje paraprihet nga shënimi i shkrimtarit, publicistit dhe kritikut të shquar letrar rumun, Marius Chelaru , “Eshtrat e fjalëve, duke e kurdisur formulën e jetës dhe vdekjes”. Është e vërtetë se, në këto poezi jeta dhe vdekja, përshkruhen  pranë e pranë. Autori i tyre vjershave , Vezir Ukaj i  përjetoi zinxhirët, vuajtjet dhe torturat e tmerrshme të burgjeve serbe. Pra, provoi kohë të vështira, kur edhe “Liria ishte e mbërthyer në pranga”. Kjo vërehet që në poezinë e parë, ku autori e ngre zërin “deri në kupë të qiellit”, aty në qelinë e burgut, por nuk e dëgjon kush, sepse: “Terri, Lagështia, Uria Vetmia / Ekip lojtarësh të Fatit të Zi / Bëjnë salto mortale të padukshme / I rrëzon Shpresa që fiket shqim…”. Në vetminë, pas hekurave a në pranga, në kujtesën e tij - fletore, autori thur poezi të trishtueshme dhe duket se nuk ka rrugëdalje, nga ajo skëterrë: “…Është Rrugë / e largët Liria…”, ose “Liria det i panjohur…”, për të vazhduar se: “Liria / Vdekjes i vë Emër…” etj. Dhe: “Vuajtja ime nuk ka Emër, nuk ka Adresë!…”. Revolta e tij arrin kulmin, kur shkruan: “E marr pasqyrë Natën e thyej / për murin e qelisë sime!…”. Por, ai mediton e kujton aty edhe burgimin e paraardhësve të tij (“Kureshtja” - Në burgun e Gjyshit tim).

Në një linjë janë shkruar 7 poezi të këtij vëllimi, me titullin shumë domethënës, “Në skëterrë qëndrimi” (Për kazamatin e Nishit). Për ato vuajtje burgu dhe për atë gjendjen shpirtërore të tij, flasin edhe poezi të tjera, si ”Biruca” ose ajo, ku shkruan radhë të tilla: “Robëri më linde / më rrite Robëri”, a ”Ç’kullon gjak vargu / plaga e ënjtur / mëton e mërdhezur / Pranga që shtrëngon…” dhe më tej: “Burgu poezinë ma arrestoi…”. Në atë gjendje të mjeruar, ku ka rënë, autori e quan veten të pashpresë: “Vargu Burg ma mbylli këtë Letër / në Birucën e ftoftë Lule pa rrënjë. / A je Luftëtar a Poet më thërret Zëri im / Gjuha më lidhet Hekur Akull më ngrin…”. Trishtimi i Vezirit ndihet qartë edhe kur shkruan për ndjenjat e pastra njerëzore, siç është dashuria, emër të cilin e lakon disa herë në radhët e veta: “Ç’është Dashuri e fshehtë / mund ta kuptosh nga Ëndrra / Ëndrra liqen magjik është / në frymëzime lirike lahet…”. Gjithashtu, këto poezi janë të mbushura me ndjenja të larta atdhetare, me dashurinë për lirinë e vatanin, për vendlindjen. Te poezia “Kulla dhe Djepi”, autori shkruan: “Ajo është Djep, që ma përkund / këngën time të pa kënduar / është vend i përballjes sime / me veten time të Emrit Shqip”. Ai përulet me nderim para nënave shqiptare, që lindin e rritin krijesat e reja, fatet e Atdheut: “Kjo grua nuk është Tokë / është Mëmë e Dheut Tim…”. Edhe pse autori vuan shpirtërisht, diku larg parasheh rreze shprese për më mirë: “Në sy të fëmijës përgjumur / blerohet Stina / Gufon Agon Zgjon me kambanë / Borizani i Kushtrimit…” (te “Gjethe drite”) ose: “…Vërshon  Bleron Gjallëron / ç’bën kështu Farë e re / Dritë bën dhe Jetë…”. Ndërsa, në një poezi tjetër, ritmi i jetës atë e thërret: “Shtëpia prush fëmijë Muzikë / rritet Lisi Oborrit / … Ujë Bukë Kripë Dritë / Liria na pret shumë Dasmorë…” (te “Shtëpia jonë”).

Libri tjetër, me titullin “Ese kritike” (Prishtinë, 2010), me autor Remzi Limanin, është një përmbledhje për disa krijues kosovarë. Ndër të tjerët, shkruhet edhe për Vezir Ukajn: “Përqafimi poetik i fjalës dhe mikut të mirë”. Aty flitet për vëllimin me poezi të tij, “Bush – Yll Drite mbi Ilirikum” (2010), kushtuar vizitës së këtij Presidenti të SHBA-ve në Tiranë. Ndër të tjera, bëhet edhe vlerësimi: “Ky libër me poezi i autorit Vezir Ukaj, kushtuar Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh W. Bush, është pasqyrë e një dhimbjeje të këndshme, dalë nga plagë e varrë të malcuara në shpirtin e poetit. Kjo ndjenjë shpërtheu natyrshëm, si shkreptimë e plagës së moçme për atdhedashurinë dhe për frymëmarrjen e lirshme, që na solli Amerika dhe Njeriu i Mirë – me Lirinë, me njerëzinë dhe me miqësinë, si vlera të gatuara përgjatë historisë”.

Urojmë që, kolegu e miku im, Vezir Ukaj, të ketë shëndet të mirë, të krijojë e botojë libra të tjerë të bukur dhe të përjetojë gjithnjë gëzime e lumturi në familje!

Tiranë, 28  korrik 2011

Elvis Roshi: Projektet e mija per rregullimin e Kavajes

Intervistë me Kryetarin e
Bashkisë së Kavajës , z. Elvis Roshi

 

Monda Moisiu

Ai tashmë është përfshirë
nga ndjenja e përgjegjësisë dhe e sfidës për të drejtuar Bashkinë e  qytetit të Kavajës. Në këtë intervistë
Kryetari i Bashkisë të Kavajës, z.Elvis Roshi, shpalos idetë dhe prioritet, ëndrrën
për të kontribuar në zhvillimin e qytetit me standarte europiane. I ka dhënë përformancë
stafit të tij me njerëz të rinj në moshë, kulturë e arësim  dhe është tejet  optimist në solidaritetin e tyre altruist, dëshirën
për të ecur përpara,  me qëllimin e dëshirën
e mirë cdo gjë në  funksion të zhvillimit
e progresit të Kavajës, për ta bërë atë një qytet të paqtë, të qetë me besim te
mirësia njerëzore dhe intelektuale, sepse Kavaja meriton shumë se është  qyteti i demokracisë.Në këtë ndërrmarrje të
bukur, të vështirë e të guximëshme,  plot
sfida e sakrifica, z.Elvis Roshi shprehet se nuk ndjehet i vetëm aspak, ai  ka inteligjencën dhe qytetarinë kavajase, të
cilët me votë e zgjodhën Kryetar –sfida e besimit që kanë në këmbim të  investimit e shërbimit të interesave dhe
problemeve të qytetarëve.

 

Bisedoi: Raimonda Moisiu



-Urime dhe Suksese në
zgjedhjen tuaj Kryetar i Bashkisë së Kavajës. Cila  është gjëja më e rëndësishme që ju kini mësuar  në jetën 
tuaj: Të qënit qytetar dhe intelektual, e tashmë Kryetar i Bashkisë.
Cilat  janë  sfidat e përbashkëta mes tyre ?

 

Ju falenderoj edhe unë Ju për mundësinë që
po më jepni për të komunikuar me publikun. Sa për gjënë më të rëndësishme që
kam mësuar në jetën time, më lejoni t’ju citoj një thënie të Martin Luter
King-ut, i cili dikur, para miliona njerëzve të cilët kërkonin të drejtat e
tyre tha ; “ Unë e kam një ëndërr” e cila sigurisht u realizua. Edhe unë, disa
muaj më parë kisha një ëndërr, të më jepej mundësia të konribuoja për
zhvillimin e qytetit tim dhe bërjen e tij me standarte perëndimore, ashtu sic e
meriton Kavaja.

Të qënit qytetar i Kavajës është kënaqësi, ndërsa
të qënit Kryetar Bashkie është një sfidë e cila kërkon vullnet, ide, dëshirë për
të ecur para, karakteristika të cilat nuk më kanë munguar për asnjë moment të
jetës sime.

 

-Ju flisni rrreth
lidershipit tuaj në rrethin e Kavajës, duke na vendosur në plan të parë synimin
dhe si ju do e ndiqni atë. A ka dicka në këtë lloj stili , natyrisht duke
neglizhuar pikëpamjet politike?

 Për vetë specifikën që ka elektorati shumë
i ndjeshëm i Kavajës, jo pa qëllim e majta vendosi të nxirrte në garë një njeri
i cili nuk vjen nga rradhët e partive politike por nga rradhët e shoqërisë
civile. Sigurisht që gjatë jetës njeriu ndjek modele e unë kam një të tillë të
cilin për momentin nuk preferoj ta zbuloj. Modelin tim do ta zbuloj kur
ndryshimi në qytet të jetë i prekshëm dhe kur të tregoj modelin tim të
preferuar, të shikohet realisht ngjashmëria mes meje dhe atij.


-Cila është ekpserienca më e vështirë : të merresh me politikë, të
drejtosh një Bashki apo përpjekjet për të thyer oponencën e interesave të
vecanta personale dhe klaneve që ekzistojnë brenda një grupimi drejtues
apo force politike?

Personalisht
nuk kam qënë, nuk jam dhe nuk do të jem asnjëherë pjesë e ndonjë klani me
dimensione politike apo ekonomike. Jam një Kryetar Bashkie i propozuar nga
Partia Socialiste, së cilës i jam mirënjohës për mundësinë që më dha por e kam
thënë edhe  gjatë  fushatës dhe i mbahem zotimit tim- që  “partia ime” është Kavaja.

 

-Si e vlerësoni ju
progresin e Kavajës për demokraci e zhvillim?

 

Kavaja sic dihet është qyteti i demokracisë,
fakt për të cilin ndihen krenar gjithë qytetarët e Kavajës, por për besimin që
Kavaja pati te demokracia, nuk ka marrë akoma ‘’ shpërblimin’’ që meriton.
Qytetarët e Kavajës janë njerëz që adhurojnë lirinë, adhurojnë lirinë e fjalës,
lirinë e mendimit dhe veprimit. Zhvillimi në Kavajë ka filluar të ndihet, që në
reformën insititucionale, rritjen e përformancës së stafit të Bashkisë dhe që më
në fund pas 20 vitesh sundim, sot Bashkia është një institucion që me derën
hapur dëgjon hallet dhe problemet e qytetarëve të Kavajës.

-Ka pasur momente kur ju
jeni ndjerë i zhgënjyer, nga streset e mosmarrëveshjet e ditës?

Praktikisht
kam një muaj në krye të Bashkise dhe them që ka patur momente që më kanë dhënë
sadisfaksion por dhe momente që jam ndierë në vështirësi, por ky fakt nuk më ka
bërë asnjëherë të mendoj se duhet të dorëzohem, përkundrazi më ka dhënë më shumë
forcë për përballimin e situatave të ndryshme.

- Si jeni ndjerë përballë botës së frikëshme
të mediokritetit, klaneve, hipokritëve dhe inferioritetit  ?

 

Nuk mund të jap opinione ndjeshmërie për ceëhtje
që nuk i kam ndjerë kurrë. Nuk ja di shijen as mediokritetit, as
inferioritetit, as klaneve dhe besoj se nuk do t’jua ndjej ndonjëherë.


-Si e shikoni të ardhmen e infrastrukturës të qytetit, dhe a ka dicka që ju
mund të bëni?




Në qytetin tonë ka shumë gjëra për të bërë
por emergjente është kanalizimi, ndricimi, gjelbërimi, furnizimi me ujë të
pijshëm dhe asfaltimi i disa rrugicave që sot realisht ndodhen në kushtet e
gjendjes civile. Përsa i përket projekteve afat-mesme kemi ndërtimin e një
tregu modern dhe bërjen e një qëndre me standarte perëndimore. Në projektet
afatgjatë është një Kavajë europiane me shumë qëndra, të përcaktuara, për rininë,
për fëmijët, për të moshuarit.

 

-Është lufta kundër korrupsionit, një luftë
që secili pushtetar dhe qytetar duhet të ndërgjegjësohet?

 
Sigurisht.
Nëse të gjithë do të jepnim kontributin tonë pa rezerva në këtë luftë atëhere
Shqipëria do të ishte një vënd më i mirë.




-C’ mund të na thoni për zhvillimet e
fundit politike në Shqipëri. A ndikojnë ato në procesin e zhvillimit
të rajonit të Kavajës?

 

Në zgjedhjet e fundit lokale shumë bastione
u thyen cka tregon se kultura politike në Shqipëri po ndryshon dhe se qytetarët
po bëhen të ndërgjegjshëm për faktin se vota e tyre është një instrument dhe
besim të cilin ja japin dikujt në këmbim të shërbimit dhe nuk është një mjet
thjesht për të forcuar një parti politike.


 - Duke iu bërë një sërë pyetjesh, do
dëshiroja t’iu pyesja  rreth maturisë
tuaj politike? C’do të thotë të merresh me politikë?


merresh me politikë në karrigen e Kryetari të Bashkisë do të thotë t’u shërbesh
në mënyrën më të mirë qytetarëve që të kanë zgjedhur dhe besoj që kjo është
politika reale dhe retorike politike.

-Sa i besoni thënjes të një presidenti
amerikan, se; ” Forca dhe zgjuarësia janë të barasvlerëshme”

 

Për mua forca e mendimit është më e rëndësishme  se mendimi i forcës.



- Kavaja njihet për tabanin dhe trashëgiminë
kulturore. Si dashamirës i botës së artit dhe kulturës, cfarë mendoni se do të
bëni  më shumë, për të kthyer Kavajën   në identitet?

Rigjallërimi
i jetës kulturore në Kavajë është një nga prioritetet kryesore të programit tim
elektoral. Shumë shpejt pritet nënshkrimi i një kontrate mes Bashkisë dhe me një
kompani që është një nga gjigandet e kinemasë sot në Shqipëri. Muzeu historik
dhe etnografik janë sot në fokus të vëmendjes së Bashkisë dhe bashkë me
Drejtorinë e  Kulturës shumë shpejt do të
bëjnë qendrën e pashallikut të Kavajës (Alltuneve
me 400 vjet histori
), restaurimin e orës së qytetit, pasurimin e bibliotekës
së qytetit, resaturimin e shtëpisë së Haxhialusheve ( 250 vjecare), restaurimin e dyqaneve rreth sahatit etj.




 -Kush është Elvis Roshi  për qytetarët kavajas  por edhe publikun shqiptar?

 

 

Elvis Rroshi është një njeri që vjen nga
bota e biznesit, I cili në maj të këtij viti mori përsipër të hynte në një garë
politike, suksesin e së cilës pak njerëz e imagjinonin.
 

 

 -A keni bërë gabime
të vogla apo të mëdha”?

 

Nuk ka rëndësi në kam bërë gabime, e rëndësishme
është që mundohem të bëj sa më pak të tilla.

 

-Sot vemë re një mërgim të
inteligjencës kavajase, por edhe shqiptare në tërësi. Si e shikoni Ju
të ardhmen e inteligjencës kavajase?

 

Rrjedhja e trurit sot është një fenomen
shqetësues për gjithë vendin dhe jo vetëm për Kavajën. Ajo që  na ngelet të bëjmë është që ne qytetit t’i
ofrojmë sa më shumë hapësira të intelektualëve të rinj.Kontributi i Bashkisë ka
filluar në këtë fushë sepse deri tani në stafin e ri të Bashkisë po punësohen
vetëm të rinj dhe vitin tjetër studentët kavajas do të kenë të drejtën që gjatë
mujave të verës të bëjnë praktikën në Bashki me qëllim praktikimin e dijeve
teorike që kanë fituar në auditorët e universietit.

 

- Si e shikoni të ardhmen
e karrierës tuaj si qytetar apo në politikë?

 

Të ardhmen e karrierës sime e shikoj si një
qytetar që do merrem me politikë në funksion të zhvillimit të Kavajës.

 

- Cfarë iu ka mbetur
peng?

 

Asgjë

 

-  A jeni besimtar?
A luteni ndonjëherë për dicka që ju e dëshironi?

 

Sigurisht që jam besimtar madje cdo të
premte shkoj dhe falem në xhaminë 
historike të qytetit. Lutem për cdo gjë, mbarëvajtjen e së cilës e
vendosin forca që nuk i ka njeriu në dorë.

 

 -Hobi e pasioni Tuaj.

 

Hobi kam shumë sportin, lundrimin, udhëtimin
dhe së fundi politika e cila nga pasion po kthehet në profesion te unë.

 

- Mesazhi për inteligjencën shqiptare
dhe bashkëqytetarët e Kavajës!

 Mesazhi
është shumë i thjeshtë, Kavaja është thesar kulture dhe qytetarie, të investojmë
të gjithë së bashku për ta bërë një qytet më të mirë.

Bisedoi;Raimonda Moisiu




|